Feniksi i Himarës-Nga Janko Pali


Nga Janko Pali

Kurse me rastin e të kremteve të Kërshëndellës dhe të vitit të ri më 1925, në Janar, kompozon “Kujtimet”, në të cilën përkujton shokët e tij të rinisë dhe kohën kur i shkarkuar brengash, nuk ka tjetër kujdes veçse t’i jepej këngës, dëfrimit dhe kënaqësisë se çfarë ndiente në vënd-lindje, i mbushur me ëndrra dhe shpresa për një jetë të ardhme, të cilën nuk ka asnjë dyshim se do ta sundojë e do t’i dalë në krye fitimtar dhe zotëronjës.

Aq më tepër strofat e tij këtu kanë frymëzim mallëngjyes se në kohën që i shkruan, i mbytur nga një ndjenjë e fortë pesimizmi në shpirt, vuan thellë zhgënjimin dhe përgënjeshtrimin e ëndërrave dhe shpresave që i kishin mbushur ndjenjat dhe mendimet kur ishte i ri dhe nuk kish shijuar ende brengat dhe hidhërimet e jetës :

Ah! Ç’ditë vijnë dhe afrojnë

Kujtime te vjetra ! Vemej pikëllim !

Më vijnë në mendje dhe më kujtojnë

Ditët e dikurshme plot hare e gëzim.

Ja ! Kërshëndellja ! Ja ! Vit’ i Ri

Epifania e ku di une më…

Këtyre të Kremteve këtu në vetmi

Kujtimi s’më hiqet, rehat s’po më lë !

Më përmënden këtu ato mbrëmjet tona

Në të Çakallit dyqan grumbulluar

Kur kënga jehonte gjer në orët e vona

A vënçe, a kanto e marrur shtruar !

Ato kujtime tani më mundojnë

Këtu në vendin e Frengjve ku jemi

S’ka më ç’të bëhet, kurbet do durojmë

Sikur dhe litarin në grykë të kemi !

… Pa thotë mirë poeti dikur

Gjermani Aihendorf që foli si burrë

I lumtur, tha, është, kush jetën e shkon

Jo larg nga shtëpia dhe në Paqe jeton !

Të ndryshme janë drejtimet e penës së Neços. Po të marrim në tërësi veprën dhe krijimet e tij, duket se shumë kanë tedencë melankolike dhe shpesh vargjet e tij janë të shprehur si me dëshpërim dhe bjerrje të fuqisë së tij shpirtërore, qoftë ato që shkroi kur ish larg vendit, qoftë dhe ato që me shumicë krijoi kur u kthye këtu në vend! Duhet të përmëndim se qysh nga kthimi i tij në Atdhe, ai nuk përdori më gjuhë tjetër veç Shqipes, të cilën e dinte fort mirë (dhe pse allogllot nga lindja), po që e fliste me një ton dhe mënyrë karakteristike të njerëzve të fshatit të tij.!

Pati qënë tërë jetën e tij i dhënë pas miqësisë dhe pati ditur të zgjedhë mirë ata me të cilët i pëlqente të afrohej. Secilit nga miqtë e tij u pati dedikuar nga një vjershë mirë të goditur si p.sh. Koço Çakallit “Kurbeti”, Janko Palit “Inxhinieri”, K Qiricit “Rrahje zëmre”, A Bollanos “Jehonë dhimbjeje”, N. Rondos “Ky është Parisi”, Andrea Bales “Rinia” etj etj.

Miqësisë në përgjithësi i konsakron një vjershë në tri gjuhë që posedon mirë, me njëzetekatër vargje nga tetë për çdo idiomë.

Frengjisht:

Qysh në kohën e rinisë,

Miqësin’ kam adhuruar

Si një shënjt, një Perëndeshë,

Dhe në të pata shpresuar!

Në këtë të rreme jetë

Ku çdo gjë është mashtrim

Veç ajo më lehtëson,

Veç ajo jep ngushullim!

Italisht:

Ndonjëherë dhe s’kujtohet,

Nga një zemër që pat vuar

Në trishtime, në telashe,

Ndodh të jetë e mënjanuar,

Po një krim kjo do jetë!!

Një bunac a një furtunë

Në shpirt qoftë miqësia,

Që përzën çdo helm e dhunë!

