Festa e fisit Methasani-Nga Halil Rama


Nga Halil Rama – Mjeshtër i Madh

Më të rinjtë pjesëmarrës në festën e fisit Mathasani, krenohen dhe dëgjojnë me vëmendje e interes të veçantë fjalën e xhaxhi Shuaipit, intelektualit që mishëron virtytet më të mira njerëzore: zgjuarsinë, mençurinë, fisnikërinë, dashurinë njerëzore, sinqeritetin, drejtësinë, solidaritetin, moralin e lartë dhe shpirtin human si fondamente kyçe të shoqërisë sonë.

    Gjashtë Maj, ditëlindja e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Dita e shënuar e festës pagane të Shëngjeregjit, në Sododoll të Dibrës ka edhe një emër tjetër: “Festa e Fisit Methasani”.

    Sa bukur tingëllon ky togfjalësh!

    Sot, kur shumë fshatra, dhe pse jo edhe qytete provinciale përjetojnë dramën e tmerrshme të shpopullimit e të braktisjes nga bijtë e bijat e tyre, sohodollasit e Dibrës po ringjallin traditën.

    Nëse në Dibër njihet tashmë si institucion “Dita e Maqellarës”, kjo e Fisit Methasani të Sohodollit ka konetacion të veçantë. Konetacioni i besës së dhënë për të ruajtur e  trashëguar traditat e të parëve nga rikthimi (të paktën një herë në vit) në dhéun e të parëve.

    Mbi 100 djem e burra të këtij fisi emërndritur, për të dytin vit mblidhen me 6 Maj në vendlindjen e tyre, fshatin Sohodoll; vijnë këtu nga Tirana dhe shumë qytete të Shqipërisë, por dhe shtete të Europës në “Festën e fisit Methasani”. Ata bëhen bashkë për herë të dytë, në vendin e të parëve të tyre, në Sohodoll të Dibrës, në kompleksin sportiv dhe turistik “Methasani”. Dhe siç shprehet Dëfrim Methasani, një nga iniciuesit e kësaj feste (që si mjeshtër i moderimit dhe i dokumentarit televiziv është bërë i mirënjohur, jo vetëm brenda teritorit kufitar shqiptar, por edhe në hapësirën mbarëshqiptare në botë): “Pjata ishte objekti më pa vlerë këtë 6 Maj, sepse secili nga pjesëmarrësit, bij të këtij fisi u ngop shpirtërisht”.

    Ky solidaritet vëllazëror, që u përsërit për të dytën herë këtë vit, është përgjigja dhe mesazhi më optimist që japin bijtë e këtij fisi me kulturë dhe pjekuri shpirtërore, në këtë kohë kur shpopullimi dhe braktisja e vendlindjes, po merr përmasa të frikshme.

    Ringjallja prej tyre e traditës, e kësaj kulture, ka si lajtmotiv ringjalljen shpirtërore në këtë fshat që i ka dhënë Dibrës dhe kombit personalitete me kontribute dhe rrezatim mbarëkombëtar.

    Më i moshuari prej tyre, 89 vjeçari Shuaip Methasani është padyshimm më i lumturi ndër brezat e këtij fisi. Ndoshta edhe për faktin se vetëm disa kilometra, në Sinën matanë Drinit, bashkëpatriotët dibranë, çdo 6 Maj festojnë ditëlindjen e kryetrimit Skënderbe, origjina dibrane e të cilit tashmë është e dokumentuar nga studjuesi dhe shkrimtari i mirnjohur Fatos Daci dhe e legjitimuar nga autoritete zyrtare turke,  bën krenar  çdo dibran… 

    Më të rinjtë pjesëmarrës në festën e fisit Mathasani, krenohen dhe dëgjojnë me vëmendje e interes të veçantë fjalën e xhaxhi Shuaipit, intelektualit që mishëron virtytet më të mira njerëzore: zgjuarsinë, mençurinë, fisnikërinë, dashurinë njerëzore, sinqeritetin, drejtësinë, solidaritetin, moralin e lartë dhe shpirtin human si fondamente kyçe të shoqërisë sonë. Dhe të gjitha këto virtyte ai i përçon më së miri edhe në takimin e pasardhësve në këtë festë të veçantë. Kjo edhe për faktin se xhaxhi Shuaip, mban mend dhe rrëfen këndshëm origjinën e fisit, por edhe ngjarje historike si dhe  shumë detaje nga Lufta e Dytë Botërore. Ai nuk luftoi vetë, sepse ishte 6-7 vjeç kur lufta mbaroi. Por kishte familjarë të përfshirë në të. 

