Forma të çuditshme-Preng Maca


Preng Maca

Forma të çuditshme

më sheh çuditshëm dhe papritur,

ndjehem i rrethuar nga një dashuri sfilitëse.

sa shpesh mendoj ,

se cili njeri i dashur që nuk është tashmë,

ka zgjedhur të më shohë me sytë e tu të butë,

duke më ndëshkuar,

ndoshta për faktin, se ndonjërin edhe mund ta kem harruar.

bëj përpjekje t’i sjell ndërmend

të gjithë ata që nuk janë prej kohësh.

“natyrë e përsosur,

a thua po luan me mua ,

e ke zgjedhur këtë qen të më thuash,

se asnjeri prej nesh nuk zhduket ,

por ndërron formë,

ndaj duhet ta kujtosh e të mos harrohesh ,

pas gjërave robëruese e të përditshme të botës?”

oh, qen i dashur sytë e tu,

të kujt janë këta sy që më shohin kështu?!

më përkëdhelesh nëpër këmbë,

unë…në grykë i kam lotët!”

About Post Author