INTERVISTA/ Flet “Mjeshtri i Madh”, dirigjenti Ermir Dizdari: Festivali i vitit 1988 për mendimin tim ka qenë festivali më i arrirë nga të gjithë festivalet.

-Festivali Folklorik i Gjirokastrës në vitin 1967 u zhvillua në Lezhë dhe më vonë, pas atij viti një herë në çdo 5 vjet zhvillohej vetëm në Gjirokastër.
-Enver Hoxha: Si ka mundësi që të jetë një orkestër kaq e kompletuar dhe në Durrës?!
– Që nga viti 1968 kam qenë pjesëmarrës në të gjitha festivalet herë si Udhëheqës Artistik i Ansamblit të Durrësit herë si Udhëheqës Artistik i të gjithë Festivalit.
Rita Marko ka qenë Sekretari i Parë që e donte shumë artin
Mjeshtri Dizdari është njohësi më i mirë i Festivaleve të Gjirokastrës. Thuajse përvecc këtij Festivali ai ka qenë prezent si drejtues i rretheve dhe në qendër. Por këtë vit ccuditërisht nuk është thirrur? Njeriu që quhet historian i Festivaleve të Gjirokastrës është lënë në hije këtë vit. Një njeri energjik, i sinqertë, që gjithë jetën ja ka kushtuar muzikës. Para disa vitesh ai ka marrë titullin “Mjeshtri i Madh”, por megjithatë ai mbetet po aq modest dhe i thjeshtë si më parë. I përket brezit të parë të dirigjentëve të përgatitur në Shqipëri, ku sipas tij përgatitja ka qenë e një niveli të lartë, pasi pedagogët e tij kishin mbaruar në shkollat më të mira të Rusisë, Çekisë, Hungarisë, Rumanisë.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
– Gjirokastra për një javë do të jetë kryeqyteti i kulturës shqiptare, ndërsa performancat e mw tepër se 1200 artistëve do të shtrihen jo vetëm në kala, por edhe në zona të ndryshme të qytetit. Kujtojmë se edicioni i parë i këtij festivali ‘Sofra e Trashëgimisë Shqiptare’ është çelur në 11 tetor të vitit 1968 në qytetin muze të Gjirokastrës duke u konsideruar asokohe si një festival unikal në ruajtjen, mbrojtjen dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore në Shqipëri. Si do ta cilësoni këtë Festival “Gjirokastra 2023”?
Festivali që filloi në datë 24 në Gjirokastër është një event i madh, një event i rrallë i kulturës shqiptare. Kam qenë për shumë vite Drejtor Artistik i këtij festivali dhe kam shumë mbresa. Kam shumë kujtime. Thuajse kam qenë present që kur filloi në vitin 1968. Ose më saktë që nga viti 1968 kam qenë pjesëmarrës në të gjitha festivalet herë si Udhëheqës Artistik i Ansamblit të Durrësit herë si Udhëheqës Artistik i të gjithë Festivalit. Kam shumë kujtime. Kam bërë disa libra për këtë Festival. E njoh me detaje mënyrën se si zhvillohet. Por ccuditërisht këtë vit nuk më ftuan. Ndoshta kanë të drejtë pasi ka emra të rinj. Por të them të drejtën e vlerësoj shumë zhvillimin e këtij festivali. Është manifestimi më i madh kulturor shqiptar. Ky Festival ka historikun më të lavdishëm. Pavarësisht se kam disa minikritika sërish ai mbetet gjigand. I papërsëritshëm. Një nga gabimet besoj se është se s’ka përse të jetë eksluzivitet i TV Klan, por i RTSH sicc ka qenë. E dyta nuk më pëlqen logoja, nuk tregon aspektin historik, datëzimin dhe zhvillimin konkret. Një detaj i vogël, por që hulumtuesit e folklorit do ta vënë re në një situatë ccfarëdo apo në një kohë të caktuar.
Kur ka filluar për herë të parë shkolla shqiptare e dirigjimit?
Kjo shkollë ka filluar në janar të vitit 1962 me hapjen e Konservatorit shtetëror të Tiranës. Dirigjentët që kishin përvojë apo që ishin më të njohurit në atë kohë, që kishin studiuar të gjithë jashtë ndër shkollat më të mira, ishin dhe pedagogët tanë.
Pra ti je në brezin e parë të dirigjentëve në Konservatorin shqiptar?
