Filmi artistik :” Ballë për ballë” dhe Oriku …Gezim Llojdia

Filmi artistik :” Ballë për ballë” dhe Oriku …dhe nga rrëfimi i nënoficerit të bazës…

1.

Baza detare e Pashalimanit nuk flet shumë. Ajo rri e heshtur, si një plak që di gjithçka, por rrallë e hap gojën.Ishte një mëngjes i zakonshëm kur ushtari në hyrje të Orikut na bëri me dorë. Një përshëndetje e thjeshtë, por që për ne ishte si një ftesë për të hyrë në një botë tjetër në një skenë të ngrirë në kohë.

-D.m.th., hyni në bazën detare të Pashalimanit,- tha ai me një ton që dukej se i njihte mirë legjendat e atij vendi.Dhe ashtu ndodhi. Që nga hapat e parë, vendi nisi të rrëfente, jo me fjalë, por me hijet e tij.

Me kujtimet e filmit të paharruar shqiptar: “Ballë për Ballë”.

Kush ka jetuar vitet ‘60, e kujton mirë atë film. E kujton çarjen e madhe të vitit ‘61, dimrin që s’ishte vetëm meteorologjik, por politik dhe shpirtëror. Një epokë që u përplas ballë për ballë me historinë.

2.

Rruga drejt kujtesës.Nga porta e hyrjes e deri në Orik, çdo hap mbante zhurmën e viteve të shkuara.

Dikur, këtu ishte një portë hekuri e lyer me kafe, si për të fshehur në ngjyrë të tokës atë, që sytë nuk guxonin ta shihnin.

Ishte Shkolla e Instruksionit, fusha e sportit, porti i jashtëm. Disa hekura të vjetër, disa rrënoja gati të harruara të gjitha këto ishin njëherë sfond i një film,i që jetoi më gjatë se vetë epoka që përshkruante.

Më kujtohet që në vitin 2009, turistë të shumtë më pyetën:

-Ku janë xhiruar skenat e atij filmi?

Nuk dinin që ecnin mbi to.Nuk dinin që ishin duke shkelur mbi një kujtim të përjetësuar në celuloid.Në të majtë të një zyre të vjetër, qëndronin pesë objekte arkeologjike.

Ishte viti 1958 kur nisën gërmimet e para.Ishte ajo ekspedita shqiptaro-sovjetike, me Dhimosten Budinën e Kabilinën në krye.Gjetjet ishin të rralla, të çmuara.Gurë të lashtë, dëshmi të qytetërimit të hershëm të Orikut.

Derisa një grup ushtarakësh vendosën të kujdeseshin për to. Nuk ishin arkeologë. As artistë. Ishin ushtarë. Por me një përkushtim prej muzeu, i pastruan, i lyen me gëlqere të bardhë dhe i vendosën përpara godinave.Si për të thënë:

Por krahas këtyre u gdhendën edhe gurë të tjerë të ngjashëm me ata të gërmimit.Këto do i shërbenin filmit.Por koha nuk është gjithmonë e pamëshirshme.Këto objektet përfunduan të rrëzuara, të pluhurosura, të harruara në një cep të bazës.

-Këto nuk do të harrohen.

Sot aty nuk ka më kamera.Nuk ka më regjisorë. As aktorë.

Por vendi nuk ka nevojë për ta.Sepse filmi është ende aty.Jeton në sytë e ushtarit ,që përshëndet. Në heshtjen e fushës së sportit. Në erën e detit që sillet rreth portës kafe. Në gurët e zbardhur nga gëlqerja dhe koha.

“Ballë për Ballë” nuk është më vetëm një film.Është kujtesë.Është histori.Është ajo fryma e pashpjegueshme që ndien kur kalon në vende që dikur kanë jetuar më fort se sot.Nëse ndalon për një çast, në atë cep të heshtur të Pashalimanit, mund të dëgjosh një zë. Një zë që vjen nga larg, si një jehonë:

“Shqipëria, më 1961, nuk u përkul. Dhe as nuk harroi.”

3.

…Filmi “Ballë për Ballë” nuk ishte thjesht një prodhim kinematografik. Ishte një qëndrim.Një pasqyrë e kohës. Një përballje e Shqipërisë me epokën e saj më të trazuar.

U prodhua në vitin 1979 nga Kinostudio “Shqipëria e Re”.Regjia i takoi dy emrave të mëdhenj:Kujtim Çashku dhe Piro Milkani.Skenari? I shkruar nga vetë Ismail Kadare, që në atë kohë e dinte mirë se çfarë do të thoshte të flisje me simbole, me ngjyra të ftohta dimri, me heshtje që buçisnin më shumë se fjalët.Muzika? Një tjetër gur themeli: Feim Ibrahimi.

