Fragment nga novela :”Passhpinët”:Boris Miska


Fragment nga novela ‘Passhpinët’.

…Bujari këmbehej shpesh korridoreve të universitetit me studenten nga Tirana, e quanin Aurora, ndiqte degën e arkitekturës në vitin e dytë inxhinieri ndërtimi.
Përballjet e shpeshta e ngarkonin me emocione të bukura. Shikoheshin, buzëqeshnin, luanin në distancë dhe kur largoheshin e merrnin njëri-tjetrin me vete.
Aurora hyri natyrshëm në jetën e tij, e mendonte çdo çast, ajo e kishte shkëputur nga shenimet, i’a kishte marrë vëmendjen e leksionit, ai rrinte gjithnjë aty tek banga i menduar pranë dritares, gjumi i ishte lehtësuar.
Çdo mëngjes ngutej në hapa me padurimin për ta gjetur sërish, t’ia prekte sytë, rozën e faqeve, dallgën e kaçurrelave mbi supe, t’ia vështronte gjatë atë largimin plot hire e ledha.
E ndjente shumë pranë, i’a përkëdhelte ëmbël flladin e flokëve, butësinë e lëkurës së bardhë, ngrohtësinë e zërit, qershinë e buzëve, gropëzat e formuara në faqe.
Ky lodrim po e tërhiqte përherë e më shumë, ishte afruar aq pranë saj ndaj e kërkonte me padurim çastin e prekjes.
Pati hezituar ta ndalte, s’e dinte përsenë e mosngutjes, ndoshta kjo i dukej si diçka vulgare, dëshirën e vet nuk donte ta përziente me këtë lloj sjellje të zakonshme, xhest që rëndom e shihje përditë në trotuaret e rrugët e kryeqytetit.
Ndjenja e tij nuk ishte tundim, ishte tjetër gjë, kërkonte më shumë dinjitet, s’pranonte ta thjeshtonte.
Nuk ishte hera e parë që ai përjetonte flirte të tilla, por kjo ndryshonte, ishte tjetër gjë, nuk qe kalimtare, kishte hyrë dhe po qëndronte brenda tij, e butë e ngrohtë, ndjenjë e fortë që po i’a ndriçonte shpirtin.
Bujarit iu kujtua mbrëmja e fundshtatorit kur e takoi për herë të parë Aurorën.
Sapo mbaruan lojën e basketbollit tek palestra e institutit të arteve, ai bashkë me njërin nga shokët patën mbetur të fundit, po dilnin për nga sheshi i universitetit me çantat e sportit në shpinë.
Të dy kishin të njejtën gjatësi, Raqi vinte pak i shëndetshëm, trupin e mbante gjithnjë drejtë, i pashëm, me flokë të zeza e të krehura anash.
Ishte i vetmi shok të cilit Bujari i pati treguar për ndjenjën e tij të sapolindur.
Po debatonin për ndeshjen ndalur buzë trotuarit, neonet ndriçonin zbehtë hapsirën e ansamblit të godinave të gurta në stil romak, ndërsa dritaret e korpusit universitarë ishin të gjitha ende me drita ndezur.
Tërhequr pas bisedës plot pasion, Bujari i kthyer me shpinë nuk po vinte re grupet e studentëve të mbrëmjes që nisën vërshimin me ngut drejtë bulevardit.
-Mos e kthe kokën prapa, i pëshpëriti Raqi me zë të ulur, po të vjen Aurora.
Bujari mendoi se e kishte për shaka ngaqë ai buzëqeshi, ndaj u rrotullua instiktivisht pas dhe dalloi vërtetë siluetën e saj të gjatë, ajo ishte disa hapa pranë tyre.
-Rora, i thirri shoku!
-U Raqi, ndali e befasuar, po ti ç’ne këtu!
-Basketboll goce, luajm dy-tre herë në javë, i’u përgjigj ai duke i treguar çantën me bluzat e sportit në sup.
-U drejtua fillimisht nga ajo, njihuni.
-Aurora, shoqja ime e fakultetit, Bujari shoku im i basketbollit.
Aurora zgjati dorën, qeshi pak dhe e përshëndeti lehtë me kokë.
Buzëqeshja mbuluar nga tisi i mbrëmjes i’u shfaq më e ëmbël, kokën e mbante pak anash si në turp, ndërsa hunda e vogël e vendosur midis syve të mëdhenjë plot gjallëri ngjante më e bukur.
Çdo gjë rrodhi aq shpejt, ndjeu valën e nxehtë që u ngjit në fytyrë, por falenderoi pakndriçimin që i’a fshehu skuqjen e portretit nga ndodhia e papritur.