Greqisht:

Pra, o mik, mos harro kurrë,

Jemi dy miq të sprovuar

Cilat do të jetës qofshin,

Kushtet që do kesh jetuar!

Nga kjo këtë vollum,

Mostër e miqësisë sonë,

Që nga zëmra të dhuroj,

Sa je gjallë më kujton.

…..Kurrë pra të mos harrosh

Miqësinë tonë të fortë

Me çdo kusht që të jetosh

Sa të jesh në këtë botë !…

Gjetkë përshkruan udhëtimin e tij nga Saranda për në Paris me hollësi, shënon në të çdo ndodhi të udhëtimit, qoftë në vapor, në stacione, në tren, në kufi, ambientin rreth udhëtimit në Itali, në Modanë, në Saint Etjen dhe së fundi në Paris, ku dhe mbaron përshkrimi.

Arritja e tij në Paris, që e emërojnë me të drejtë Qyteti i Dritës, e impresionon dhe nuk vonon të merret me përshkrimin e përshtypjeve të tij nga vetë qyteti dhe jeta që bëhet brenda këtij qyteti.

Rradhit siç e ka zakon, mjaft gjatë dhe në mënyrë të goditur ato që i rrokin sytë ngado që shkon, përmend, përshkruan, mburr, hymnizon, satirizon ku e vlen dhe i fillon të gjitha këto në këto strofa:

Për Parisin, thotë njëri

Per Parisin, tjatri thotë

Për Parisin, thonë gjithë

Per Parisin, kushdo në Botë !

Për Parisin dhe u thashë

Për Parisin …po..po..po!

Le ta shohim pra së bashku

Pak e pak e press’a poko !

Në 88 strofa teterrokëshe bën fjalë për gjithë ç’sheh, prek pozitën, klimën, ftomën e madhe dhe shinë që vazhdon gjatë kur fillon.

Shirat bien pa pushuar

Me bollëk përmbi qytet

Lagështi dalin gjithë vitet…

Ditë treqind e gjashtëdhjetë!

Flet për sheshet, mahnitet me atë të “KONKORDES”, ku në kohën e Revolucionit rrodhi lumë gjaku i “ci-devantë-ve”, me obeliskun e Luksor-it ne mes, dhe me atë të “EUAL”, shesh i madh ku kanë zana¬fillën dymbëdhjetë rrugë të mëdha nacionale që, nisur këtej, depër¬tojnë në tërë Francën e krahinat e saj në të katër pikat e horizontit. Flet për jeshillëkun e bollshëm në të gjitha anët e qytetit, për rregu¬llimin e rrugës ujore nëpër lumin e SENES dhe veshjen e anëve të tij me gurë e pllaka graniti për të evituar përmbytjet, godinat, monu¬mentet, vilat e të pasurve, dyqanet e luksit, muzetë e çdo lloji në vende të shumta të qytetit, ku vizitonjësi sheh gjëra e sende që askurrë s’i shkojnë në mëndje dhe që e mahnisin me ndërtimin dhe pasurimin e tyre me vepra të artistëve më të shquar të kohëve të ndryshme, qysh nga vjetërsia si:

Në pallate ku jetonin

Ludovikër, Napolon

Muze tani janë bërë

Që çdo kush i viziton !

Habitet me pirgun e EIFELIT që mund të themi ishte asokohe një stoli e rrallë e qytetit dhe që u ngrit me rastin e Ekspozitës Uni¬versale të 1889 dhe që është ndërtuar i tëri prej hekurishtesh të kryqë¬zuara e të mbërthyera deri në një lartësi prej 300 metra në fillim e që më pas i janë shtuar dhe njëzet akoma metra të tjerë, d.m.th 320m.

Kryvepër del në art,

Që mahnit cilindo qoftë

Kulla Ejfel e Parisit,

Kulla Ejfel! Një në botë!

“Mrekulli e kohës sotme”,

S’ka se si ndryshe i thua

Të mahnitet bota gjithë,

Nga teknika u ndërtua!

Tërë hekur kryq ndërtuar,

Me ballkone dhe tre kate

Maja shpon qiellin lart,

Treqint e ca metro vate!