Drejtimi artistik, asistentët e regjisë, çdo figurë pas kamerës ishte pjesë e një mozaiku që përpiqej të jepte jo vetëm një histori, por një ndjenjë kombëtare.Në ekran,emra që nuk kanë nevojë për prezantim:Bujar Lako, Rajmonda Bulku, Sulejman Pitarka, Timo Flloko, Agim Shuke,Arben Imami, Kadri Roshi, Mevlan Shanaj…

Përkrah tyre, Katerina Biga.

4.

…Automjet pas automjeti ndalej radhë-radhë. Vizitorë nga çdo cep i vendit, dhe disa të huaj, vinin për të parë jo thjesht një vendbanim antik, por një tokë ku historia dhe kinemaja ishin bërë një.Oriku, qyteti që përmendet nga Jul Çezari, kishte gjetur vend në skenarin e filmit si një dëshmi e lidhjes së Shqipërisë me rrënjët e veta më të thella.

Porti i tij antik është lokalizuar në një lagunë me gjatësi 2.2 km dhe gjerësi 1.2 km, me formë trekëndore që hapet drejt detit. Një rrip i hollë rëre e ndan lagunën nga deti, dhe në perëndim, një bankinë me një kanal të lashtë e lidh këtë oaz me ujërat e Adriatikut aty ku, siç thotë kronika, ka lëvizur historia.Në atë kodër përballë detit, përballë lagunës që rrinte e qetë si një sy i thellë, është vendosur qyteti.

Aty, në heshtje, kanë ndodhur çaste që nuk i ka regjistruar vetëm kamera, por edhe kujtesa kolektive.

“Ballë për Ballë” nuk ishte thjesht një dramë politike. Ishte një film që u bë pjesë e kujtesës kombëtare.Ai nuk e dha historinë me fjalë të mëdha apo me heroizma të shtirur. E dha me sy. Me heshtje. Me nder dhe përballje. Dhe më e rëndësishmja: e dha me dinjitetin e të vegjëlve, të ushtarakëve të zakonshëm, të nënoficerëve që qëndronin në bazë, ballë për ballë me një fuqi të madhe botërore dhe nuk u përkulën.

5.

Pashalimani midis artit, historisë dhe harresës.Sot, baza detare është ende aty. Oriku, me gjithë pluhurin e viteve, ende përmendet. Por shpesh harrohet ajo që i jep shpirt: kujtimi.

Kujtimi i një kohe që nuk vjen më, që nuk harrohet, i disa njerëzve që dhanë gjithçka për vendin.Nëse ndalesh aty, në atë vend ku makinat vijnë e ikin, ku gjethet vallëzojnë në rrugë dhe era mban erë kripë dhe kujtim, ndoshta do ta ndjesh.Jo vetëm historinë…

Që kur në Orik u ngrit baza detare, vendi ndryshoi fytyrë.

Nuk ishte më thjesht një qytet i lashtë buzë detit.Por një pikë strategjike në hartën ushtarake të Mesdheut.Një port që s’e mbulonte dot më pluhuri i harresës.Dhe kur erdhi prishja me Bashkimin Sovjetik, në fillim të viteve ’60, gjithçka u vu në lëvizje. Shqipëria u nda nga aleati i saj më i fuqishëm. Një çarje e thellë politike, ushtarake dhe emocionale një përballje që nuk u zhvillua vetëm në tryeza diplomatike, por në baza, në brigje, në heshtje dhe në kërcënim të drejtpërdrejtë.

Këto ngjarje nuk mbetën vetëm brenda kufijve. Ato u pasqyruan në mediumet ndërkombëtare, u komentuan si shembulli më i qartë i një shteti të vogël që nuk e përkuli kokën.Ishte ajo kohë kur çdo fjalë peshohej, dhe çdo hap kishte jehonë në Moskë, në Pekin, në Uashington.

Në këtë sfond dramatik, vite më vonë, lindi filmi suprizë shqiptar “Ballë për Ballë”. Një film që nuk u kufizua në një histori fiktive por u frymëzua nga ngjarje reale, të përjetuara nga dhjetëra sy, dhjetëra jetë.

6.

