Fragment nga romani ” Dashuritë e Luizës”-Brixhilda Dede


Pjesa e dytë

Fragment nga romani ” Dashuritë e Luizës”

Agu zbrazi lehtë teshat e shpirtit me një kaltërsi të paparë ndonjëherë.Zogjtë fshehur diellit ndënë hije pemësh cicëronin himn dashurie.Teksa Luiza krihte flokët gështenjë të hapët në parmakun e bardhë të dritares.

Ngjante magjishëm me atë formë rozë gjithë tantela rënë poshtë supit.

Një dritë vezulluese i përshkoi krejt trupin duke e bërë të ndihej si në mes të një Edemi, pritur princin e ëndrave të saj ti rrëmbente shpirtin me një puthje a përqafim.Ta ngrohte si llavë shkrirë ndjenjat në një lëndë të vetme, çuar qiellit të shtatë.

Pavarësisht problemit shëndetsor, gjoksi i qëndronte ngjitur shkallë, si të donte të kapte zafirin që varej qafës së saj të bardhë. Ndërsa buzët si lulëkuqet e majit nuk kërkonin lustër artificiale.

Shpirti qëndisur me gonxhe trëndafilash dyngjyrësh, portat u hapte vetëm personazheve pozitivë të jetës.E pabesueshme për dikë, por me njerëz të vegjël sillej krejt ndryshe. Si të mos ishte ajo por dikush tjetër.

Shpirtit të saj lulëzonin të katër stinët e Vivaldit me një melodi të padëgjuar.

Tik =taket e orës shkonin me një ritëm të rregullt, deri sa ra zilja e derës dhe në shtëpi hyri një rrymë e zezë ere si korent ngatërruar me pluhur e myk kohe, së bashku me ardhjen e Andreas.

Koka e tij e madhe dukej sikur i rrëndonte e nuk kishte dëshirë për të thënë as mirdita. Buzët e trasha i mbante përherë të varura përposh. Ndërsa qeskat e syve i ishin fryrë e nxirrë krejtësisht, mbase nga lodhja.

Nuk mund të thuash se nuk punonte apo ishte ndonjë tip dembeli jo,..Por, vetëm në fytyrë ta shihje kuptoje karakterin e tij të vrazhdë e të tejlodhshëm. Tip i pakomunikueshëm.

Flokët i mbante paksa të gjatë e të shpuputitur, ndërsa këmishat zakonisht të zbërthyera deri tek gjoksi. Sa për trupin, nuk kishe ç’ farë të thoje, sikur ishte i tjetërkujt.

Një trup i derdhur e i kalitur me përmasat e një sportisti që aktivizohej prej vitesh me atletikë.

Andrea, nuk përshëndeste.

Pothuaj, nuk fliste fare, sepse mendonte se kjo sjellje e bënte më të rrëndësishëm seç’ ishte në të vërtetë.

Kështu, bërë me shenjë kërkoi shtrimin e tryezës në guzhinë pa pyetur për shëndetin e saj.

Kishin kaluar 18 vite bashkëjetesë në kësisoj mënyre.

Nuk ishin as çifti i parë, as i fundit që rronin për sytë e botës. Po afronte mbazditja.

Re të bardha kishin zaptuar qiellin si shtrëngim arterieje në aortë. Një flutur e bardhë u duk mbi një livadh krejt jeshil e përhumbi në horizont si ta kish përpirë qielli.

Zogjtë, ngriheshin mbi pemë me flutirimin e hapave të një të dashuruari, peristeret e panumërt, ngjallnin shpresë.

Por ah, .. erë e papritir. Sa shi! Rrëzuar çerdhe zogjsh.

Ah, dielli gënjeshtar,.. era e pabesë, përëri, përsëri.

Kish filluar të bubullinte.

Melankolia e kohës dhe heshtja e vetmisë i vinin në lëvizje mendimet, deri sa ra zilja e telefonit dhe ajo ngriti receptorin.

Dëgjuar zërin e ëmbël e kumbues të Gjeorgjisë, ju duk se doli prej një tyneli të pafund që po e zhyste deri në mbytje në tinën e ankthit e agonisë.

Por ja më në fund pa dritë, duke marë frymë lehtësisht. Buzëqeshja i kish ndryshuar gjithë mimikën e fytyrës, si të përjetonte një mrekulli.

Brixhilda Dede @

About Post Author