Vazhdon duke përshkuar banorët, lëvizjen, bulevardet, dëfrimet, zakonet, të ushqyerit, kuzhinën, sjelljet e popullsisë në ngrënie, në ecje dhe tolerancën që vetë shteti i tyre përdor karshi llojeve të ndryshme të të huajve që kanë gjetur në të strehim, punë, mirëpritje dhe mundësi për të jetuar më mirë dhe të bëjnë një jetë më të lehtë se ajo për të cilën ishin destinuar në vendin e tyre.

Është frekuentues i papërtuar i muzeve dhe shpesh futet në atë të LLUVRIT a të KLUNY-ut a ndonjë tjetër dhe shkon kohën duke kontepluar eksponatet e mrekullueshme që ato përmbajnë. E tërheq gjithashtu metropoliteni i Parisit, një vepër madheshtore, ku njeriu dhe zhenia e tij është vënë në provë, mbasi në disa vende të rrjetit ndërurban është dashur që shinat e metrosë të shkojnë nga njëra anë e lumit në anën tjetër duke u kredhur në formë sifoni nën fundin e lumit të Senës, që duke u nisur nga baseni i Langre’s në 471 m lartësi, merr me vete dhe lumenjtë Obe, Ione, Marne, Uaze, Eur dhe, pas një rruge të gjatë prej më se 770 km., shkon nëpër Paris e derdhet në Mansh ku formon një grykë fort të gjërë, mbi të cilin është ngritur qyteti i Havrit.

Një trafik i gjërë tregëtar bëhet me anë të këtij lumi nga La Manshi e në Paris se me volumin e madh të ujit që ky mbart, është shumë i përshtatshëm për lundrim.

Kureshtia e shtyn Neçon të vizitojë ndonjëherë dhe ndonjë nga qendrat e natës së Monmartre ku dritat fantazmagorike dhe jeta ferike e theatrove dhe spektakleve të dëfrimit (Mulen Rouzh, Galete, Luna Park…) e rrëmbejnë dhe e përforcojnë në mendimet e tij prej bohemi të shkujdesur, përsa i përket problemeve të jetës prosaike dhe nuk u vë veshin shumë kërkesave të jetës së përditshme.

I kredhur në mendimet e tij prej bohemi lakmues të një ekzistence jo të kufizuar po sadopak më të lirë, ku mund të derdhë pa shtrëngim ndjenjat e tij prej punonjësi të papërtuar të penës dhe të kristalizojë dëshirat e tij prej të riu inteligjent me shpirt artistik, vjen një moment dhe e sheh qëndrimin e tij në Qytetin-Dritë të padobishëm. Kjo e rëndon fort në shpirt, aq sa filloi të urrejë ambientin dhe t’i shkojë në mëndje t’i largohej Parisit…, me mendimin ndoshta, të gjejë mënyrën si të përmbushë më së miri dëshi¬rën e tij për të qënë më i lirë e të mundë t’i jipet më shumë talentit të tij intelektual.

Nën këtë pra përshtypje dhe për të ndërruar sado pak horizontin e rëndë të qiellit rembajtës të Parisit, bën një udhëtim e shkon në qytetin e Saint Etien-it aty nga vjeshta e 1925-ës. Aty takon një mori bashkëatdhetarësh që dhe ata, të shtrënguar varfërie në vendlindje, të pa zot asokohe, kanë ardhur aty, janë futur nëpër miniera të atij baseni dhe punojnë si skllevër të vërtetë, për një kafshatë bukë, në një thellësi prej më se një mijë metrash për të nxjerrë qymyrin, atë gjak të zi pa të cilin s’ka se si të shkojë mbarë jeta e një shteti, qoftë ky i madh a i pasur në çdo gjë që natyra mund t’i ketë falur.

Pritet mirë nga patriotët që e duan dhe e përkrahin duke e rre¬thuar me një simpati dhe dashuri, ashtu siç u ka hije dhe siç ndodh në shtegëtinë kur bën vaki të takohen mbas një kohe shumë a pak të gjatë, dy a më shumë bashkëvendas!

Neçua në Saint Etien nuk kërkoi të prarojë gjëndjen ekonomike të vështirë duke u marrë me ndonjë punë manuale në ndonjë nga ndërmarrjet e shumta industriale të atij qyteti, mirë të zhvilluar në pikëpamje industrializimi. Shpërblimi që do mund të mirrte nuk do qe në lartësinë e duhur që t’i përmbushte kushtet e rënda te jetesës pa të ardhura të forta që pati jetuar gjer atëherë. Qëndroi aty pra një kohë po thuaj të shkurtër dhe u rikthye në Paris dhe u instalua përsëri në atë hotel ku pati qëndruar në periudhën e parë dhe ku rastisi të gjejë edhe një herë dhomën e tij të parë të lirë.

