Fatmir R Gjata:Valëz e Semanit


Fatmir R Gjata

Valëz e Semanit

O valëz shtyrë me frymë,
në Semanin e gjërë
Më merr me vete sonte,
të jap një botë të tërë
Në s’mundesh thuamë prapë,
të pres në një ranishte
Do vij me ca rosakë,
me frikë në kallamishte.

Të shkojmë sapo të erret,
në detin pa kufi
Me vehte do marr qenin,
pëllumbat mbi çati
Do marr dhe farëz gruri,
ta mbjellë ku të më çosh
Me erë të fryrë në shpinë,
me krahë e duar bosh.

O peshkatarë mbi barka,
të kalbura pa ngjyrë
Kur vjen lumi me shkumë,
i dehur dhe i fryrë
Një gllënjkë raki më jepni,
të shkoj me turbullirë
Andej ku det përleshet
i kaltër dhe i nxirë.

Të shkoj bashkë me rrjedhë
të bëhem valëz vetë
Në mos u bëfsha dallgë
do prehem prapë në det
Dhe do këndoj ndër dhëmbë
për lumë të vëndit tim
I lagur gjer në kockë
me afsh e psherëtimë.


About Post Author