– Me rastin e 98-vjetorit të lindjes së Tish Daisë, kënga “Gajdexhi” le të jetë një homazh
-Si u njoha me Tish Dainë dhe lotët e tij kur dëgjoi këngën “Gajdexhiu”
– Tish Daija qau kur e këndova të ripunuar pasi kjo këngë kishte ikur nga qarkullimi.
– Edhe sot, në Kinë kënga e “Gajdexhiut” është ndër më të dëgjuarat.
– Edhe pse sistemi komunist shqiptar ka rënë në radion nacionale kineze çdo ditë jepet gjysmë ore këngë nga Shqipëria.
– Siç më kanë thënë miqtë kinezë edhe sot ndiqen filmat shqiptarë me luftë nga çdo moshë.
– Kjo këngë ishte më e dashura për Tish Dainë, realizuar më 1962.
– Veçoj dhe këngën “Dasma e malësorit”, që është kënduar për herë të parë, nga Sali Brari.
Nga Albert Z. ZHOLI
Me Artan Kolën kam rreth 20 vite miqësi. Ai është jo vetëm një këngëtar i mirë, por nga studio e tij kanë dalë qindra këngë të këngëtarëve më të mirë shqiptarë. Zëri i tij timbri i tij, por edhe mënyra e organizimit të punës në studio e bëjnë atë një personazh tepër interesant. Fillimet e tij në këngë i përkasin vitit 1981, vit prej të cilit, ai, këngën e ka bërë pjesë të pandarë të jetës. Por dhe pse është i ftuar në shumë aktivitete brenda dhe jashtë atdheut, në pafundësi dasmash dhe aktivitetesh, kënga e preferuar e tij, kënga që i dha famë, dhe u kthye në hit, mbetet kënga “Bjeri gajdes, gajdexhi”, këngë të cilën ia solli ndërmend një vajzë kineze.
– Artani gjithonë në këngë të reja dhe në studio në intepretime të reja të këngëtarëve të ndryshëm. Ku është dallimi mes këngëtarit dhe ideatorit të një studioje për klipe apo orkestrime këngësh?
Këngëtari është një profesion, ndërsa studio e realizimit të këngëve është një profesion tjetër. Këngëtari është një artist, që do hapësirë, do fansa, sheshe, bashkëpunëtor, do liri. Ndërsa të drejtosh një sutio është diçka ndryshe, sepse ke të bësh me incizime preçize, me instrumenta që kanë limite dhe rregulla. Në studio liria është e kufizuar, mbasi ka norma dhe specifika. Duke qenë dhe vetë këngëtar studioja më jep shumë lehtësi pasi e di se çfarë duan këngëtarët. E di se sa mban raporti dëshirë aparaturë. Pra mua ma lehtëson punën studioja në raport me këngëtarët apo drejtuesit e tjerë të studiove. Megjithatë dua të them se sot ka shumë këngëtarë për popullsinë tonë ndaj një pjesë e këngëtarëve po luftojnë për mbijetesë. Por prapë thurrim ëndrra, thurrim vargje dhe mendojmë për të ardhmen. Këngëtari gjithmonë jeton me atmosferën e muzikës.
-Ku ndiheni më mirë si këngëtarë apo si drejtues i një studioje për finalizimin e këngëve?
– Këngëtar është më e lehtë në drejtim të angazhimit, përgjegjësisë, realizimit, ankthit dhe finalizimit. Drejtuesi i një studioje duhet të përgjigjet deri në detaj për ritmin, zërin, orkestrën, kombinimin e elementëve të këngës etj. Si këngëtar përgjegjësia më e madhe është kur del në skenë, pasi live ka shumë ngarkesë përgjegjësie. Por dua të them se çdo profesion ka vështirësitë e saj.
-Ju në repertorin tuaj tashmë keni afërsisht 100 këngë. Por çdo këngë ka specifikën e saj, ka bukurinë e saj. Për ju personalisht cila është kënga më e bukur që ju preferoni vetë dhe që preferojnë fansat apo publiku i gjerë/ ku insiston dëshira apo kërkesa e publikut?