Po, kish parë në Saint Etien shumë gjëra dhe sende, kish njohur njerëz, kish studiuar rrethanat dhe, i kthyer në Paris, vihet pas zakonit të përshkruajë në vjershërime përshtypjet e tij në 34 strofa dhe ato tetë rrokëshe, dhe fillon:

Dreqi me hyj bashkuar

Një fat i pa mëshirë

Më thanë shko në Sentetje…

aty do shoç të mirë!

…Dhe shkova, pash’ dhe ika,

Se lumëni s’të gjeta

Po vallë dhe fatit tim

…Do i ndërrohet fleta?

Me një satirizëm fort të goditur në vjershë shkruan për një mble¬dhje që patën bërë bashkëvendasit e tij të Sentetjenit më parë se ky të shkojë atje e të mësojë hollësitë. Është karakteristike në të, se gjatë asaj mbledhjeje, në vend që të dalë një përmbarim i mbarë, ashtu siç kish pasë qënë edhe qëllimi i saj, rezultoi se u bë një e madhe gjullurdi në të (siç ndodh shpesh herë. J.P.) dhe u bë një përtrazim sa që nuk e njihte qeni të zonë! Për të mos zënë filli përsonat që u grindën dhe bënë që mbledhja të dështojë, Neçua i emëron të gjithë duke iu ngjitur nga një gërmë të alfabetit (grek. J.P.) për secilin.! Këtë vjershë satirike më pëlqeu ta jepja këtu në përkthim shqip, mbasi jam përpjekur, sa munda, të mos largohem shumë nga kuptimi i orgjinalit dhe të mos i mungojë kripa që autori pati dashë t’i hedhë esencës dhe kuptimit të saj.

Ja pra, mban titullin “Babillonia A-O” dhe figuron si një dialog midis dy përsonazheve simbolike të Ksifterit dhe të Bambumit, personazhe që ka krijuar vetë autori qysh shpejt, që në kohën që pregatiste në Pire numërin e Estradës… “ Ta Pamfaliria” në vitin 1923.

Thotë pra:

… Kur në Sentetjen kam shkuar

Dëgjova ca historira

Se kështu po bën zakoni

Në çdo farë shtegëtira.

Më parë se ta filloj

Po ta them s’do marrish vesh

Asnjë sqarim s’të jap

Në daç qaj a në daç qesh !

Vjet nga muaji Qershor

Desh të bëjnë një bashkim

Nga mish-mashi që aty ndodhi

Ndarje pastë emërim.

Mbledhja u prish pa shkak

Për të Çelos mustaqe

Mos e martë njeri vesh

Se s’do kemi sy e faqe !

Tani prap’ kanë filluar

Pa mbarim të bisedojnë

Në dy muaj s’doli zgjidhje

Thash’ e thënë plot vazhdojnë.

Një të djelë, siç më thanë

Qenë mbledhur në aheng

Jipte mirrte kënga Shqipe

Për Hamit kokë levend !

S’është punë, thotë Alfa

Kështu, sikur ça me pique

Kur një grup fillon më tejë

“As ja marrim, një çikë”…

Çfarë ke, e pyet Vita

Që gërrthet i pezmatuar ?

Unë punën e di mirë

Fill për pe më është treguar

Ku di ti, more derëbardhë,

Si me tallje i flet Gama,

Që bashkimi doli ndarje

Ta thom unë kështu grama !

Të më falësh shok i mirë,

Bujarisht i kthehet Delta,

Un’ ju vura asaj pune

Dhe një zgjidhjeje ja, e gjeta!

Ti nje zgjidhije ke gjetë,

Na rrembehet Ypsilloni,

Këtë pun’ ua them unë

S’e zgjedh vete as Sollomoni !

Ke gabim, i thotë Zita,

Siç po thomi, ku do vemi ?

Si s’u bë në kaq kohë

Unioni, melehemi ?