Emocionin mbrëmja i’a pati mbuluar edhe Aurorës, por e tradhëtonte fishkëllima e lehtë e hundëve nga frymëmarrja e shpeshtë.
-Ku e ke Almën, pse vetëm sonte, e ngau bisedën i pari Raqi!
-E more vesh, ne grupit të dytë na e kaluan mësimin pasdreke, foli Aurora.
-Dega jonë u shtua me tre grupe, nuk ka auditore.
-Shkollë nate, e ngacmoi me shaka Raqi, i’u prishën punë, ma tha dje Ladi, ishte shumë e mërzitur.
Ndërkohë që ata shkëmbenin bisedat e para, Bujari pa vetëdije e kalonte topin e basketbollit sa nga njëra dorë tek tjetra duke hedhur sytë herë tek shoku e herë tek Aurora.
-Hë çuno, na thuj ndonjë fjalë, apo do fillojmë me pasime, e ngau Raqi!
Qeshën të tre.
Bujari vendosi topin nën sqetullën e majtë, e shtrëgoi fort dhe po mendonte orarin e mësimit të mbrëmjes, duhet të ishte e mërzitshme, sidomos tani që dita po shkurtohej.
Megjithatë brenda vetes u ndje i çliruar, në shpresë e besim se rasti i’a kishte sjellë si me dorë momentin për t’u takuar në ditët e ardhshme me Aurorën.
Edhe pse qëndronte pa folur, Bujari kishte shkëmbyer shikime me gocën, të cilat e ngarkuan me emocione që nuk i kishte përjetura më parë në distancë.
-Ecim atëhere, foli Raqi, jemi me djersë, do ftohemi.
Lëvizën të tre trotuarit të bulevardit, kishte grupe studentësh, njerëz që vinin në krahun e kundërt duke shëtitur me nge në mbrëmjen e freskët të fundshtatorit.
Aurora qëndronte në mes dhe herë pas here kthehej nga Bujari e vështronte me kureshti sa herë ai futej në bisedë.
Gjatë gjithë rrugëtimit kishte folur pak, megjithëse i patën prekur lehtë supet me njëri- tjetrin, sa herë dredhonin mes kalimtarëve që u vinin të shkujdesur përballë.
Ndaluan tek ura e madhe e bulevardit, në anën e majtë ku ishte kjoska ëmbëltore.
-Rora do të shoqëronim po ti e sheh vetë si jemi veshur me tuta e atlete, djersa po na thahet në trup!
-Mbrëmjen tjetër na ke këtu, të japim fjalë e nderit se do ta shlyejm ‘fajin’ e sotëm.
Aurora qeshi me shakanë e Raqit, u kthye për ta përshëndetur të parin Bujarin, duart ishin ftohur nga darka e freskët, ndoshta dhe emocionet, por ai e ndjeu ndryshe atë tokje, ishte më e ngrohtë se ajo e para tek sheshi.
Aurora u shkëput prej tyre, me hap të shpejtë mori trotuarin djathtas për nga rruga e Elbasanit, ndoshta andej e kishte shtëpinë!
Të dy qëndruan për pak çaste me shikimet e kthyera nga trotuari i ndriçuar dobët, shtati në ikje i Aurorës u zbeh ngadalë derisa humbi në errësirën e mbrëmjes.
I pari foli Raqi, ai e kishte nuhatur Bujarin që po luante instiktivisht me topin e ngecuar ndër duar dhe i thotë:
-Shtëpinë e ka diku pas gjimnazit Ismail Qemali, nuk e di me saktësi, por andej e kam parë që ikën pas fakultetit me një shoqe të kursit.
-Hë u qetësove tani, se na hape kokën, si do e takoj, ku ta ndal!
-Nuk i thonë kot se rasti është mbreti i botës, çdo gjë erdhi natyrshëm pa sforcim, t’ia dish për nder atij faullit të fundit se pa të do iknim në shtëpi, nuk do rrinim duke bo llafe aty te trotuari.
Bujari dukej i shpenguar, qeshi me shansin e gjetur nga shoku i tij, tek rastësia e një personali në lojën e basketbollit.

  • Natën shoku, i tha Bujari, po mbërdhij, ishalla nuk plevitosem e pastaj ia shoh mirë hajrin atij faulli nesër!
    Pas takimit të pëllëmbëve me Raqin, përplasi topin e basketbollit dy-tre herë dhe gati me vrap u kthye për nga trotuari që e çonte në shtëpi.
    Ishte fare pranë, gjatë rrugëtimit të shkurtër mendonte shumë gjëra por s’mundi të fiksohej tek asnjëra pasi përqëndrimi ndodhej tjetër kund, në pjesën lindore të qytetit, andej nga ishte larguar me hapin e shpejtë Aurora…