Flet Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh”:
Festivali i Pilurit është një festival tipologjik që promovon këngën e bukur polifonike të jugut
-Para 60 vitesh të gjitha makinat, që vinin nga Saranda për në Vlorë e Tiranë nuk kalonin nga Porto Romano, e cila ishte shpallur zonë ushtarake.
-Risitë e polifonisë të grupeve “Ballkoni i Vlorës”, “Djemtë e hanit të bardhë“. “Nektari i polifonisë“, “Grupi i vajzave të ansamblit “Çam”, “Krahu i shqiponjës”, grupi “Amantia” dhe grupi i “valleve Finiq”.
– Në kontrast me grupin e grave të Çamërisë erdhi në festival grupi i grave të Finiqit si përfaqësues e trevës së minoritetit grek në Shqipëri.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Në datat 9-10 qershor në Pilur u organizua Festivali i katërt “ Netët e Bejkës Bardhë”.
Me mbështetjen e Bashkisë Himarë dhe disa deputetëve, Asambli Folklorik “ Bejkë e bardhë” si çdo vit tjetër organizoi festivalin folklorik me pjesëmarrjen e shumë grupeve folklorike nga bashkitë e Jugut. Në këtë event ishin dhe grupe përshëndetëse nga Presheva dhe Janina. Në të dy netët konkuruan 12 grupe polifonike dhe përshëndetën 4 grupe. Ishin gjithsej rreth 130 pjesëmarrës festivalistë. Nderuan me pjesmarrjen e tyre disa personalitete të artit, kulturës, shoqatave dhe politikës. Juria e këtij festivali ishin Prof. Afërdita Onuzi, etnografe “Mjeshtre e Madhe”, studiuese pasionante e nivel të lartë shkencor. Maestro Zhani Ciko “Mjeshtër i Madh”. Dirigjenti, organizatori i talentuar, Arben Bllaci dhe Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh”:

-Ju ishit në Jurinë e Festivalit të katërt “Netët e Bejkës Bardhë ”, si e përjetuat këtë event të Polifonisë? Mund të na thoni disa impresione nga dita e nisjes deri në mbërritje, pasi tashmë rrugët për në Himarë janë shkurtuar ndjeshëm?
-U nisëm nga Tirana për në Pilurin e Lefter Çipës në Festivalit e Polifonisë “Bejkë e bardhë“. Prof. Afërdita Onuzi, etnografe “Mjeshtre e Madhe”, studiuese pasionante e nivel të lartë shkencor, maestro Zhani Ciko “Mjeshtër Madh”, dirigjenti, organizatori i talentuar, Arben Bllaci dhe unë në përbërje të jurisë të këtij festivali. Po vijon në Pilur mbas 60 vitesh mbasi në atë kohë të gjitha makinat që vinin nga Saranda për në Vlorë e Tiranë nuk kalonin nga Porto Romano, e cila ishte shpallur zonë ushtarake dhe për të shkuar në Himarë rruga nga Qeparoi devijonte dhe ngjitej përpjetë për në Pilur. Nuk mbaj mend asgjë nga ai fshat i largët malor Ballkon nga një kohë i Bregut përveç Rrapit Madhështor tashmë i sistemuar që degët e tij mbulojnë gjithë sheshin. Ishte një udhëtim interesant e befasues mbasi anashkaluam Vlorën e bukur në gropë siç thotë kënga dhe u ngjitëm tatëpjetë për të përshkuar gjithë fshatrat e Lumit të Vlorës derisa mbërritëm në Pilur. Qysh nga larg vinte jehona e këngëve polifonike nga grupet pjesëmarrëse në këtë festival. Festivali i Pilurit është një festival tipologjik për të promovuar në tërë dimensionin e saj këngën polifonike të rajonit të jugut prandaj në të morën pjesë 12 grupe popullore që përfaqësonin një hapësirë gjeografike nga Saranda, Gjirokastra, Tepelena, Mallakastra e deri në Vlorë si përfaqësues të denjë të trashëgimisë folklorike të trevave ku kultivohet polifonia. Nuk kishte perënduar akoma dielli dhe të 6 grupet konkuruese të natës së parë në festival me këngë e valle të veshur me kostumet shumëngjyrëshe e të veçanta të çdo krahine nga lartësia e fshatit zbritën në sheshin e fshatit ku do të fillonte koncerti. Dashamirës të këngës polifonike- miq të korifejve të kësaj perle të folklorikës tonë, gjithë banorët e Pilurit, të ftuar, deputetë, kryetar të bashkive, gazetarë, telekronistë të televizioneve lokale nga Gjirokastra, Fieri, Vlora, Tirana mbushën sheshin e festivalit.