Vitet kalojnë dhe këngët mbesin. Çdo këngë ka të veçantën e saj, ka specifikën e saj. Sa më shumë këngë aq më shumë përgjegjësi ke. Këngët, për këngëtarin, janë si fëmijët. Pra, janë si librat, për ju shkrimtarët. Shumë herë, nuk dua t’i dalloj. Por, duke parë çfarë kërkon më shumë publiku, atëherë unë do të veçoja dy këngë: “Bjeri gajdes” dhe “Dasma malësore”. Të dyja kërkohen në çdo aktivitet timin, në fillim dhe në mbyllje, madje u kërkohet edhe këngëtarëve të tjerë, kur nuk jam unë. Mund të them, në disa raste i kam kënduar edhe tri herë. E pabesueshme, por e vërtetë. Edhe sot pas kaq vitesh në skenë edhe pse kam bërë këngë të reja shumë të bukura këto dy këngë mbeten si hite. Mbeten unike për spektatorin jo për mua. Por në fund të fundit është spektatori ai që vendos notën. Në skenë unë jam lojtari, ndërsa spektatori është gjyqtari. Ai vendos notën dhe jo unë.
Le të marrim këngën “Gajdexhiu”. Një këngë që diskutohet shumë sot. Me sa di kjo këngë ka qenë e kënduar në sistemin monist. Një këngë që kishte disa karakteristika. Por, më befason sesi erdhi tek ju, kënga e gajdexhiut?
Kjo është e vërtetë. Kjo këngë i ka rrënjët në sistemin monist. Unë as e çoja ndër mend që do ta këndoja një ditë. Të them të drejtën, as që më kujtohej kjo këngë. As e mbaja mend ndoshta dhe nuk kishte lënë gjurmë tek unë. Por, rasti ‘mbreti i botës’. Kjo këngë trokiti në mendjen time fare, fare rastësisht. Unë kam pasur një dyqan kasetash, në lagjen “21 Dhjetori”. Një ditë, vjen në dyqan një vajzë e re kineze dhe më flet në shqip: ‘Zotëri, dua këngën “Bjeri gajdes, gajdexhi” dhe “Dasma e malësorit”. Hapa sytë. Thashë se mos tallej. Por nga mënyra e kërkesës, ajo dukej shumë e sinqertë dhe shumë e prerë. Ngrita supet. Ajo duke parë habinë time më thotë se në Kinë, e para është një nga këngët më të dëgjuara. Thuajse një këngë hit. E shihja si i hutuar. Çuditë me atë femër, s’kishin të sosur. Më habiste për dijet që kishte për muzikën dhe filmat shqiptarë. Madje më tha sesi këto dy këngë, në Kinë dhe filmat shqiptarë dëgjoheshin shumë. Mes tyre, më përmendi filmin “Malet me blerim mbuluar” dhe “I teti në bronz”. I njihte aktorët e këtyre filmave, më mirë se unë. O zot! E pyes si jeni njohur në fillim dhe ku i keni dëgjuar ju këto këngë? Ajo duke qeshur, më thotë: Në radion nacionale kineze, çdo ditë jepet gjysmë ore këngë nga Shqipëria, sidomos në vitet 1970 deri 1990. Këto këngë që po kërkoj dëgjohen shumë, shumë. Unë i kam dëgjuar me dhjetëra herë, më thotë. Këto dy këngë i veçoja, por kur erdha në Shqipëri i harrova në shtëpi. Mendoja se do t’i gjeja menjëherë, por nuk ishte e thënë. Ne i dëgjojmë, ju i keni harruar. Duke dëgjuar kinezen simpatike, fillova të kërkoj gjithandej në dyqan, por gajdexhiun s’e gjeta. Pas shumë kërkimesh, në një cep gjeta këngën “Dasma e malësorit”, të kënduar nga Sali Brari.
-Ndoshta nuk thonë kot rastësia ‘mbreti i botës’. Një kineze të kërkon një këngë shqiptare. Më shumë se një habi. Kur kishte ardhur kinezja, në Shqipëri?