………………………………..1

Në përkthimin e përshtatjes që bëmë nga gjuha greke në gjuhen tonë, patëm kujdes që të mos largoheshim shumë nga esenca e orgjinalit dhe mendojmë se i kemi arritur mjaft mirë qëllimit, ndonëse diku-diku, për vetë pengesën që paraqet kurdoherë hedhja nga një gjuhë në një tjetër, duket sikur është ndryshuar pak kuptimi i ndonjë strofe!

Po siç përmendëm edhe më lart, Necua nuk qëndron gjatë në Saint Etjen dhe kthehet serish në Paris, ku vetë kërkesat e jetës e bëjnë të ndjejë në shpirt një “spleen” akoma më të theksuar nga më parë.

Fillon të merret në punë të axhustatorit në një ndërmarrje dhe vazhdon disa muaj e kështu u bën ballë deri diku kërkesave imediate të të jetuarit, po në të vërtetë vazhdon pa u lodhur punën e penës dhe rri çdo mbremje vonë të hedhë në kartë mendimet e ditës a përshtypjet që grumbullon nga jeta, nga puna, nga ambjenti.

Është fort i dekurajuar dhe nuk e pështjell problemi i punës manuale që e rëndon fort dhe e bën të shohë vetëm anën negative të jetës në shtegëtim, pa u thelluar e të shohë se në çdo të keqe fshihet edhe një e mirë dhe në çdo medalje gjenden dy faqe. I bindur se shpresat e tij të djalërisë janë përgënjeshtruar, nuk reagon po e lë veten ta mundin bezditë e jetës së përditshme dhe mërzitja e idesë fikse se kurbeti nuk do t’i japë kurrë dhe asnjëherë lumturinë!

I rënduar pra nga kjo ide, vendos që t’i largohet përgjithmonë ambientit bezdisës të shtegëtisë, hidhërimin e të cilës e ka kënduar dhe të kërkojë mos gjëkundi në ndonjë vend i kthehet rrota e fatit të tij për të cilin ankohet fort nëpër krijimet e tij dhe të arrijë të shohë edhe ai, ditë të bardha e jetë të lumtur.

I pëlqen të shohë përsëri atdheun për të cilin e ka marrë malli shumë dhe me qëllim që t’i afrohet e të gjejë gjetkë diçka të mirë, interesohet e pajtohet si mekanik në një anije transporti greke dhe me kënaqësi i largohet Parisit ku, siç thotë, nuk pati gjetur veçse hidhërime dhe bezdi mbytëse.

Para se t’i ndahet ambientit po edhe shokëve gjithashtu dhe jo i lumtur, duke marrë me vete kujtimin e Qytetit-Dritë, kompozon një këngë vençe që po e radhisim më poshtë:

O Paris haj medet

O Paris me drita shumë

Iki e të lë shëndet

O Paris, o lumë, o lumë!

Më ke vrar’ e më ke tretë

O Paris i mallkuar

Qytet-dritë je vërtet

Po sa fort më ke rënduar !

Iki të punoj në det

Në Mesdhenë e dallgëzuar

Po….sido që të më jetë

S’do të rri pa të kujtuar

Det’ i Meditrranesë

Këtë radhë më pështjell

Det’ i trubullt i pabesë

Kush din vallë ç’do më sjellë?

Siç shohim këtu, i ziu Neço shpreh në këto vargje dhe gëzimin që i largohet qytetit me drita shumë, që e pati rënduar aq fort, po dhe nuk mungon ta mburrë për dritat e shumta që i patën dhënë emërin Qytet-Dritë po dhe në të, sikundër shfaqet një hije apreansioni për ditët e ardhme se niset të punojë në det dhe ky det është Mesdheu i dallgëzuar, i cili hë për hë e angazhon dhe i premton ndoshta, po është i pabesë dhe i turbullt. Sidomos më shumë vargu i fundit shfaq qartë mos sigurinë që ai ka për ditët me tutje se nuk është, si thotë, i sigurtë se çdo sjellë ai më pas!

Nuk mungon ta sigurojë se, ngado që të shkojë, nuk rri pa e kujtuar dhe këtu mund të shohim sa me keqardhje duket se po i shqitet duke u larguar !