-Dhe momenti erdhi! Pas mbërritjes erdhi dhe Nata e parë? Si ishte ajo?
Organizatori i këtij festivali, këngëtari i mirënjohur Kristo Çipa, “Mjeshtër i Madh” u ngjit në skenë dhe hapi këtë festë të polifonisë tonë dhe së bashku me grupin polifonik të Pilurit kënduan këngën e mirësjelljes si përshëndetje për gjithë këngëtarët pjesëmarrës dhe publikun artdashës.
Grupi i parë që hapi natën e parë ishte grupi polifonik “Ballkoni i Vlorës”. Në tre këngët e tyre ata përcollën variante melodike interesante të strukturës monostrofike ku marrësi parashtron melodinë në formë recitative, pastaj e pason grupi në një rritëm të rrokëzuar nga tre korifejtë, që mbështetet nga isua si një basso- stinato duke bërë të harmonizohen zërat dhe të ndjehet bashkë tingëllimi uniform. Kështu njëri pas tjetrit në natën e parë u ngjitën në skenë gjashtë grupe polifonike si: “Ballkoni i Vlorës”, “Djemtë e hanit të bardhë“. “Nektari i polifonisë“, “Grupi i vajzave të ansamblit “Çam”, “Krahu i shqiponjës”, grupi “Amantia” dhe grupi i valleve Finiq.
-Çfarë u vu re në natën e parë?
Ajo që u vu re në koncertin e kësaj nate ishte përfaqësimi i gjashtë trevave të ndryshme etno-muzikore me veçori e kontraste që përfaqësonin identitetin e trevës nga kishin origjinën. Grupi polifonik i Zagories solli tre këngë që konstrastonin jo vetëm në variantin melodik e strukturën e grupit, por edhe në tematikën e larmishme. Këngët “Lule djemtë e Nemërçkës”, “Labëri syrin me çika” i bashkonte tema patriotike, prandaj ishin ndërtuar në variantin epik të këngës polifonike.
Në festival u paraqitën dy grupe valle, njeri i grave të Çamërisë dhe tjetri i grave të Fiqinit. Në vallen e kërcyer nga gratë e Çamërisë ndjehej aroma e motiveve të kësaj treve si variant i veçantë me ato të trevave të tjera duke sjellë identitetin e vet të trashëguar në breza me tërë dashurinë e shpirtit. Ajo që dominoi në këto valle ishin lëvizjet koreografike ku ndjehej eleganca e këtyre valltareve të talentuara, që sollën plot hijeshi motivet e lirikës çame. Në kontrast me grupin e grave të Çamërisë erdhi në festival grupi i grave të Finiqit si përfaqësues e trevës së minoritetit grek në Shqipëri. 11 gra të zëna me duar me njëra tjetrën me një motiv muzikor të trevës nga vinin kënduan greqisht e me lëvizje koreografike interesante vallet e tyre herë të kënduara e herë të kërcyera e të shoqëruara nga këngëtari dhe orkestra e sazeve. Në të gjitha grupet e kësaj nate u ndje pasioni dhe dashuria për këngën polifonike jo vetëm në këngët e mirënjohura me një aktivitet të gjërë artistik, por edhe tek të rinjtë, që nuk munguan në çdo grup. Veçanërisht e evidentuar kjo tek grupi “Djemtë e Delvinës”, i përbërë vetëm me të rinj, çka tregon se folklori tek ne nuk është një shprehje e së kaluarës, por dukuri dhe veprimtari e kohës duke bërë realitet trashëgiminë që na kanë lënë prindërit tanë, prandaj e kemi këtë pasuri të jashtëzakonshme nga ata deri në ditët e sotme.
