Fëmijëria ime më erdhi për vizitë-Llesh Gjoka


Ishte vonë…

kur hijes së muzgut

ra një yll i vogël.

E prita në dorë.

Një erë, një hukamë

ma ktheu në xixëllonjë…

Renda pas saj

livadhit të fëmijërisë sime

këmbëzbathur nëpër barin e lagësht

me hijen e përhumbur nëpër natë.

Ishte vonë…

Sapo u përndrit mëngjesi

ajo u avit me hapa të butë.

M’u ul në prehër

me bukë në dorë…

E rroka

E përqafova

Luajtëm kukamshehti

Rrungajave hodhëm thërime për zogjtë…

Mblodhëm fije bari për foletë e tyre

Me tubat e cinglave bëmë një zjarr të madh

në grykën e Shpellës së Pëllumbave

në mal.

U freskuam krojeve

U flladitëm lugjeve

Lëshuam vikama në kupë të qiellit

sa u trembën gjinkallat kënduese…

Kaluam nëpër ura

Takuam Kësulëkuqen te pylli i luleshtrydheve

lozëm gjithë shend dhe vrapuam

sa gishtat e këmbëve i gjakuam…

Pastaj u ndamë

Ajo duke qeshur

Unë duke qarë…