Fluturoj e qëndroj si shqiponja-Sheqere Sina


Dua të fluturoj si shqiponjë;

T’u jap zemër që gjithmonë të qëndroni.

Një klithmë e imja, plagët t’u shërojë,

dhe t’iu dua, edhe të më doni.

Unë jam dikush… në dimër edhe verë,

nëpër lugina e përmbi lumenj,

qëndroj e lirë, e lirë fluturoj përherë,

dhe mbi shkëmbinj, folenë time gjej.

Heshtin trishtuar, lëndinëzat me bar;

Ka kohë që këmborë s’kam dëgjuar.

Unë jam këtu, dhe qiejtë peng i marr,

edhe çuditem, blegërimat ku kanë shkuar?

Ç’u bë bariu me fyell nëpër stane,

ç’u bënë stanet, në ç’mjegulla u heshtën?

Mos rri i trishtuar, me kërrabë përmbi male?

Mos vallë me borën, ëndrrat e hershme tretën?

Vjen një zë në shpirt, më dhëmb .

S’ mbeti fushë, s’mbeti as shkëmb.

Vjen e ikën, trumbë-zogjsh varg…

S’mbet as shpresë, këtu e larg…

Jam këtu. Dhe jam shqiponjë,

e kam trup, gjithë vendin tim.

Rri këtu kush të më dojë!

Vjen këtu ç’është gjaku im!