Në fund të viteve ’70, atëherë kur regjisorët kërkonin ende dritë natyrale dhe pelikulën e zezë,kamera u kthye drejt bazës së Pashalimanit Aty ku dikur kishte shpërthyer tensioni politik i vitit ’61, u ngritën skenat, u ndërtuan momente, u rigjallëruan çaste të historisë që ende digjnin.Oriku, qyteti i lashtë, tani mbante një emër tjetër në hartat ushtarake.Por për artin, për filmin, ai ishte i njëjti: tokë e ngjarjeve të mëdha, ku çdo godinë, çdo bunker, çdo ushtar i mbetur në kujtesë, i jepte jetë celuloidit.

Por sa realist ishte “Ballë për Ballë”?

7.

…Askush nuk mund ta kuptojë më mirë këtë, sesa ata që jetuan dimrin e vitit ’61. Ata që ishin aty kur flamuri kërcënohej, kur anijet sovjetike prisnin urdhra, kur zëri i komandës përplasej me britmën e ideologjisë.Filmi, si çdo krijim artistik i asaj kohe, mbante në vetvete edhe ngjyrimet e propagandës Kishte doza të shtuara idealizmi, personazhe të ndriçuara më shumë se e vërteta.Por pikërisht kjo, ndoshta, ishte ajo që i dha filmit një jehonë më të gjerë, një shikueshmëri të rrallë për kohën.Sepse “Ballë për Ballë” nuk ishte vetëm një ripërjetim. Ishte një përkthim emocional i një realiteti që për shumë njerëz mbeti plagë, për të tjerë krenari.Në fund të fundit, ishte art. Dhe arti nuk i jep gjithmonë faktet siç janë, por i jep ndjesitë siç janë përjetuar.

Në rrugën që të çon nga Oriku në bazën detare, në kodrat që shohin nga deti, në heshtjen e ndërtesave të zbardhura nga dielli dhe koha filmi vazhdon. Nuk ka më kamera. Nuk ka më regji. Por kujtimet ecin ende.Në mendjet e atyre që ishin aty.Në sytë e brezave që e kanë parë filmin pa e ditur se aty fliste një e vërtetë më e thellë.

“Ballë për Ballë” nuk është vetëm një film.

Është përkujtim.

Është histori.

Është zëri i një Shqipërie që vendosi të mos dorëzohej ,as përballë një aleati, as përballë të vërtetës.

8.

…Stefan Miho,që tash nuk jeton më,nënoficer në bazë më ka përshkruar.

… Vollodjan, që ne e respektonim si mikun e shtëpisë, por edhe si oficer, një dite erdhi me një motor Java në punë i krekosur. Zbriti dhe na bëri përshtypje mënyra e qethjes së tij!

Ai ishte i gjatë me një trup kadeti, lozte shumë volejboll dhe basketboll, ishte biond, me pak flokë, por i qethur bolloboks. Oficerët ruse qetheshin lart nga mbrapa dhe nuk mbanin faforita. Vollodja kishte lënë faforita dhe ne na u duk atë ditë i huaj, mendjemadh e liberal, i kapardisur me motor, ndryshe nga oficerët e tjerë, që vinin me një autobus nga Orikumi.

…Ai hyri në kabinet dhe doli jashtë e takoi Abedinin.

Diçka po i thoshte me këmbë e me duar. Nuk mund të kuptonim gjë. Por Abedini si shqiptar që ishte, njihej si i drejte dhe i prerë, nuk bënte pas. Kësaj radhë e pashë sikur e kishte disi pisk punën dhe s’kishte se çfarë t’i thoshte. Pas kësaj ngjarjet rrodhen aq shpejt saqë njerëzit filluan të ç’orientohen. Atë pasdite laborantet e klasave morën urdhër të hiqnin nga korridori i kabineteve, portretin mural të pikturuar të Hurshovit.

I gjori Hrushov me një të rënë të sqeparit u bë copa e çika dhe shkoi në plehra!

Më erdhi keq për punën, që kishte bërë piktori silurit i talentuar Jorgji Gjikopulli.

Urdhri ishte dhënë nga lart. Kjo gjë u bë në mënyrë të fshehtë dhe pa praninë e efektivit, vetëm me asistimin e komandantit të togës, Selim Stepa.

Portreti i copëtuar i Nikita Hrushovit përfundoi në kazanin e lloshrave.

Të nesërmen, protesta ishte sa e madhe aq edhe qesharake, por edhe tinëzare, sepse veprimi u bë natën në fshehtësi dhe pa qenë marinarët dhe personeli sovjetik! Megjithatë, ata nuk kishin ndërmend të merreshin me aventurat tona dhe bënë mirë se u shmang edhe mundësia e ndonjë konflikti të armatosur.