Mund të themi se Neçua e kish nuhatur mirë qysh më parë se jeta e detit mund të mos i sillte lumturinë që ai e kërkonte për t’u qetësuar shpirtërisht, se qysh në udhëtimin e parë të anijes nga Marseji për në Pire, bëri kaq kohë e keqe në det sa ky i pazakonuar me jetën e detarit, ra i sëmurë fort dhe me të dalë në tokë, nuk pati kuarajo që të kthehej sërish në anije, e cila e bëri të kuptojë se nuk ishte bërë për një jetë marinari.!

Pas një qëndrimi të shkurtër në Pire, ku asgjë më prespektive nuk i dilte përpara, vendosi e u kthye në Atdhe dhe u instalua në qytetin e vogël të Sarandës. Kjo me 1926.

Në Sarandë çeli një copë dyqan të vogël për shitje vogëlsinash ku e ndjente veten të kënaqur e të kutënduar, jo aq nga fitimet, sigurisht të vogla që mund të bëheshin në atë kohë të prapambetur e në një qytet kaq të vogël siç ishte Saranda në kohën e viteve të Sulltanit Matjan, pronë vetjake e të cilit ishte aso kohe i gjithë qyteti. Më tepër Neçoja ndihej i kënaqur sepse e ndjente veten të lirë në çdo orë të natës dhe të ditës, jashtë nga koha sigurisht që ai ishte marrë me funksionet e tij si tregtar benevol në dyqanin e tij liliputian përpara tregëtive të rëndësishme që mbanin asokohe në Sarandë peshkaqenët me emër si V. Papa, Tonidhi, M. Llambro, M. Zhongo, Xh. Selfo, Bektesh Beu, Pollo, Janeta dhe ndonjë tjetër me popullor si Sp Marangozi, a simpatiku J. Dalera!

Po, Neçua u bë tregtar, ndërroi profil me okupacionet e tij, e neveriti dhe profesionin që i kish pasë kushtuar mjaft rëndë në kohë po dhe në mjete, po kurrë nuk harroi epshin e tij për penën dhe frymëzimet e tij për të shkruar vjersha dhe krijuar a kompozuar këngë të ndryshme me a pa muzikë. Me t’u ambientuar me rrethanat, u muar e organizoi një grup koral, shoqërinë “Miqtë e Dëfrimit” me emrin bulevardesk “PIF-PAF”, grup koral i cili do vinte në jetë ato që ai pa pushim shkruante, krijonte, kompozonte. Këtë radhë përdor gjuhën shqipe dhe, duke u marrë pa rreshtur me frymëzime dhe rrymëzime, përforcon talentin e tij, zgjeron horizontin dhe, nëse në Francë qan e vajton kurbetin me strofa prekëse, i dekurajuar dhe i bjerret fuqia shpirtërore, përkundrazi këtu rrëmbehet nga rryma e shoqërisë, nga vetë përmbajtja e këngëve që ngre vetë dhe i këndon me shokët e grupit dhe i konsakrohet me gjithë shpirt artit të tij.

Qënia e tij prej artisti gjen së fundi terrenin që i kish pasë munguar dhe, i shtyrë nga mendimi që krijimet e tij, këngët, dialogjet të mos humbisnin po të bëheshin me të njohura dhe të vazhdonin të rrëmbenin e të entusiazmojnë popullin, i shkon në mend që të hedhë në pllaka gramafoni e të regjistroje në ato këngët polifonike që pati krijuar, si: “Vajza e Valeve” ,”Doli hena”, “Llaj çoban”, “Mbeçë more shokë mbeçë” “910 viti”, “Moj Katina, nina nina”, “Vajza e Malit”, “Pabesa” e ndonjë tjetër. Po… i duhen të holla për të realizuar atë mendim dhe Neçua s’kishte kapital. Dhe duhej një sasi e mjaftë për të shkuar në Paris e të bëjë inçizimin e krijimeve të tij në ndonjë nga firmat inçizuese të atyshme.

Kjo pengesë e madhe mundi të kapercehej me ndihmën e atit të një shoku të tij të grupit koral, mecenatit K.H., i cili, për të kënaqur të birin Cacin, që ndodhej i sëmurë asokohe, u afrua të furnizojë kapi¬talet dhe kështu më 1929 niset Neçua për në Paris me një pjesë të vogël nga grupi koral. Aty i drejtohet Firmës “PATHE” dhe bën inçi¬zimin e disa këngëve si: “Shqipëria’, “Marika”, “Katina nina –nina” etj. Mbasi anëtarët e grupit që shkuan për incizim ishin të paktë, Ne¬çua që ish përgjegjësi, organizatori dhe shpirti si të themi i mbarë punës së ndërmarrë, sigurisht dhe për të bërë një punë të mirë dhe të dilte me sukses, kërkoi aty e gjeti në rrethet studenteske elementë si: DH R*., Ll. T*, K. J*, T. Tashkon* dhe T. Pal* të cilët, nën drejtim të tij, ekzekutuan këngë të caktuara dhe përmbushën rolet që ai u pati dhënë të kryejnë në pjesën që kish pregatitur!