Ah, e pyeta dhe për këtë gjë. Më tha se ka ardhur në Shqipëri në vitin 2000. Atëherë kur filluan të vijnë tregtarët kinezë, te ne. Edhe ajo me një mikun e saj, kishin marrë një dyqan në zonën e Medresesë. Ishte shumë e apasionuar pas këngëve shqiptare dhe e donte shumë Tiranën. Me atë, befasoheshe në çdo moment. Ishte kjo vajzë që më vuri në lëvizje. Madje, më befasoi me atë që më tha. Fillova kërkimet. Më vonë, kërkova në Radio Tirana, kërkova në miq dhe e gjeta. I mora të dyja këto këngë dhe fillova orkestrimet. Mendova të bëja një punë serioze. Unë dikur i kisha dëgjuar këto këngë, por asnjëherë s’më kish shkuar ndërmend, se do të kishin sukses. Duhej punë për orkestrim dhe përpunim. Fillova punën në mënyrë shumë serioze. Pas ca ditësh, në dyqan më vjen muzikanti Mond Mancaku me Tish Dainë. Ishte viti 2002. U prezantuam. Ishte kënaqësi që takova këtë kompozitor të madh. Përfitova nga rasti dhe i thashë prof. Tish Daisë: Profesor, kam ripunuar një këngë, a mund ta dëgjosh? – Po, – më tha. I vë këngën e gajdexhiut. Pasi e dëgjoi, më thotë, vendose dhe njëherë. E vendosa. Ai dëgjonte dhe filloi të lotonte. Pas pak, më thotë: A e din, se kush e ka bërë këtë këngë? – Jo, – i thashë. Kjo këngë është e imja. E kam kompozuar në vitin 1962. Në fund më thotë- “të lutem ma jep këtë CD, me autografin tuaj”. Ia dhashë. Iku i lumturuar. Fillova punën. Të dy këngët i realizova në studion time, ku i rendita në një album që po përgatisja edhe këngët e diskutuara. Të dyja këto këngë në album, që ishte albumi i dytë i imi. Kënga u ripunua dhe orkestrimi ishte më i plotë. Ky album u bë mollë sherri për dy televizionet “Top Chanel” dhe “TV Klan”. Pra, albumi “Bjeri këngës” u kthye në një hit. Ky album, vinte pas albumit “Nata e fundit”, që ishte me këngë greke dhe turke.
-Një këngë e rrallë e Prof. Tish Daisë? Pas këtij momenti si i vazhdove lidhjet me profesorin?
Filluam të kemi lidhje të vazhdueshme. Sa herë vinte më thoshte, më ke zgjatur jetën me këtë këngë. Mendova se do humbiste, por jo! Më jepte udhëzime të ndryshme për këngët e mia, më bënte sygjerime shumë miqësore. Më tregonte sesi e bëri këngën e Gajdexhiut. Më tregonte për sukesin që pati dhe si humbi kënga. Ma tregonte mes lotësh. E shikoja se edhe ai e donte shumë këtë këngë. E shfaqte hapur kënaqësinë që ndjente për interpretimin e ri. E kishte realizuar në ato vite 1960, kur ende nuk kishte filluar fshesa ndaj muzikës shqiptare.
– Në fillimet e demokracisë, këngëtarët ndaleshin te këngët e huaja. Po ju përse e bëtë albumin e parë, me këngë të huaja?
Si të gjithë. Për komercializëm. Deri në vitin 2001, populli ato këngë dëgjonte. Shumë këngëtarë deri në atë vit, me kaseta dhe CD e këngë të tilla, u bënë të njohur. Tani, çdo gjë ka ndryshuar. Preferencat, janë këngët popullore tonat. Edhe unë tashmë, vetëm me këngë shqiptare punoj, por të Shqipërisë së Veriut.
Sa albume keni realizuar gjithsej?
Plot 6 albume, kryesisht me këngë popullore të Shqipërisë së Veriut. Një album e kam bashkëpunim. Një këngë e kam me këngëtaren Fatmira Breçani. “Oj mollë e kuqe”…”Shqipëri o nëna ime”.
Si do ta komentonit folkun e Shqipërisë së Veriut?