Me sa duket kishin porosi nga eproret e tyre.

Portreti ishte larguar. Vollodja i bënte presion Abedinit, i cili sa e kishte marrë detyrën mbasi udhëheqja lart pas arrestimit të Teme Sejkos, kishte marrë masat dhe krahas goditjes, që i bëri grupitqëbu cilësua armiqësor dhe demaskimit ndërmjet “gjyqit” në mënyrë të hapur para gjithë efektivit të Flotës, bëri dhe levizjet vertikale dhe horizontale të kuadrit, që të mos kishte asnjë tronditje në Flotë.

Çdo gjë do të bëhej sipas parashikimeve të Udhëheqjes dhe pa incidente. Atë ditë Vollodja po i kërkonte llogari Abedinit për heqjen e portretit të Hrushovit nga kabineti dhe Abedini iu përgjigjej se:

-Në vend të tij do të vendosej portreti i Stalinit të madh! Pas këtij shpjegimi, Vollodja u xhindos. Shtrëngoi dhëmbët dhe i tha:

– Ne kemi një qëllim të nxjerrim specialiste për Flotën, se çfarë bëjnë partitë tona nuk na intereson shumë. Ne jemi ushtarakë dhe kemi këtë detyre.

-Bravo Vollodja! Larg ushtria nga politika!

Një gjë është e sigurt: Hrushovi aplikoi dhe ndoqi një politike ndryshe nga paraardhësit e tij, si në aspektin e brendshëm ashtu dhe ne aspektin e jashtëm.

Vollodja ishte i përgatitur, me kulturë dhe kishte mbaruar dy akademi ushtarake. Abedini i ndodhur ngushtë në përgjigjë i thotë:

-Kanjeshno tavarish Vollodja…

Heshtja pllakosi dhe secili shkoi në pozicionet e veta. Vollodja shkoi të zhvillonte mbledhjen e mëngjesit nën drejtimin e Smirnovit, instruktorit të motoristeve, për të cilin ruaj konsideratat e mija më të larta, për thjeshtësinë, mënyrën e komunikimit me ne dhe ruajtjen e ekuilibrit, pasi me duket se ai ishte në mbështetje të plotë të partisë sonë, bile mendoj se mund të ishte dhe stalinist. Ai jo vetëm mbante qëndrime të mira me oficerët tanë dhe sidomos me instruktorin shqiptar, Jeton Baruti, i cili shkrihej me kapiten Smirnovin dhe bashkëpunonte me të në të gjitha aspektet, por edhe se nuk lejoi incidente midis dy etniteteve në shkollë.

9.

…Duke përshkruar këto ngjarje nënoficeri shqiptar kujton një rast të dytë:

…Një nga masat ushtarake të marra pas kësaj ishte fillimi i një aventure.

Çdo darkë çmontonim nga klasa e artiljerëve mitralozin e modelit 14.5 mm, e merrnim atë në krahë dhe ngjiteshim në majën e kodrës, afër me godinën e burgut. E montonim e mbushnim me kaseta me fishekë dhe qëndronim në gatishmëri në luftë kundër armikut, që kishim përballë, bazës ruse të Katenlinkovit, ku në përbërjen e saj ishin baza e madhe dhe tetë nëndetëseve. Vet kjo bazë mbante në kuvertën e saj armatime të kalibrave të rëndë, ku një predhë e topave të saj të binte në shkollë do të nxirrte ujë të zi. Por ja që ne stërviteshim per t’i bërë ballë këtij, “Elefanti rusë”.

10.

Përkushtimi qe i madh.Në mëngjes, mbasi kishim ndenjur gjatë gjithë natës të veshur e pa gjumë, gati për luftë e çmontonim mitralozin e merrnim atë përsëri në krahë dhe e çonim në klasë, e montonirn dhe kur vinte Vollodja e gjente bazën materiale mesimore gati për mësim. Kjo gjë vazhdoi per pesëmbëdhjetë ditë e pesëmbëdhjetë net rresht deri sa u larguan sovjetikët nga Baza e Pashalimanit!

Kjo detyrë na u besua ne marinarëve dhe nënoficereve të shërbimit të detyrueshëm, ku disa ishin artiljerë të rinj. Ajo ishte një periudhe prove për ne, e cila u kalua me sukses. Kuadrot sovjetike, të detyruar nga masat e marra nga ana jonë dhe porosive të eprorëve të tyre, u bënë “qengja”. Pranë nesh kishte përfaqësues të Komitetit Qëndror, të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët porosisnin vazhdimisht: “Ruhuni nga provokimet”.

