Feraset Pezaku Vladi:Mos më kërko*


Feraset Pezaku Vladi

Mos më kërko*

Mos më kërko më si Orfeu

I thithur nga gjaku,

Ngjyrosur nga Zoti!

U ktheva në folezën e qytetit tim

Shtrirë si luan në bregun e sirenave,

Rrethuar me pyll të dendur pishnajash

Ku deti kundërmon në fytyrë

Qiellin e kripur,

Të thur gërshetin e ëndrrave

Lënë përgjysëm,

Qëndisur me argjendin e hënës,

Larë me lotin e diellit

Agimeve verore

Kur çelin të gjitha dashuritë

Strehuar në fole engjëjsh.

Profetët e gjelbërimit derdhin aromat

Përzier me freski valësh dhe jodi,

Duke shtërnguar sigurinë e stinës

Më thonë të bie në gjunjë para detit

Në formën e një lutje,

Në formën e një puthje

Si Afërdita

Pasi përktheu gjuhën e dashurisë.

Nuk di qëkur të kam dashur?!

Ndoshta,

Që dymijë vjet më parë…

Kur fryma dridhej etjes së lashtë

Pa ndryshuar inerci.

Nuk varej nga unë,

Ishte hyjnore.

Tani

Që dhimbja çan qiellin,

Koha si një magjistare e regjur

Do e gërryej çdo ditë

Me flatrat e saj të ashpra,

Lotët e strehuar do t’i flakë tutje

Nëpër shi netësh.

Ishte bekim perëndie,

Ekzistencë

Në ambiguitetin e reales,

Violinë që ngriti duna tingujsh mbi ré

Që ushqejnë engjëjt.

About Post Author