Feraset Pezaku Vladi
(Nga libri “Hajdutja e natës”).
Flokët e thinjur ballit të bien
lagur nga shirat me dufe stuhie,
arenë tingujsh të punës e këngës,
në gisht unazën e kodrave me yje.
Në duart e mia i gjelbërt je ulur,
ndonëse shpinën ta ktheva një moti,
një bisk të trupit tek ti e lashë,
malli vjen e zbret parashutë loti.
Prej teje mora thesare suveniresh,
emblemën e thurur me trokëllimë ëndrrash,
dy fjongo zambaku në gërshetat e gjatë,
verën dhe dimrin me rrahje zemrash.
Këputa trëndafilat mbjell në kopshtie,
të mora një copëz dhimbje qiellit gri,
dy grushta diell dhe hije i mora,
rrënjën e thjeshtësisë ku sython ti.
Mora kostumin e fjalës qiell pa arna,
piva e etur gurrën e bujarisë,
një tufëz gruri pjekur nga zhegu yt,
gu-gutë e pëllumbave në pullaze shtëpishë.
Tatuazh në zemër nga ti unë mora
dhimbjen e shpirtit për një lot skamje,
nderimin në kortezhe e të tjera mora,
një rrëfenjë dimri mëngjese e mbrëmje.
Feraset Pezaku Vladi
