Feraset Pezaku Vladi
Shpata

(Nga libri “Kuja e Laureshës”).
Lulëkuqja në fusha për ty këndon,
zambaku mbi shkrepa e vala mbi valë,
këndojnë Torviollet e përvëluara
ortek i shpirtit të ndezur pandalë.
Përvëlonte etja e tretur këngëve
kish mbetur si fjalë e artë hyjnore,
ishte një yll i qiellit të ndezur,
një copë e tokës Arbërore.
Në shekuj e tretur, një këngë e heshtur,
si yll mënjesi një vjeshte fluturoi
buzë një qielli, një reje, një mali,
zbriti me mallin e artë ku luftoi.
Zbriten dhe malet me sy ta preknin,
erdhën dhe fushat me flokët zverdhuar,
përkulen para saj, simbolit madhështisë
në flakë betejash kalitur, temperuar.
Në Belveder shkrihet shpata me legjendën,
sikur Gjergjin mes betejash e pamë,
si Luan Sfetigradit djegur nga topat,
Vajkalin e mbushur me osmanë të vrarë.
Dora prej lisi e shpata në një zemër
në një shkëmb lirie, djegur përvëluar,
të dyja një këngë në lot ére legjende,
gishti dhe unaza e flamurit kuqëluar.