-Njëkohësisht në këtë festival pati edhe promovime librash?
Në paraditen e ditës së dytë të festivalit u organizua promovimi i tre librave me poezi me autorë tre zonja të nderuara, që ishin librat e parë të tyre të botuar. Autoria Vasillo Zapa. Koka solli librin “ Si vala pas shkëmbit”, autorja Adriana Kangjini Bala solli librin “Me penë e shkruaj mallin” dhe autorja Shqiponja Pazaj me librin “Selman Pazaj, portret i gdhendur në gur”.
Ishte një takim interesant e mbresëlënës me këto tre zonja dhe njohja me librat e tyre. I veçantë dhe emocionues ishte të takoja Vasillo Zapa. Koka pas kaq vitesh këngëtaren e talentuar dhe të mirënjohur që këndoi me zë melodioz e plot pasion këngën e princit të polifonisë Lefter Çipa “Bejkë e badhë“, që u bë hit i Festivalit të Gjirokastrës të vitit 1983 dhe që Festivali i Polifonisë në Pilur e vuri si simbol të këtij manifestimi. Me shkëmbime mendimesh dhe vlerësime të ndjera për tre zonjat autore të librave u mbyll ky takim interesant.
-Të vijmë tek nata e dytë. Besoj momente po kaq interesante dhe këngë të bukura?
Nata e dytë u zhvillua në një sallë të vogël aty pranë sheshit të festivalit mbas një ere të furishme, që i tundte degët e Rrapit Madhështor si dallgët e detit na detyroi të spostoheshim nga skena megjithatë të dëgjosh një grup polifonik aq afër është emocioniese. Grupi polifonik “Selam Musa Salaria”, ishte i pari që çeli këtë mbrëmje të veçantë. 10 burra me qëndrim statik të veshur me poture, jelek dhe qeleshen e bardhë mbi kokë si kostumi simbol i labit filluan këngën ku marrësi me një zë epik e të fuqishëm mbështetur nga kthyesi, hedhësi dhe isua e gjerë bëri që të kumbojë ky ambient i vogël. E veçanta e përmbajtjes së këngëve të tyre ishte se ato i kushtoheshin luftëtarit legjendar Selam Musa Salarisë ku thuhej: “O Selam – eja se na mori malli”! Një thirrje patetike kjo për ta patur pranë në këngën e tyre legjendën e Labërisë dhe kombit shqiptar. Duke dëgjuar këngën kujtesa më çoi tek poema e poetit të talentuar të Labërisë, Agim Shehu i ka kushtuar si “Ditiramb” Selam Musa Salarisë ku thotë: “Koha hedh pa prerë,/ Përmbi festën tënde,/ Dimri flokë badhë,/Vera dritë hëne.”
Nëntë burra dhe një vajzë përbënin grupin polifonik “Djemtë e Delvinës”, që u ngjitën në skenë dhe kënduan këngën: “O ju djemtë e Labërisë“ në një variant tradicional të këngës labe me strukturë monostrofike ku 4 vargjet i parashtron marrësi në formë deklamative, pastaj përsëriten nga grupi në një rritëm të rrokëzuar. Vazhduan me një këngë të karakterit lirik me titull “ Moj hëna që del në maja”, që kishte si marrëse një grua që kishte një zë të pastër e melodioz, që përcolli një melodi tradicionale. Po në këtë karakter vazhdoi edhe kënga tjetër: “Qaj o lule qaj për mua”, por me marrës një këngëtar burrë. Programi i grupit polifonik “Krojet e Velçës” ishte konstrastues si në variantin melodik, srtrukturën melodike, ndërtimin e grupit dhe përmbajtjen e tekstit. “Po gjëmon gryk e Sazanit” dhe “Ku këndojnë zogat-o” ishin këngët që i përcolli me nivel artistik ky grup polifonik miks. Lazarati i këngës- fshati që kultivon polifoninë kishte sjellë si përfaqësues në festival një grup burrash që paraqiti në program tre këngë të koncertit epik si: “Shqipëri tre vilajete” , “O po po ç’u mbush Evropa” dhe “Tek ura përmbi Përmet”. Marrësi