EVROPË
(Nga libri “Kuja e laureshës”).
Jo,
Si era që loz me gjethet
Me copëzat e hënës mbi krela valësh,
Mos luaj me vragat e mia,
Me kujtesën time!
Unë nuk jam dele e Perëndisë
Ti e di,
Shpirtin e kam të thellë
Më të thellë se gjatësia e shekujve
Mbi këto male,
Mbi këto brigje
Që janë dhe tuat
Evropë,
Se ti je unë, unë jam ti
Që kur bota u krijua nga reja e pluhurit.
S’mund t’i largohemi njëra-tjetrës
Që t’i zvogëlohemi njëra-tjetrës
Të bëhemi të padukshëm
Si kafshim hijesh.
Fati na bashkoi në një dhé,
Me një emër:
Evropë,
Me një brendi
Shpirtin ushqyem me fjalët
Liri-Demokraci.
Unë e kam shpirtin e madh
Hyjnë ëndrrat e s’dalin më,
Ato jetojnë në çdo bisk ylli,
Në çdo gjethe e lule jete,
Në çdo dredhëz të kuqe pylli,
Atyre, në shpirtin tim
Nuk u soset etja e uria,
As lodhja e durimi.
Në jam brenga jote
Lëre të bulurojë me këngë
Lumi i shpresave të mia!
Hiqja kombit tim hallet,
Shenjat absurde
Të zotave të vdekur,
Krasitja kalvaret,
Shtoja këngët,
Hiqja detit gardhet!
Lirisht ajrin tonë të marrim
Në këtë hapësirë gjeografike
Ku gjakun e bëmë kroje
Zoti na i dha troje.
Feraset Pezaku Vladi