Po unë bëj pjesë në atë plejadë, që përfshihen në brezin e parë të dirigjentëve të përgatitur apo të mësuar në Shqipëri. Gjithsej ne ishim 10 studentë, që inauguruam këtë degë. Mbaruam në vitin 1966. Qysh në hapjen e saj po përgatiteshin disa lloj dirigjentësh, si dirigjent orkestre, orkestre frymore, dirigjent kori. Pra që në fillimet e saj kjo shkollë hapi të gjitha degët e dirigjentëve, që t’i përshtateshin kërkesave të vendit.
Cilët ishin pedagogët tuaj të parë?
Midis tyre unë do të veçoj Mustafa Krantja, Rifat Teqja, Milto Vako, Simon Gjoni. Të katër këta ishin mjeshtra të dirigjimit, që kishin mbaruar shkollat jashtë me rezultate të shkëlqyera. Madje, doja të thoja se ata kishin bërë emër që në fillimet e tyre në këtë profesion. Milto Vako dhe Rifat Teqja kishin mbaruar në Konservatorin e Moskës, Simon Gjoni në Konseravtorin e Pragës, Mustafa Krantja që ishte njëkohësisht dhe violinist i shkëlqyer kishte mbaruar sërishmi në Pragë.
Më vonë a u rrit numri i studentëve në Konservator për dirigjent?
Sigurisht. Për çdo vit u rrit numri i studentëve duke pasur parasysh kërkesat. Pasi kërkoheshin dirigjentë dhe për bandat e rretheve, por edhe për orkestrat këtu në Tiranë dhe orkestrat e rretheve.
Para se të vinit në Konservator, a kishte shkolla për parapërgatitjen muzikore të studentëve?
Po, në fillim ishin shkollat 7-vjeçare të muzikës, por të cilat më vonë u bënë shkolla të mesme të muzikës, ku duhet të përmend Shkodrën, Durrësin, Elbasanin dhe Korçwn. Pra katër shkolla të mesme të muzikës, në qytete kryesore, të cilat morën fytyrë në fillim të viteve 1970. Këto shkolla dhe ato 7-vjeçare kishin lëndët kryesore të muzikës, violinë, piano, violonçeli dhe nga klasa e pestë, fillonin dhe instrumentet e frymës, si flaut, klarinetë, apo fizarmonika, kitara, etj. Fillimet e viteve 1970, në të 27 rrethet, aq sa ishte ndarja administrative e Shqipërisë, e gjetën Shqipërinë me 27 shkolla 7-vjeçare të muzikës, që nga Kukësi Tropoja deri në Sarandë. Kryesisht mësoheshin lëndët që thashë më lart. Pra ndërsa 4 qytete kryesore shkollat e muzikës nga 7-vjeçare i bënë të mesme. Në vite të ndryshme u bënë dhe 5 shkolla të tjera të mesme të muzikës siç ishin Fieri, Vlora, Gjirokastra, Berati dhe në Peshkopi. Edhe Konservatori në të gjithë këto vite, duke ndryshuar dhe emrin ka nxjerrë mjaft kuadro si kompozitorë, dirigjentw, muzikologë (teoritikë). Kështu doli një trupë pedagogjike mjaft e kualifikuar.
Kishte ndonjë veçori në zgjedhjen e godinave të këtyre shkollave?
Sigurisht, duke pasur parasysh që do jepeshin koncerte, zgjidheshin që godinat të ishin sa më në qendër të qyteteve. Madje, godinat do të ishin më të mirat e asaj kohe.
Kush ka qenë në grupin tuaj të parë të përgatitjes së dirigjentëve?
Ishim dhjetë vetë si më poshtë: Ferdinand Deda, unë, Kristofor Xhokaxhiu, Andon Qirko, Syri Rroi, Fatmir Foçi (dirigjent i Bandës së Ushtrisë), Sotiraq Nimali, Kristaq Qirko.
Po Eno Koço?
Eno Koço ka ardhur më mbrapa, pasi në fillim ka studiuar për violinë dhe pas disa vitesh u regjistrua në klasën e dirigjimit me Simon Gjonin, pasi bëri lëndët plotësuese të dirigjimit dhe përfundoi studimet për dirigjent, ku dhe punoi pjesën më të madhe të jetës.
Si ka qenë shkolla jonë e dirigjimit?
