
Elena Gjika, princesha e dinastisë shqiptare Gjika
e prejardhur nga Përmeti, lindi në Bukuresht të Rumanisë më 22 janar 1828. E diplomuar në Berlin për letërsinë e vjetër greke ishte njëra nga dhjetë gratë më të fuqishme intelektuale të botës së asaj kohe.
Veprat e saj u shkruajtën në gjuhë të ndryshme të botës dhe njiheshin me emrin Dora d’Istria.
Ishte përkrahse e flaktë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe mbajti lidhje të ngushta me veprimtar
të shquar të kohës.
☆☆☆
UNAZA E QYTETËRIMIT
DORA D’ISTRIA-ELENA GJIKA
(Nga libri “Kuja e laureshës”)
Nga jugu me kaltërsi detesh e blerimesh,
Në veri ku malet përfalen me retë
Emri yt flakëron horizonte perëndimesh,
Rreze e artë e diellit për jetë.
Je pema me lule e pranverës së Naimit
Kënga me fustanellë që zbret ujëvarë,
Tufa me rreze të ndritura t’agimit
Në vargun e stolive, një margaritar.
I deshe kullat e bardha shqiptare
Në zemër pate lavdinë historike,
Nderove sofrat e zemrave bujare
U bëre tingull i lahutës kreshnike.
Mjegulla e viteve mbi supe t’ka rënë
Vepra jote krenare troket,
Në netët e gjata me yje e hënë
Zanë legjendash nëpër oda ke mbet.
Për çështjen kombëtare shqiptare luftove,
Për vendin tënd të origjinës princërore,
Nga shkreptima e ëndrrës së tokës u zgjove
Të thirrën rrënjët e tua arbërore.
Virtytet dhe zakonet shqiptare etnike
Të hapnin dyert e froneve të kohës,
Në deje i kishe, princesha fisnike
Flamur krenarie kancelarive t’Evropës.
I deshe këngët e mujit dhe Halilit
Në eposet heroike nëpër vite larg,
Nderove të rënët me fjalët e bilbilit
Mbi varrin e Marko Boçarit bajrak.
Luaneshë e dijes me penën ndriçove
Të priste Homeri “Iliadën” të përktheje,
Me Hektorin dhe Akilin u ule e bisedove
Sa shumë tradhëtinë e KALIT e urreje.
Të priste Evropa, për agimet ligjëroje
Rilindja, De Rada, tribunë e Kalabrisë,
Vjenës, Parisit, Berlinit i tregoje
DIELLI dhe LIRIA janë yjet e Shqipërisë.
Monument veprës tënde i skalite
Me dorën e mendjen e ndritur pishtar,
Mbi kulla e kështjella atë e ngrite
Me dafina kurorë e rreze dielli lar’.
Ambasadore e zjarrtë e popujve për liri
Shqipe flakadane përherë në fluturim,
E deshe Evropën me një peizazh të ri
Me unazë qytetërimi, Lindje-Perëndim.
Emblemë diturie dhe dritës shpërndar
Ovacion simfonie jeta jote,
Një yll i ndezur në qiellin shqiptar
“Nderi i Kombit”, me titull nëpër mote.
@feraset pezaku vladi
22/01/2016