Të kisha qenë…
Edhe mermer të kisha qenë do isha çarë në mijëra pjesë
Përpara syçkave të shkruar ku regëtin një glob në mes
Aty lexoj fat edhe kumt dhe gjitha festat pa kremtuar
Aty bëj meshë e lutem vonë me kryq edhe qirinj në duar.
Edhe një trung të kisha qenë me mijëra sythë do kishin dalë
Mjaft të ndiej kur më afrohesh edhe më prek me dorë të valë
E do lëshoja lulë të ndritur pa pyetur kurrë për muaj e stinë
Vetëm të binin mbi lëkurë, të preknin gushën edhe gjinë.
Edhe prej hekuri të isha, do isha shkrirë në zjarr e flakë
Përballë ca buzë të kundërmuar të trëndafilshme kuqe gjak
E do të dehesha aromash si në parajsë gjer vonë në terr
Paçka se është shkruar në bibël se digjesh vetëm po qe ferr.
Fatmir R Gjata