Jo vetëm dirigjimi, por të gjitha degët e Konservatorit të Arteve kanë qenë mjaft të mira. Vetë fakti ka treguar se jo vetëm këtu, por të gjithë ata që kanë studiuar për vegla muzikore, dirigjentët, etj., kanë zënë vende të mira në të gjithë vendet e botës, ku kanë shkuar. Kjo pasi pedagogët tanë kishin mbaruar në shkollat më të mira të Europës, si në Rusi, Çeki, Leningrad, Berlin, Varshavë që edhe sot janë shkolla me emër. Ne kishim shumë kërkesë llogarie në shkollë, shumë discipline, por edhe bazë materiale kishim.
Mbasi mbaruat Konservatorin ku ju caktuan dhe kur u zhvillua Festivali parë në Gjirokastër?
Fill pas studimeve mua më caktuan në Durrës, në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” dirigjent dhe përgjegjës muzike. Kështu e kishte organika në atë kohë. Pallati i Kulturës në strukturën e aktiviteteve, që bëheshin kishte në program Festivalet Kombëtare, i Ansambleve artistike, takime Kombëtare tw Festivaleve Folklorike që më vonë u quajt Festivali i Gjirokastrës. Në vitin 1968-s u zhvillua Festivali në Gjirokastër.
Çfarë takimesh keni zhvilluar?
Po një nga aktivitetet ishte festivali i bandave. Rrethet e kategorisë së parë kishin banda (36-40 vetë), ndërsa qytetet e kategorisë së dytë dhe qytetet e vegjël fanfara, si Shijaku, Kavaja, Peqini, pastaj qytete të vegjël apo qyteza kishin po fanfara (18-20 vetë). Më vonë pas vitit 1970 katër rrethet që kishin shkollat e mesme të muzikës furnizonin me artistë instrumentistë fanfarat apo bandat në qytet, ku ishin. Edhe ne, në Durrës me këta elementë furnizoheshim. Ndërsa vetëm Tirana në atë kohë kishte formacione profesioniste. Ishte kryeqytet.
Ç’do të thotë?
Do të thotë që Tirana bënte përjashtim, kishte një tjetër vlerësim, pasi kishte institucione të specializuara në fushën e muzikës si RTSH, orkestra e Akademisë, TOB, Ansambli i Këngëve dhe Valleve, ndërsa të gjithë qytetet e tjera i kishin instrumentistët mbi baza vullnetare, por kishin dhe njëfarë shpërblimi pasi ishin formacione të stabilizuara, pasi vinin jashtë orarit të punës.
Cilat nga aktivitetet në rang Kombëtar veç Festivalit të Gjirokastrës do të veçonit?
Takimet Kombëtare të Ansambleve të rretheve. Ato bëheshin në qytete të ndryshme. Në vitin 1966 ishte bërë në Durrës dhe çdo vit ndryshonte. prill 1969 u bë në Vlorë, edhe në 1984 prapë në Durrës në Pallat të Sportit. Takimi i bandave në vitin 1969, e me radhë.
Ju keni qenë në të gjithë festivalet e Gjirokastrës?
Po, që nga viti 1968 kam qenë pjesëmarrës në të gjitha festivalet herë si Udhëheqës Artistik i Ansamblit të Durrësit herë si Udhëheqës Artistik i të gjithë Festivalit.
Në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 1968 me çfarë pjesësh keni marrë pjesë?
Por kishim disa pjesë, pasi në rrethin e Durrësit merrnin pjesë edhe Shijaku, Kavaja, Rrogozhina, Ishmi, që kishin disa veshje dhe këngë të veçanta. Ne kishim bërë si një “ekspeditë” në të gjithë zonat si të Ishmit dhe deri në fshatrat e Kavajës, duke zgjedhur kostumet më të bukura dhe këngët më të veçanta të folkut tonë. Atëherë kishim shumë kontroll të fortë, nga Instituti i Kulturës Popullore dhe nga Akademia e Shkencave. Teknikisht të gjithë Festivalet e Gjirokastrës i udhëhiqnin këto dy institucione, ndërsa direkt Festivalin e drejtonte Ministria e Arsimit dhe Kulturës. Dy institucionet shikonin në detaj muzikën, kostumet popullore, veglat muzikore sa ishin specifike ato, sa gjetje kishin. Këto dy institucione gjithë jetën e tyre e kishin kaluar nëpër ekspedita për këta elementë që përfshinte Festivali. Rrinin me muaj duke marrë kontakte me burra dhe gra të vjetra, apo me njerëz bartës të folklorit, valltar, këngëtar, muzikant, etj. Kur shkonin këta specialistë populli apo vatrat e kulturës, apo Pallatet e Kulturës ishin parapërgatitur. Pra kërkesa e llogarisë ishte në maksimum.