Grupi u kthye në Sarandë me një sasi të mirë pllakash të inçizuara. I vuri në shitje dhe kështu doli edhe në Evropë kompleksi polifonik i këngës shqipe. Edhe në Shqiperi për të parën herë u dëgjuan zërat e këngës labe të dala nga diapazonet e gramofonave, aparate jo fort të përha¬pura akoma asokohe në vendin tonë, i cili kish ngelur shumë prapa të tjerëve, për hir të politikës kriminale të atyre që kish në krye.

Pllakat “Pathe” me këngët e incizuara në gjuhën shqipe me tonin labçe, ardhur në Sarandë, nuk vonuan të përhapen kudo në Shqipëri dhe zërat e grupit të “PIF-PAF”-it jehuan me çdo anë duke entusiaz¬muar ata që i dëgjonin. Dhe në të vërtetë s’ke ç’i thua melodisë patetike të këngës së “Llaj çobanit”, këngës rrëmbenjëse të “Sarandites”, arias prekëse të “Korçares së bukur”, fjalëve poetike dhe profetike të “Tira-na e kuqe”, vargjeve mallëngjyese e magjike të “Vajzës së Valë¬ve”, thurjes kaq të goditur të “Vajzës së malit”, te “Katina nina-nina”, të “Doli Hëna” e të kaq e kaq të tjerave që bënë epokë në dekadën e tretë të shekullit tonë, po që edhe sot kërkohen e këndohen me ma¬llëngjim.

Po veprimtaria e Neços nuk u step pas atij suksesi të merituar. Në dimër të vitit 1929 ngre një numër estrade me titull “OREA-FOR¬CA” që luhet në Sarandë, e cila korr shumë sukses se, në atë kohë obskurantizmi, ishte një gjë e rrallë që të organizohej shfaqje defrenjëse në një qytet të vogël siç ishte Saranda në ato vite. Shfaqja ishte e pasur me këngë, me dialogje plot tërheqje e humor, dalloheshin si aktorë kryesorë në ato numra vetë Neçua, organizatori i shfaqjeve po dhe krijuesi i numrave të saj që jepte tonin në çdo këngë vendi me zërin e tij karakteristik të kontr’altos. Ai me zërin e tij të dalluar metalik dhe trunor, u jepte këngëve disa variacione fort të lezetshme po që edhe të rrëmbenin!

Kujtimi i këtyre numrave të këndshëm është ende i gjallë tek ata sarandjotë që i patën parë dhe me mallengjim u përmendën se dhe nuk u bënë për një rast të vetëm më. Po megjithatë u bë zakon që në çdo ditë feste a me rastin e karnavaleve, përsëriteshin numra e këngë të ndryshme sepse gjithmonë pena e Neços s’rreshte të prodhojë. Dhe pas “Orea-Forca” lojti numërin “Marrëzia e përgjithshme” që nuk qe veçse me e pasuruar ndoshta nga ajo e para.

Më 1930, mbasi kontigjenti i pllakave të inçizuara ishte në një numër të vogël që nuk mund të kënaqte kërkesat që bëheshin nga çdo anë, po dhe një sasi e mirë këngësh e krijimesh të reja kishin dalë nga pena e të papërtuarit Neço, ky mendon që do ishte një gjë e mirë të bëhej përsëri një incizim tjetër që do të përmblidhte krijimet e reja që kish vënë në vijë si: këngë patriotike, dialogje komike, thurje humoristike që s’kish dyshim se do pëlqeheshin dhe do ngeleshin në mendje si ato të parat. Për këtë u vu të kërkojë e të gjejë një mecene të ri që do t’i ndihmonte në atë qëllim.

Dhe këtë radhë u gjet një i tillë i cili u afrua të vinte kapitalet e nevojshme