Fjetëm nën flokë-Kristo Çipa


Kristo Çipa

Stuhitë e vjeshtës dhe të shpirtit janë të ngjashëm si pikat e shiut që bien rrëmbyeshëm.

FJETËM NËN FLOKË

Do ta gris moj, do ta gris!
Vellon e tymit cigares
Me vetullën që lëviz
Nën qemerin e dritares

Slims i hollë qeparis
Bukurinë ta gremis

Tak e tuk e qeltë
Gjer në sup ngarkuar
Cigaret janë hedhë
Përgjysëm mbaruar

Veçuar inati
Si dylli nga mjalti

Hape pak kanatën!
Fletën e durimit!
Të ta shuaj flakën
Kur mërgohet tymi!

Bota e mërzisë
Nata në kërthizë

Uiski i gështenjtë
Slimsi elegant
Buzët puthin lehtë
Koka avadan

Në vetullat pujë
Inati rrëmujë

Tek inati i sertë
Erdha dhe u ula!
Dhe gotën e qelqtë
Tek buza e vura

Në një gotë pimë
Si slimsi po shkrijmë!

Kur nuk më puth mua
Unë do dehem sonte
Cigaret marr hua
Nga paketa jote

Tymin bashkë e thithim
Me një gotë uiskin

Nuk di pse s’u dehëm?
Kariket s’i thyhem?
Kokën e mbështetëm
Në jastëk tek yjet

Hallet shtruam poshtë
Fjetëm nën flokë!