Gjatë kontrollit të veshjeve dhe këngëve për Festival, specialistët, a ju kanë nxjerrë ndonjë problem?
Po. Rrok Zoisi, Andromaqi Hadëri na bënë namin që ne kishim grupin e valleve me dimiq, kostum i veshjes së Shqipërisë së mesme. Kjo veshje sipas tyre ka ardhur nga orienti, nuk është veshja jonë tradicionale. Copa nuk ishte me punim me dorë, zejtarie, por prodhim fabrike. Na thanë që këto veshje do ndryshojnë dhe do bëhen punime me vegjw, do shkoni në Krujë, ku është një grua që punon me vegjw që rrobat të jenë origjinale. Ju mund të nxirrni një valle me këtë kostum, sepse ka hyrw tek ne, sepse mjeshtrat shqiptarë i kanë punuar, por janë të huazuara. Dhe ne, në Festival një valle e bëmë me këtë veshje.
Edhe ju në Durrës kishit bandë?
Po bandë, por ishte me instrumentistë shumë të mirë. Dhe pse të rinj ata kishin shumë dëshirë. Punonin shumë në kohën e lirë.
-Në gjithë këto parapërgatitje dhe në këto përzgjedhje a vinin nga Komiteti i Partisë për kontroll?
Nga Komiteti i Partisë jo, pasi vinin nga dy institucionet e specializuara, por ata sillnin kontrolle rutinë, për të parë mbarëvajtjen e punës për në festival.
Kush ishte Sekretar i Parë i Partisë në atë kohë në Durrës?
Ishte Rita Marko. Një njeri shumë serioz, qe nuk hynte vend e pa vend. Ishte rigoroz dhe tepër korrekt.
Po kur zhvillonit koncerte a vinte Rita Marko?
Ne në Durrës kishim shumë veprimtari dhe thuajse në të gjitha herët Sekretari i Parë, Rita Marko, ishte i pranishëm. Ai vinte familjarisht dhe na uronte. Ishte i dhënë pas koncerteve, e pëlqente muzikën. Kurrë nuk na ndërhyri në punë, madje na përkrahte. Pas tij Sekretar i Parë në Durrës, erdhi Iljaz Reka. Edhe për të ruaj kujtime të mira. Unë nuk gjykoj sistemin, por punën time.
Në fillimet e tua me këta instrumentistë të rinj, cilën pjesë që vutë në skenë do të veçoje?
Ne menjëherë ju përveshëm punës. Por ajo që do të veçoj është se ne me këto instrumentistë të rinj më vonë vumë në skenë operën “Bijtë e Skënderbeut”, të Adbulla Grimci, kompozitor dhe libret të Matish Gjeluci. Pra opera e parë në Durrës. As që mendohej të vihej një opera përveç Tiranës në një qytet si Durrësi. Ishte një punë e madhe.
A pati sukses opera?
Jashtëzakonisht sukses. I paparashikuar. Ishte pikërisht ky sukses, pra fama që bëri ajo që ne na kërkuan të shkonim në Tiranë dhe ta jepnim aty shfaqjen. Mbas 5-6 ditësh ne shkuam në Tiranë në Teatrin e Operës dhe të Baletit. Vazhduam 4-5 net rresht shfaqje. Pra çdo gjë jashtë parashikimit. Në natën e pestë erdhi edhe Enver Hoxha me Nexhmijen dhe gjithë Byroja Politike. Ne ishim shumë të emocionuar. Rrinim si mbi gjemba. S’bëhej shaka me Enver Hoxhën.
-Në fund të shfaqjes, cili ishte vlerësimi i Enverit?
Ne prisnim si të hutuar. Një fjalë e tij e keqe të zhyste. Por ai me një buzëqeshje na bëri një vlerësim të tillë duke na thënë: Si ka mundësi që të jetë një orkestër kaq e kompletuar dhe në Durrës?! Ju lumtë! Ishte një shfaqje e bukur”. Sikur u çliruam nga emocionet. Hoqëm një barrë nga vetja. Ky vlerësim ishte i madh për ne, madje special. Dihet se në atë kohë ishte vetëm orkestra e Teatrit të Operës. Orkestra e Radios sapo kishte filluar të ngrihej. Pra ishim një orkestër modeste që dhamë një shfaqje profesionale. Pas kësaj shfaqjeje filluan koncertet me radhë… koncertet simfonike, festivalet e këngës, takimet kombëtare për klasën punëtore dhe për pionierë. Pati aktivitete të shumta mbas viteve ‘60.
