DIMËR
Ky dimër i përhimtë e mjegullorë
erdhi me poter’ e mbylli çdo shteg,
toka e kërrusur fshihet nën dëborë,
zjarri nëpër vatra pyllin e djeg.
Bardhësi polare, e ftohtë, e bukur,
vajtojnë lisat me krahë të prerë,
me jorgan akulli krojet strukur,
dridhen shelgjet përroit në humnerë.
Mbi oxhaqe tymi spiralet përdredh,
nga millet e shpatave dalin rapsoditë,
nga qielli ky dimër zemërimin po derdh,
ulen pranë zjarrit Gjergj Elez Alitë.
Zbarkojnë fjollat e borës dendur me nxitim,
nga larg e lehura e një qeni, tutje në mërgim.
