” Festa e Ishmit”-Nga Agim Lika

Nga Agim Lika

” FESTA E ISHMIT”

Unë jam ishmak, jo vetëm me emër, por edhe me zemër, të cilën e kam aty ku janë rrënjët e të parëve tanë, ku historia e saj është si kështjellë në historigrafnë shqiptare dhe e cila ka nevojë të zbardhet. Ishmi, me 10 fshatrat e tij si kurorë, nga më të bukurat në Shqipëri, krenohet me dy kala: në Kep të Rodonit dhe në Ishëm, me kishën e Shënandout të Rodonit, me Kishën e Shënkollit, në Bizë, me Bazilkën e Gjuricaj etj. Me një vijë bregdetare dhe me plazhe të mrekullueshme dhe të virgjëra, më në fund po merr vëmendjen që meriton. Madhështia e tij na bën krenarë që jemi ishmakë dhe krenarë që e vizitojnë turistë jo vetëm nga e gjithë Shqipëria, por dhe nga bota. 22 gusht 2025. Ishmi, si asnjëherë më parë, është zbukuruar hijshëm, për festën e tij. Njerëzit, të ardhur nga të gjitha anët, afroheshin drejt kalasë mesjetare, ku do të zvillohej “Festa e Ishmit” Aktiviteti filloi me panairin e produkteve të zonës (me pjesëmarrjen e bisneseve që veprojnë në Ishëm) me panairin e librave të autorëve ishmakë: Vaid Hyzoti, Trëndafile Molla, Rudina Muharremi, Urim Mezini, Hashim Kërtusha, Shezahir Kërtusha, Sabia Kurti, Laureta Kulla dhe Agim Lika. Panairi i librave u vizitua nga njerëz të shumtë, nga deputetët e Qarkut të Durrësit, Znj Aurora Mara, Z. Skënder Pasha dhe Z. Arkend Balla dhe kryetarja e Bashkisë Durrës. Interesimi ishte i madh për librat që i kushtohen Ishmit. Njëkohësisht u vizitua dhe ekspozita e pikturave të piktorit ishmak, Kastriot Gjinplaku. Në orën 20:00 u bë hapja e aktivitetit, nga moderatori Agim Lika, i cili, pasi përshëndeti të pranishmit dhe u uroi mirëseardhjen, ftoi kryetaren e Bashkisë Durrës, Znj. Emiriana Sako, për të përshëndetur. Pas fjalës së kryetares, moderatori e falenderoi atë për mbështetjen që i jep Njësisë administrative Ishëm, gjë që e tregon dhe prezenca e saj në këtë festë Programi vazhdon me videoklipin prezantues, përgatitur nga mjeshtri Glen Beja, që sjellë të bashkuar: natyrën, historinë dhe kulturën e Ishmit. (“Ju urojmë shikim të këndshëm!”- uroi moderatori Agim Lika). Pas vidioklipit, e mori fjalën përsëri Ai, për të përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit.Ndër të tjera, ai tha: Përshëndetje, të dashur miq dhe bashkëqytetarë ! Mirë se keni ardhur në “Festën e Ishmit”! Sonte, Ishmi është gjallëruar nga jehona e festës. Para vendlindjes, njeriu ndihet i vogël, por merr madhështinë dhe krenarinë e saj. Vendlindja është vatra ku ndizet zemra, pista ku fillon fluturimi. Këtu kemi qeshur, kemi luajtur, kemi hedhur hapat e parë të dijes dhe kemi ëndërruar për herë të parë. Ky aktivitet është tepër i veçantë, sepse na bashkon sonte, për të treguar dashurinë për vendlindjen tonë të dashur. Le të gëzojmë sonte me këngë, valle e recitime, me mallë e dashuri për Ishmin tonë të lashtë, me kulturë e tradita, këtë vend me bukuri mahnitëse për çdo vizitor ! Sonte, kjo kala duket më madhështore dhe shumë më e bukur, dhe këtë bukuri ia shtoni ju, me praninë tuaj,të dashur pjesëmarrës. Le t’i kujtojmë vetes që jemi me fat që jemi ishmakë ! Edhe njëherë: Mirë se erdhët në Festën e Ishmit, në Ishmin e zemrës sonë! Programi vazhdon me një kolazh me këngë popullore – Interpreton këngëtarja e mirënjohur popullore Valbona Halili, e cila na ka nderuar me prezencën e saj këtu. Shoqëron në klarinetë mjeshtri: Lul Bega. (Falenderojmë Valbona Halilin për atmosferën e bukur që na solli!) Programi vazhdon me recitime poetike, nga grupi i recitimit “Gjergj Vlashi” dhe nga nxënësja Glea Murati, me poezi të autorëve ishmakë. Ftojmë recitueset në skenë Falenderojmë recitueset e grupit të recitimit “Gjergj Vlashi”, Znj Teuta, Antigonin, Forsinën dhe Glean për interpretimet e mrekullueshme të poezive. Programi vazhdon me interpretimin e dy valleve një me motive të Shqipërisë së Mesme dhe një me motive të veriut, interpretuar nga grupi i fëmijëve të Qendrës së Kulturës Durrës. Më pas programi vazhdon me një kolazh me këngë popullore – nga këngëtari Klodian Gjondrekaj, i cili i elektrizoi të pranishmit me interpretimet e tij të mrekullueshme, Ai shoqërohej në organo nga Alfons Shita. Në skenë shoqëronte grupi i valleve. Mbyllja e programit Të dashur miq dhe bashkëqytetarë ! Kësaj mbrëmjeje i erdhi fundi.Besoj dhe shpresoj se jemi kënaqur. Faleminderit për mbështetjen me duartrokitjet dhe ovacionet tuaja dhe për emocionet që i dhuruat kësaj feste. Mirë u takofshim në aktivitete të tjera! Gëzuar Festën e Ishmit! Faleminderit!