Feraset Pezaku Vladi:Syri i kaltër
(Nga libri “Kuja e laureshës”)
S’e di kur e hape qerpikun
Shekuj a lashtësi,
Me lahutë këngën e përhënur zgjove
Veshur me fustanellë, derdhur në kaltërsi!
Sa sy ranë pré në krelat e valëve,
Sa fjalë u mekën në buzë cicëronësh,
Sa habi janë tretur në erë portokallesh!
Kush erdhi tek ti, të pa e nuk iku i etur
Nga magjia e bukurisë mbetur!
Perlë e ndezur mes xixash të arta
Sofër bujare brigjeve të Sarandës,
Yjet zbresin e buzët lagin
Nga ti marrin dritën e natës.
Para teje dridhet dora piktorit e poetit,
Tek ngjyra e kobaltit derdhet fllad ylberi,
Gdhendesh nëpër vargje e piktura
Me poetikën e shpirtit të Homerit.
Je monument i natyrës,
diamanti kristal i kthjelltësive,
Zilia e qiellit dhe e detit,
Unaza me pesë yje koleksionit të mbretit.
Je djepi i netëve ku përkundet hëna
Bujaria hyjnore e tokës,
Gurra e syve blu
Dhuruar Helenave të botës.