Ajo çfarë shpreh habinë është edhe ky rast që tregon nënoficeri shqiptar.

11.

…Asnjëherë nuk mbaj mend të na kenë provokuar, rusët në atë kohë në shkolle me përjashtim të një rasti kur shoferi i autobusit sovjetik u përplas një ditë me një marinar, i cili herët në mëngjes kishte dalë me një karroce dore të mbushur me mbeturina, dhe i doli para shoferit, i cili mbasi e shmangu aksidentin doli nga xhadeja dhe shkoi në buzë të detit pa problem, por që nga pala e jonë u bë e madhe.

Me Vollodjen bënim herë pas here biseda të lira si shokë. Ai vazhdimisht na tregonte për instruktorin tonë, i cili qe martuar me një vajzë të vogël në moshe. Instruktori ynë ishte 15 vjet me i madh se ajo dhe Vollodja me thoshte:

-Stefan, çe ka atë grua.

Ajo duket si vajza e tij!

Kështu ishte atëhere, oficerët e marinës merrnin gratë më të bukura, sepse vajzat e mira thoshin ose oficerë ose inxhinier, por sidomos oficerët e marinës ishin të lakmueshëm.

Ndryshe nga Shkolla e Specialiteteve, Oficina e Silurave, e ndërtuar pranë asaj Mekanike të riparimit, 100 m larg bregut të detit, shërbente për përgatitjen dhe furnizimin me silura me ajër dhe akustike të nëndetëseve. Përshtypje të veçantç kur u paraqita në detyrën e re ishte se në hyrje të oficinës qëndronin dy roje, të kombësive e nënshtetësive të ndryshme, njëri sovjetik dhe tjetri shqiptar.

Të dy, të armatosur. Ata nuk lejonin ,që marinarët të hynin brenda pa lejen e eproreve.

Stërvitja ishte ndërprere. Roja sovjetike qëndronte nga e majta e derës me kallashnikov në gjoks,kurse roja shqiptare, djathtas me karabinë pranë këmbës armë me qëndrim serioz, gjithashtu në detyrën e rojes. I gjithë efektivi shqiptaro-sovjetik marinar qëndronte mbi oficinë, në biseda të lira.

Askush nuk do ta besoj pasi ka parë filmin,mirëpo e vërteta është disi ndryshe.

12.

…Nënoficeri shqiptar Stefan Miho,pohon të kundërtën e tyre:

Vërejta se politizimi i ngjarjeve të kohës aty ishte më i vogël se në shkollë. Ata loznin e qeshnin, kënaqeshin, që nuk punonin. Njëra palë tani e tutje do të bëhej zot i mjeteve luftarake dhe tjetra gëzonte se do të largohej nga Shqipëria e do të kthehej në vendin e vet. Gjuha e komunikimit midis marinarëve ishte në lartësinë e nevojshme, kjo falë marrëdhënieve të mira e miqësore, që ekzistonin ndërmjet dy eprorëve kryesore të oficinës, kapiten Smirnovit dhe shefit të oficinës Velo Azemit, i cili kishte mbaruar shkollën në BS, bile aty ai edhe u martua me një vendase, lindi dhe një djalë me të, por që nuk e la qeveria sovjetike të largohej për ta marrë me vete për në Shqipëri kur u bënë shkëputjet përfundimtare.

Smirnovi, disa herë e siguroi Velon se nga ai nuk do t’i vinte asnjë gjë e keqe dhe nuk do të prekte asgjë, si nga armatimi, ashtu dhe nga literatura përkatëse. Me sa di unë kur vajta, gjeta gjithçka, që nevojitej. Si tekstet për përgatitjen paraprake dhe përfundimtare të silurave, librat mbi proceset teknologjike për riparimet e lehta dhe të mesme të tyre dhe deri tek literatura përkatëse për aparaturat elektronike.