Folku verior është një perlë. Mund të them, se ky folk nuk është shfrytëzuar aspak. Së pari, sepse nuk kemi orkestrues dhe kompozitorë veriorë, që të njohin mirë këtë folk. Edmond Zhulali s’mund ta bëjë dot aktualisht, në kushtet e sotme, kur është i vetëm. Mirdita, Tropoja, Puka, Dibra kanë një folk aq të pasur, sa duhen vite që t’i eksplorosh. Është puna e kompozitorëve, detyra e tyre që të kërkojnë në këtë folk, që është si një minierë ari, për t’i zbuluar nga pluhuri i harresës.
Kush i këndon tjetër, këngët e Veriut?
Remzi Osmani, motrat Mustafa, janë disa nga kosovaret që këndojnë folkun verior. Dhe i këndojnë bukur, duke shtuar dhe audiencën.
Sot po flitet shumë për muzikën tallava. Çfarë rryme është kjo dhe a pëlqehet kjo lloj gjinie muzikore?
Tallavaja është muzikë e grave maqedonase, në kufi me Bullgarinë. Këto këngë këndohen nga gratë në dhomat e shtëpisë, kur vishet dhëndri. Kjo lloj muzike është emigruar. Në fillim është marrë nga romët e Shqipërisë. Është një rrymë muzikore, që edhe në Shqipëri, në vitet 1994 deri 2002, pati përhapje. Ndërsa sot është në modë kryesisht, në Kosovë dhe shqiptarët e Maqedonisë.
Si ju presin në Kosovë, apo në trevat shqiptare të Maqedonisë, a Malit të Zi?
Siç e merr me mend. Në këto vende, artisti respektohet. Na presin sikur të jemi princër. Janë popull që ka emigruar dhe dinë të vlerësojnë. Këtu respektohet më mirë politikani. Artisti shihet si mjeran.
Kur ke kënduar për herë të parë, Artan?
Kam kënduar në Festivalin e 22-të për Fëmijë, në Tiranë. Ishte viti 1981. Isha ende në shkollë 8-vjeçare. Vangjel Petushi dhe Robert Radoja, ishin organizatorët e festivalit.
Bjeri gajdes gajdexhi
(Varianti origjinal)
Nuk ka dasëm o, pa daulle,
nuk ka valle o, pa valltar,
ju këndoni edhe vallëzoni,
sot kjo dasëm mos të pushoj!
Bjeri gajdes gajdexhi,
bjeri mos të thahet dora,
gajdexhi o, djal i ri,
ooooo të erdhi oraaa!
Bjeri gajdes gajdexhi,
bjeri mos të thahet dora,
gajdexhi o, djal i ri,
ooooo të erdhi oraaa!
Sot gëzojnë të gjithë dasmorët,
hedhin valle edhe këndojnë,
po martojnë djalin e ri,
bjeri gajdes, oooo gajdexhi!
Bjeri gajdes gajdexhi,
bjeri mos të thahet dora,
gajdexhi o, djal i ri,
ooooo të erdhi oraaa!
Bjeri gajdes gajdexhi,
bjeri mos të thahet dora,
gajdexhi o, djal i ri,
ooooo të erdhi oraaa!
Varianti i dytë i ripunuar
Sot ka festë e gjithë Shqipëria
Hidhet vallja e nuk pushon,
Gëzim plot shpërthen hareja…
Bjeri gajdes o mor djalooo (hejjj)
Ref
Bjeri gajdes gajdexhi,
bjeri mos të thahet dora,
gajdexhi o, djal i ri,
sot feston Kosova.
II
Po martohet malësori
Shtat palë lodra gjëmojnë malet,
k’ndon Malësia shend e ver!,
Dhe gëzimi s’nalet, s’nalet,
dasëm e madhe bahet n’verë.
Ref.:
Hej, hej, hej!
Po martohet malësori,
çobaneshën mori.
Nusja e bukur bel’n e hollë,
si shqiponja n’mal me borë.
*
Po bjen fy’lli çiftelia,
K’ndon Malësia shend e verë.
Mirëseardh’t ju pret Malësia,
bukë e kryp e zemër t’bardhë.
Ref.:
Hej, hej, hej!
Po martohet malësori,
çobaneshën mori.
Nusja e bukur bel’n e hollë,
si shqiponja n’mal me borë