i këngës me zë të fuqishëm paraqiste në formë deklamative variantin melodik tradicional si veçori e këtij fshati, që pastaj merrte forcë tingëlluese, kur hynte kthyesi, hedhësi dhe isua e stërgjatur në një unitet timbrik çka tregoi nivel artistik të një grupi aktiv në lëvizjen folklorike. Grupi polifonik: “Djemtë e Vlorës”, tashmë si një grup profesionist për nivelin artistik dhe aktivitetin e tij të përhershëm dhe pjesëmarrës në gjithë veprimtaritë folklorike kombëtare erdhi në këtë festival me këngë të karakterit epik si: “ Dil Bejko nga bedena” dhe të karakterit lirik si: “E bukur e lumit-o”. Si një grup veteran në lëvizjen folklorike përveç vlerave interpretative, promovimit të varianteve interesante nga folklori tradicional dhe ai bashkëkohor me korifej të talentuar me zëra të kultivuar ky grup është edhe një model pozitiv ku mund të drejtohet në eksperiencën e tyre çdo grup i ri i këngës polifonike. E mbylli këtë natë dhe krejt festivalin e Polifonisë “Bejkë e bardhë“ në Pilur grupi polifonik i Himarës. Ishte një mbyllje festive dhe emocionuese kur në skenë u ngjit Mbretëresha e Polifonisë tonë e mirënjohura, laureatja e Festivalit të Gjirokastrës Katina Bejleri. Me zërin e saj melodioz, herë të qetë e me tone shpërthyese, me një timbër të shndritshëm na eocionoi të gjithëve që e duartrokitëm gjatë. Zëra të tillë në trashëgiminë folklorike vijnë shumë rrallë mbase edhe njëherë në shekull dhe Katina Bejleri është ky shembull. Këngët e saj dhe të grupit të Himarës ishin vlerë e këtij festivali. Mbyllet kështu ky festival i polifonisë si një manifestim i bukur me këngë e valle tradicionale, këngëtarë të talentuar dhe grupe polifonike, që e këndojnë me pasion këngën e shumëzërëshit të jugut duke e transmetuar atë në breza si dhe pjesë e identitetit tonë kombëtar.
-Çfarë do veçonit nga ky Festival?
Ndonëse si festival i organizuar në një fshat për nga pjesëmarrja, niveli artistik, promovimi i korifejve dhe grupeve polifonike ishte në këtë moment si një prelud i Festivalit të Gjirokastrës, që do të hapet këtë javë në Kalanë Historike të Gjirokastrës. Drejtori i festivalit Kristo Çipa si pasionant dhe organizator i talentuar na prezantoi me të gjithë aksesorët, që duheshin për këtë festë të polifonisë nga dekori dhe sfondi i skenës deri tek mikpritja bujare në darkat ku mblidheshin grupet dhe të ftuarit duke kërcyer e kënduar në tingujt e orkestrës.
Vlerësimet e jurisë
Maestro Zhani Ciko si kryetar i jurisë në përfundim të festivali shpalli këto çmime:
-Çmimi i parë “Lefter Çipa”- grupi polifonik i Himarës.
-Çmi i dytë “Maliq Lila” grupi polifonik Lazarat.
-Çmimi i tretë “Feti Brahimi” grupi polifonik i të rinjve Delvinë.
-Çmimi i karierës “Nestesi Asllani”- grupi polifonik “Djemtë e Vlorës”.
-Çmimi special “ Haxhi Dalipi” – grupi polifonik “Nektari i polifonisë“.
-Çmimi special për interpretim mjeshtëror ju dha grupit polifonik “Djemtë e lumit të bardhë”.
Çmime individuale
-Marrësi më i mirë – çmimi “Dhimitër Varfi” Bejushe Barjami, Vasil Sera, Përparim Çunaj.
Kthyesi më i mirë – çmimi “Qirjako Bala” Agim Bajramaj.
Hedhësi më i mirë “Hyso Xhaferi” Vendim Kapaj.
Mirënjohje dhe faleminderit këngëtarëve të polifonisë, organizatorëve dhe publikut artdashës e mikpritës të Pilurit të Lefter Çipës- Ballkoni të Bregut.
Mirupafshim në Festivalin e V-të.