…Po të kthehemi te filmi:” Ballë për Ballë”.Çfarë pohon Nënoficeri:

-Për mendimin tim është i politizuar, dhe s’ka se si të mos jetë i tillë, se i shërbeu kohës dhe regjimit për momentin, për të mbajtur gjallë opinionin luftarak të detareve dhe kuadrove por edhe më gjerë, sepse ne kishim një armik tjetër krahas atij amerikan edhe atë sovjetik. Në film flitet se është bërë sabotazh, duke vjedhur disa ndezës të silurave akustike, gjë që më duket diçka e pakuptimtë për ta quajtur sabotazh nga ana e tyre në Oficinën e silurave, sepse ajo depo ruhej dhe kontrollohej nga rojet e marinarëve shqiptare. Megjithatë për momentin le ta pranojmë si një gjë të tillë dhe nqs është bërë ajo mund të bëhej në masë të madhe. Mjaftonte të merreshin dy tre arka dhe të gjitha silurat akustike do të dilnin jashtë gatishmërisë, qofshin këto edhe detonatorë të minave KMD 1000. Nqse është bërë, ajo mund të jetë bërë nga njerëz të rëndomte dhe pa aktivitet, thjesht për t’i bërë keq ndonjë shoku, por kurrën e kurrës sabotimi të jetë koordinuar nga kapiten Smirnovi, apo i kurdisur nga shteti sovjetik.Më pas në krye të një grupi specialistesh Skënder Sulku shkoi në Kinë për të marrë detonatore të silurave akustike dhe të minave KMD-1000, silura, të cilat më vonë nuk di pse dolën jashtë armatimit. Ato u zëvendësuan me silurat elektrike.

13.

Përse kryeministri shqiptar shkoi në Pashaliman?Mehmet Shehu në bazë?

Stefan Miho thotë:Nga Shkolla nuk u shkëputa, por veja here pas herë dhe takohesha me shokë të vjetër e të rinj, që vinin atje. Fill mbas Kongresit të IV të Partisë, Enver Hoxha doli hapur kundër Hrushovit, dhe në Mars të vitit 1961, vjen në Bazën Detare të Pashalimanit, Kryeministri i vendit Mehmet Shehu. Në atë kohë efektivi sovjetik po përgatitej për t’u larguar. Ai erdhi për të zbërthyer direktivat e Kongresit të Partisë, për t’u dhënë një mësim të mirë sovjetikëve, për të qetësuar gjakrat, që sa ishin ndezur midis dy identiteteve ruse e shqiptare, për t’i dhënë zemër efektivit tonë, se asgjë nuk do të ndodhte midis nesh, dhe se miqësia do të vazhdonte si më parë.

Divergjenca do të kishte midis dy partive, ku e para partia jonë qëndronte fort në pozita të shëndosha të marksizëm-leninizmit, kurse e dyta kishte rrëshqitur në revizionizëm. Nikita Hrushovi ishte pajtuar me Titon, kreun e revizionizmit ndërkombëtar, kishte zbutur qendrimin me amerikanet, të cilët në atë kohë e kishin detyruar të tërhiqte nga deti i Karaibeve raketat e destinuara për Kubën dhe të tjera pehlivanllëqe të Hrushovit, të cilat u quajtën si zbutje e papranueshme nga partia e jonë në planin ndërkombëtar të luftës së klasave, kurse në planin ideologjik ajo e quajti largim nga parimet e M-L. Tashmë koka e këtij revizionizmi nuk do te ishte më Titua dhe as Jugosllavia, por Bashkimi Sovjetik, pra një e gjashta e botës, koka dhe udhëheqja e kampit socialist. Udhëheqja e partisë sonë në vend, që të binte në ujdi bëri të kundërtën.Ajo për parimet sakrifikoi miqësinë me ta, marrëveshjet civile dhe ushtarake, në dëmin e një populli të vuajtur e të vogël siç ishte vendi ynë, vetëm e vetëm për të mos shkelur parimet.

14.

Por le të kthehemi tek Mehmet Shehu, i cili erdhi dhe hyri në sallën e kinoklubit të repartit, kapaciteti i të cilit i kalonte të shtatëqind vendet. Ai ishte mbushur plot e përplot me kuadro e marinarë, ku iu bë një pritje madhështore. Efektivi shqiptar kishte shkuar në kinoklub më herët dhe kishte zënë vend, që nga fillimi e deri në fund të sallës, duke lënë nëpër rreshta disa vende bosh për efektivin ushtarak sovjetik të brigadës së nëndetëseve. Ndryshe nga herët e tjera, ku rreshtat e para ishin të rezervuara dhe liheshin bosh për vëllezërit e mëdhenj, oficerët dhe marinarët sovjetik, kjo gjë nuk kish ndodhur në këtë rast. Sovjetiket erdhën të organizuar për të marrë pjesë në këtë mbledhje, por zunë vendet bosh midis rreshtave sëbashku me marinarët dhe kuadrot shqiptare. E pazakonte kjo pritje për ta, por të detyruar, u ulën midis shqiptareve se fundja fundit, miq ishim! Kur hyri Mehmet Shehu dhe u ngjit për në tribunë me një paraqitje pothuajse ushtarake, të gjithë u ngritën në këmbë dhe shpërthyen në brohoritje për partinë dhe shokun Enver. Ovacionet nuk kishin të mbaruar. Deshën, s’deshën sovjetikët të detyruar edhe nga bërrylat e marinarëve shqiptare ngriheshin e duartrokisnin edhe ata së bashku me ne.Paraqitja e Mehmet Shehut në sallë ngjalli nostalgjinë e figurës së Stalinit, aq sa një marinar rus nga turma u dëgjua të bërtiste:

