Ferri prej porcelani nga Arjan Rama


Jemi të mërzitur në parajsën e mjerimit tonë, secili sipas mënyrës së tij. Paradoksi është se nuk jemi të mërzitur me ndarjen e pabarabartë të pasurisë (zbulimi më i madh shkencor i utopisë komuniste), por me ndarjen e pabarabartë të mjerimit. Është e padrejtë që shqiptari i varfër të mbajë mbi shpatulla, pjesën “më të vogël” të mjerimit që quhet “lufta për mbijetesë” ose ” lufta për bukën e gojës”, edhe pse ai është mësuar me të si me leshin e palarë të bagëtive që të mbron nga ftohmat, alergjitë dhe reumatizma e botës moderne. Po aq e padrejtë është që shqiptari i pasur të mbajë mbi shpatulla të gjithë pjesën tjetër të mjerimit që quhet “lufta për të grabitur çdo gjë” ose “lufta për luksin”, edhe pse ai nuk është mësuar me të si me një “robe de chambre”, mantel prej mëndafshi që nuk të mbron dot as nga lakuriqësia e trupit tënd. Që të mos zgjatem, jemi shumë të mërzitur dhe kur njeriu është shumë i mërzitur me parajsën e tij, ai kërkon diçka tjetër, diçka të ndryshme, diçka në kahjen tjetër, diçka tejet joshëse dhe të rrezikshme, por ajo çfarë është në anën tjetër, siç e dimë të gjithë, është ferri. Shqiptarët janë njerëz të lexuar dhe pavarësisht faktit se kanë jetuar në ferrin komunist, nuk çmënden pas ferrit të përsosur të Dantes, nuk kanë asnjë interes për madhështinë epike të alegorisë së tij, bile, ata bëhen skeptikë kur është fjala për të argumentuar disa thënie të poetit të madh si p.sh.”djajtë e mi nuk janë aq të zinj sa pikturohen” apo” “në vendet më të nxehta të ferrit tim shkojnë të parët, ata që në kohë krizash morale strehohen në asnjanësinë e tyre.” A mund të besohet ky njeri? Kështu, ne, populli i të mërziturve e kuptojmë fare mirë se nuk kemi zgjedhje tjetër veç ferrit, por…, por këtu ndalojmë pak. Ndalojmë sepse kanë rrjedhur shumë ujra, kanë fryrë shumë erëra që nga koha e Skënderbeut të Kastriotëve. Ndalojmë sepse janë mashtruar, keqpërdorur, dënuar, burgosur, madje edhe vrarë, por edhe idealizuar politikisht si dëshmi të forcës primitive të racës tonë, shumë oxhaqe, emblema, tituj fisnikësh para të cilëve do të përkulej me respekt edhe Don Kishoti i Servantesit. Çuditërisht, dhe jo vetëm, epoka e heroit tonë legjendar na kujton zulmën kordhëtare të arbërit në mbrojtje të Krishtërimit, dhe diçka tjetër gati përrallore që shoqëronte luftën, dhe kush paska qenë ajo? Paqja, paqja, por jo ajo e negociatave, dekreteve, aleancave, gjëmimit protokollar të topave, krushqive, shkëmbimeve të robërve, por paqja e ftohtë, dhe e vëngërt e porcelanit aristokratik të set-eve të çajit, të kafesë, të ibrikëve, të kupave me sheqer, të rafinimit të kornizave, të ornamenteve idilikë, të statuetave, të korridoreve, të kthinave, të qelave, të galerive të artit të besimit dhe të selive private të realitetit të mosbesimit. Me pak imagjinatë mund të përfytyrojmë se si heroi ynë edhe pse i mësuar me luksin osman, ka mbetur i habitur nga obsesioni mbretëror evropian, dhe ndoshta apostolik për porcelanin, nga adhurimi i kësaj lënde verbuese që e mbajti në shpinë Marko Polo, nga befasia e tij e lëmuar, bardhësia e tejdukshme, pastërtia, eleganca, qëndrueshmëria, thjeshtësia, joshja, ekstaza, përsosmëria. Mund të hamendësojmë se heroi ynë legjendar duhet të ketë qenë i pushtuar nga zilia për këtë realitet luksoz që nuk binte era, epsh, djersë, zift, dhe gjak sikurse edhe nga frika dyshuese ndaj tij, gjithsesi dinak në bukurinë e tij shteruese. Zili dhe frikë, saktësisht portreti i ferrit modern që ne, të mërziturit, sapo e rigjetëm tek Evropa, tani, mbas qindra vitesh harresë, por në formën e një ferri prej porcelani. Aty duam të shkojmë përsëri, me çdo kusht dhe sakrificë, duke flakur tej tiparet dalluese të racës tonë që sot e kësaj dite ia vjedhin gjerdanët e legjendave për të zbukuruar qafën e rrjepur të kohës historike duke filluar nga fqinjët tanë e më tej, dhe që duket se na pengojnë të ecim dhe të sillemi “siç duhet” në ftohtësinë vezulluese të gjeostrategjive prej porcelani dhe në nxehtësinë e kushtëzuar të negociatave prej porcelani.