    Ka qenë fare i vogël, por e ka të ngulitur në kujtesë pushtimin fashist të vendit më 1939 dhe reagimin e tij prej fëmije të inatosur nga ky pushtim i egër. “Ishte prill 1939. E mbaj mend mirë kur erdhën italianët me makina e mushka të mëdha me artileri; kaluan lagjen tonë dhe dolën në vreshtat nën varre të lagjes Skëndere, vendosën çadrat e ushtrisë… ndërsa ne afroheshim ashtu si fëmijët që duan të shikojnë çdo gjë…”. Më tej kujton thirrjen e tyre italisht atëhere: “e picoli, vieni qua, vieni qua…” ndërsa vetë Shuaipi e shokët e tij të fëmijërisë, Imeri, Piaziti, Zaimi, Cena, Hakiu etj, u afroheshin italianëve, e ata nxirrnin mallin e njerëzve të tyre që kishin në familjet e veta….

    Më shumë viktima ka bërë gjermani, italiani jo shumë, – thotë ai. Dhe tregon me dhimbje se si një nga motrat e tij humbi jetën nga trauma që pësoi kur gjermanët tentuan t’i digjnin shtëpinë në Dibër, kur vëllai i madh doli partizan.

    “Erdhën me 2 bidonë me benzinë për të djegur shtëpinë tonë. Fat që një komshi dinte italisht dhe i tha që nuk ishim familje komunistësh. Kisha një motër 4 vjeçe në oborr dhe ata i afroheshin me gryka automatiku. Që aty e mori sëmundjen dhe pas 4 ditësh vdiq”, tha ai. 

    Nëse në “tavolinën e dibranëve” në një lokal pranë shtëpisë së tij në Tiranë, Shuaipi ka ende bashkëmoshatarë për të diskutuar ngjaje të Luftës së dytë Botërore, këtu në “Festën e fisit Methasani” në vendlindje, ai ndjehet më krenar se kurrë teksa flet për ngjarje jetësore mbresëlënëse dhe që arriti t’í tregojë ato edhe në këtë vit jubilar të 80-vjetorit të çlirimit të atdheut nga okupatori nazifashist. Por edhe më i gëzuar e i lumtur ndjehet ai kur sheh e dëgjon pasardhësit në këtë festë të magjishme të këndojnë, kërcejnë, të flasin në mikrofon e të japin mesazhe njerëzore. 

    Dhe ka të drejtë, i biri Defrimi, të shprehet se: “Në fund të fundit kjo është jeta, jeta që duam dhe që duhet të jetojmë. Krenarë për fisin që i përkas, që edhe pse shkruhet Methasani me “t” dhe “h” bashkë, lexohet veç si Bethoven, pra jo “th”, por “t” dhe “h”. Edhe për disa arsye të tjera ai ndihet krenar. Sepse nga fisi nuk ka askënd në burg, askënd në asistencë sociale dhe askënd në hasmëri… 

    Kjo e hënë e 6 Majit 2024 këtu në Sohodollin rrëzë Korabit kreshnik e hijerëndë do të mbahet mend gjatë. Erdhën dhe djemtë e kurbetit, të cilët e ndezën atmosferën. Bënë video, fotografi dhe gjithçka për të mbetur në histori. 

    Dhe të gjithë ndjehen të lumtur e krenarë që u bënë bashkë, nga nipi i Evlatit 1 vjeç, deri te Shuaip Methasani 89 vjeç. 

    Avni Methasani, u dekorua nga “Methasani Event”, sepse ka meritën e organizimit, ashtu siç u vlerësuan nga drejtuesi i këtij forumi, Mjeshtri i Madh Defrim Methasani,  djemtë dhe burrat e fisit që u lodhën këto ditë, Atliu, Meleqi, Liridoni, Evlati, Genci dhe djemtë e tjerë. Vërtet u lodhën pak, por lumturia secilin prej tyre i bëri ta harrojnë lodhjen. Festa zgjati shumë dhe problemi i vetëm ishte që nuk donim të mbyllej. Gjithsesi ia dolën dhe u ndanë për tu ribashkuar sërish. 

    “Këtë vit ishim mbi 100, ndërsa vitin tjetër uroj më shumë se kaq. Festa e gëzime paçim. Shembulli i mirë, duhet të nis gjithnjë nga vetja…! Faleminderit të gjithëve! 

    Faleminderit edhe ty Artur Xhediku djali i Sohodollit për fotot! Uroj që 6 maj i 2025 të na ribashkoj sërish në festën e bukur të fisit… 

    Zoti ju bekoftë të gjithëve”, – e mbyll statusin e tij në facebook gazetari, moderatori dhe promotori i njohur, “Qytetar Nderi i Dibrës” dhe “Mjeshtër i Madh”, Defrim Methasani.