-Oc blot kak Stalina, dhe i rrodhën lotët nga sytë.Ai ishte gjeorgjian dhe dashuria e tij për Stalinin ishte e madhe. Mehmeti atëherë e elektrizoi sallën me fjalimin e tij të famshëm, ku midis të tjerash theksoi:

-Kush ka jetuar në një krevat me Titon, të nesërmen ai është mbarsur me revisionism!

-Kush ka ngrenë në një çanak me të, ai është ushqyer me revizionizmin e tij! -përkthyesi u mundua, por vet Mehmeti e mori fjalën rusisht:

-Përktheje mirë! Më vonë vazhdoi ai: -Partia e jonë as nuk ka jetuar dhe as nuk ka ngrënë në një çanak me Titon, por ka qëndruar dhe do të qëndrojë fort në llogoren e M-L.

Ku ta dinte atëherë Mehmet Shehu se 20 vjet më vonë atë do ta ndëshkonte vetë Enver Hoxha si poliagjent dhe do ta eliminonte fizikisht, kryeministrin më të suksesshëm, por edhe strategun ushtarak, që do t’i mungonte vendit, i cili mbas vdekjes së tij mori tatëpjetën e pandreqshme.

Jehona e atij fjalimi u dha efektivave zemër dhe optimizëm se asgjë nuk kishte për të ndodhur në të ardhmen, përkundrazi Shqipëria me ndarjen përfundimtare me Bashkimin Sovjetik do të shpëtonte nga një panterë e zezë e botës sllavo-komuniste. Ajo synonte për ta bërë pronë të saj Bazën Detare të Pashalimanit.

15.

…Si ishte puna e incidentit më flamujt?

Stefan Miho thotë:Në maj plasi incidenti i flamurit, i cili bëri bujë, të madhe, ku një detar sovjetik ngriti flamurin e vet në Bazen Lundruese, ndërsa detari jonë, që e pa, i preu cimën dhe sherri u zgjidh duke u ngritur të dy flamurët njëherësh, pranë njëri-tjetrit. Nuk pati më mosmarrëveshje midis efektivave. Bisedimet u zhvilluan midis ekspertëve të dyja vendeve, ku aty ka pasur edhe përplasje dhe sigurisht, që janë thënë shumë gjëra që ne nuk i dimë. Rusët nuk e kishin të lehtë të përballeshin me ne se mbi kokat e tyre, në Karaburun, kodrat e Orikumit, Sazanit e bregdetit të Vlorës, qëndronte artileria bregdetare gati për çdo gjë, prandaj ata pranuan tërheqjen nga baza pa kushte.Largimi sovjetikëve nga Pashlimani në atë dimër i veshur dhe frustuar me stofin artistik duket krejt i ndryshëm nga realiteti dhe pasojat.

16.