-A e ke dirigjuar ndonjëherë orkestrën e Radio -Televizionit?
Kohë shumë pas krijimit, pasi unë deri në vitet 1986, isha në Durrës. Në vitin 1986 erdha në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës si specialist në Drejtorinë e Artit, ku kam pasur fatin të kem zv/ministër, Alfred Uçin dhe Drejtor i Drejtorisë së Arteve ishte shkrimtari Vath Koreshi. Këto ishin dy intelektualë të kompletuar. Ajo ka qenë një periudhë e artë. Pikërisht, në këtë periudhë unë kam drejtuar herë pas here Orkestrën Simfonike të Radios dhe të Teatrit të Operës duke dhënë simfoni, koncerte si dirigjent. Kam dhënë edhe koncerte të ndryshme në Akademinë e Artit. Kam drejtuar edhe 2 Festivale të Radios (1987-88). Festivali është përgjegjësi. Aty ishte e gjithë Shqipëria. Koncertin e diplomës e kam dhënë me Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operës dhe të Baletit, ku kanë kënduar dy arie Ramiz Kovaçi dhe dy arie Nina Mula. Zëri i tyre është brilant dhe sot i kujtoj me ëndje.
-Në cilën vit ka qenë ky moment?
Ka qenë në vitin 1971. Unë ika nga shkolla pa e mbrojtur diplomën, sepse nuk ishte mundësia në atë kohë, pasi ishim kuadrot e parë që mbaruam. Mbasi vura operën dhe disa aktivitete të tjera në Durrës më dhanë leje një vit dhe unë erdha në Teatrin e Operës. Këtu vura dhe një operë tjetër “Përtej mjegullës” bëra dhe koncertin e diplomës në qershor dhe pastaj u ktheva sërishmi në Durrës.
-Si u lidhe me veprimtaritë folklorike?
Duke u marrë me grupin e Gjirokastrës atje ishte një përvojë shumë e mirë. Kur kam drejtuar orkestrën në të njëjtën kohë jam marrë edhe me veprimtaritë folklorike.
-Në sa festivale folklorike ke marrë pjesë?
Në të gjitha festivalet. Gjithmonë si Drejtor Artistik.
-A ke pasur rastin të takosh herë tjetër Enver Hoxhën në festival apo pas festivaleve?
Ka qenë viti 1968. Mbasi mbaroi festivali u bë koncerti përfundimtar në Teatrin e Operës. Nga Durrësi kisha zgjedhur grupin e Rrashbullit, me këngëtar Dervish Shaqen dhe një kërcimtare me emrin Merushe. Ato këndonin këngë patriotike dhe këngë trimërie. Unë bashke me grupin u ndodha në skenë dhe kur mbaroi shfaqja, Enver Hoxha erdhi në skenë i falënderoi të gjithë duke na dhënë dorën dhe duke na thënë “Ju lumtë na mrekulluat!”.
-Kush ka qenë Festivali më i bukur nga Festivalet e Gjirokastrës?
Festivali i vitit 1988 për mendimin tim ka qenë festivali më i arrirë nga të gjithë festivalet.
Çfarë institucionesh kulturore ke drejtuar në këtë periudhë?
Në këtë periudhë u nda Teatri i Operës nga Ansambli dhe unë shkova si Drejtor në Ansamblin e Shtetit 3-4 vjet dhe më pas Drejtor i Qendrës kombëtare folklorike. Vendi i punës dhe jeta mua më lidhën edhe me veprimtaritë folklorike. Këto ishin me formë ekspeditash. U krijua një lidhje shpirtërore edhe me folklorin. Kësaj iu përkushtova edhe shumë kohë. Unë kam disa vite që kam dalë në pension, por duke pasur këto lidhje mua më vjen mirë të punoj jo vetëm si pedagog i jashtëm në Akademi, por edhe si drejtues i shumë aktiviteteve në Shqipëri dhe Kosovë. Këtë vit kam qenë edhe në festivalin e Drenasit. Drenasi është një qytezë e vogël 20-30 km nga Prishtina. Festivalin ata e kanë nisur që në vitin 1961 dhe e kanë mbajtur rregullisht çdo 4 vjet. Në kohën e Luftës e kanë ndërprerë dhe menjëherë pas luftës e kanë vazhduar.