Duke udhëtuar në “Rrugën e Kombit” përgjatë lumit Mat, shihet ura madhështore e Matit, që koha e pagëzoi me emrin e mbretit duke e quajtur ura e Zogut.
Vepra u ndërtua në vitet 1926 -1927 dhe u përurua
më 26 maj 1927. Në projektimin e saj u angazhua një prej themeluesve dhe personaliteteve më të shquara inxhinierike evropiane të fushës së betonarmésë, profesori gjerman, Emil Morsch (1872-1950).
Projekti u përgatit nga Morsch në Shtutgard të Gjermanisë dhe u përfundua prej tij në maj të 1926. Gjithashtu për realizimin e një pjese të projektit të kësaj ure u angazhua dhe inxhinjeri i shquar zvicerrjan, 30 vjeçari Erwin Schnitter (1897-1980), ndërsa zbatimi i projektit ju besua inxhinierit të ri shqiptar, Prof. Gjovalin Gjadrit nga Shkodra(1889 -1974) i cili ishte diplomuar në Vienë të Austrisë me rezultate të shkëlqyera. Dosja e plotë e projektit gjendet në arkivin qëndror teknik të ndërtimit në Tiranë. Ishte investimi më i madh publik i Ministrisë së Punëve Botore të drejtuar nga ish studenti i “Robert College” të Stambollit, Musa Juka. Gara për ndërtimin e saj u bë me tender të hapur dhe fituese qe firma italiane Mazorana & Co.
Në gjendjen aktuale ura ka pesë harqe, por sikurse paraqitet edhe në një skicë teknike të vitit 1940 që ruhet në Arkivin Qëndror të Ndërtimit, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore ajo ka pasur gjashtë harqe, njeri prej të cilëve u shkatërrua përgjatë luftës dhe pas përfundimit të saj u zëvendësua me një strukturë tip-tra. Ura është 500 m. e gjatë dhe ka pesë harqe, secili hark është 54 m. Është një konstuksion solid beton-armeje që i ka rezistuar për afro një shekull vërshimeve të rrëmbyeshëm të lumit Mat. Për kohën konsiderohej nga urat më të bukura të Ballkanit.
Ura të tilla në gjuhën inxhinierike futen në vepra arti.
Dhe në vitin 1999, për vlerat e saj të shumanshme,
Ura e Matit u shpall zyrtarisht monument kulture në vendin tonë.
☆☆☆
URA ME HARQE
Në dy brigje lumi me valët mbështjell,
Në dy shpate malesh si hënëza larton,
Në trupin skalitur harqet hedh mantel,
Nga mali në mal karvane jete bashkon.
Poshtë, lumi rrjedh me valët shkumuar
Luginës pjellore me kolorin e rrall’,
Një copëz bukurie e hartës bekuar,
Me ujë, diell, grurë, me shelqe e zall.
Kur vellon ta hoqën pushka hodhi zënë,
U ndez lugina me të vetmen krenari,
I pari medaljon atdheut gjoksit vënë
Në trupin leckosur nga një mbretëri.
Kaluan mbi ty këngë e vaje mortore,
Kalorës pushtetarë e popull i rrënuar,
Kaloi aty nëntoka jonë mrekullore,
Pasuri e artë, ditë e natë ngarkuar.
Karvane mizorish’ me tanke na ndoqën,
Balozë përtej detesh veshur në hekur,
Aty poshtë teje të gjithë u shkërmoqën
Nën këmbët e betonta, copash kanë mbetur.
Nën harqet ylbere kaluan dhe zakone,
Kanune e dasma, nuse me duvakë,
Veshur me relike, mbjellur nga mesjeta,
Gjëmonin pushkët e zakonit anadollak.
Psherëtima vitesh çelur tek kjo urë,
Këngë e buzëqeshje, shpresë në largësi,
Dallëndyshe ishe për vrapin tonë dikur,
Arterie u bëre, mbetur histori.
Me shirat e vjeshtës ti lagesh e tretesh,
Era e luginës trupin t’akullon,
Një fletë historie dhe ti do të mbetesh
Ndër breza mbi valë do jetosh gjithmon’.
@feraset pezaku vladi