…Me ikjen e sovjetikeve,thotë Stefan Miho, jeta dalëngadalë u normalizua. Largimi i tyre nga Baza e Vlorës ishte e justifikuar, sepse ata e kishin përmbushur misionin e vet. Efektivat e nëndetëseve i kishin dhënë detyrat e tyre kryesore të luftimit në praninë e këshilltareve sovjetikë po kështu ofiçina e silurave dhe shkolla e instruksionit, efektivat e tyre kishin marrë në dorëzim gjithë teknikën mësimore dhe luftarake dhe vazhdonin që ta përdornin atë me sukses. Në shenje hakmarrje rusët tërhoqën tetë nëndetëse dhe bazën e Katelnikovit që ishte pjesë përbërëse e armatimit të Traktatit të Varshavës. Me disa anije tregtare ata morën edhe familjet e oficerëve, të përcjellë miqësisht siç e ka zakon shqiptari, tepër korrekte.Ata u larguan, sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Lart shumë gjëra janë thënë të politizuara se përcjellja e tyre ishte e ftohtë.Ata ikën, por ne mbetëm si të thuash jetimë, para një teknike sa e vjetër në përdorim aq edhe e re për ne, të cilën nuk e kishim parë ndonjëherë. E vjetër, sepse teknika luftarake që ngeli kërkonte riparime të lehta, të mesme dhe kapitale, problem ky që u shfaq menjëherë sa ikën rusët, por dhe e re për ne, se eksperienca jonë në përdorimin e mirëmbajtjen e anijeve ishte e pakët.Në oficinen e silurave shumë shpejtë i reduktuam silurat akustike.Mungonte eksperienca teorike dhe praktike për përgatitjen e tyre, dhe meqenëse ishim të pajisur me silurat më të vjetra elektrike të vitit 1946, u futën ato në përdorim për furnizimin e nëndetëseve, në aparatet e pasme të tyre. Ato ishin të fuqishme, por të pamanovrueshme për gjetjen e objektit dhe plasja e tyre bëhej vetëm me anën e kontaktit, ndryshe nga silura akustike, që shpërthente nëpërmjet rushës magnetike, por edhe me anën e kontaktit, gjithashtu, ajo e kërkonte objektin. Ky për ne në oficinën e silurës, ishte dështimi i parë për silurat akustike.Këtu u ndje edhe mungesa e parë e specialistëve sovjetikë.Marinari Tonin Fishta nga Shkodra, ishte i përgatitur dhe sa herë që do të vinte puna, që do të dorëzonim silurat akustike në nëndetëse, ne marinarët çoku bënim edhe zhurmë dhe Tonini me atë karakterin e tij impulsiv nxehej dhe rrëmbente ndonjë çelës dhe e përplaste në tokë në momentin e përgatitjes përfundimtare të silurës akustike ku kërkohej qetësi e madhe për të kontrolluar sinjalet, që ajo i jepte gjatë lëvizjes për në objekt. Tonini kënaqej kur teknika akustike, në përfundim jepte provat e dëshiruara. Atëherë thoshte:

-Tash merreni, ju rruat.

-Hajt ma faqen mos ban ma zhurmë kur punojmë. A më ndigjon?

Ai ishte teknik i mirë.Në bateritë e silurave, një specialist me përvoje ishte nënoficer Nasip Xhuvani. Me kompresoret Dk2 për prodhimin e ajrit ishte Selman Alia. Ai jepte e merrte me ta dhe kur nuk i ecte puna thërriste oficer Tafil Maliqin, i cili ishte bërë mjeshtër i këtyre kompresorëve, që prodhonin më shumë se 200 kg/cm2 ajër. Tek silurat me ajër shërbenin nënoficerët Dino Nanaj, Bashkim Shehu dhe Pet Petushi. Me largimin e Toninit, u largua edhe “truri elektronik” i silurave akustike. Nuk kishte marinar që ta zëvëndesonte Toninin. Ramadan Gerzena që e zëvendësoi, nuk mundi të vazhdonte si Tonini, dhe silurat akustike pothuajse ngelën të vdekura. Atyre u bëhej vetëm shërbimi dhe asgjë më tepër.Lirimi i Toninit, krijoi një boshllëk për silurat akustike, megjithatë puna vazhdonte ashtu siç e thamë më lart. Qe t’i jepje zgjidhje këtij problemi duhej përkthyer literatura sovjetike. Inxhinier Kujtim Peçi, një nga kuadrot më të mirë të Brigadës iu fut punës për përkthimin dhe vënien në funksionim të aparaturave akustike, por e la atë përgjysmë dhe nuk di përse ndodhi një gjë e tillë. Më vonë do t’i mateshim punëve se bashku me marinarët duke realizuar edhe qitje të suksesshme me to.

Në 4 qershor 1961, Enver Hoxha do të vinte në Bazën Detare të Pashalimanit dhe do të vuloste përfundimisht shkëputjen e Shqipërisë nga sllavo-lindoret. (Çuditërisht përsëri nuk hoqi dorë nga lindja, por u lidh me Kinën. Kur erdhi në Bazë përgëzoi efektivin për qëndresën e tyre në mbështetje të strategjisë së partisë, njoftoi për shkëputjen përfundimtare politiko-ushtarake nga sllavo-lindorët, u dha zemër efektivit dhe gjithë popullit shqiptar se asgjë nuk do të ndodhte nga shkëputja ushtarake me Bashkimin Sovjetik.

*Autori ka drejtuar parkun kombëtar arkeologjik Orik.