Fragment nga romani im “Fanarët e një shtrëngate”


Fragment nga romani im “Fanarët e një shtrëngate”, SHB SHKROLA, Prishtinë, 2021

ME RASTIN E PËRVJETORIT TË BETEJËS SË LLAPASHTICËS

KAPITULLI VIII

Beteja e 24 dhjetorit, e zhvilluar te Tabet e Llapashticës ishte një stuhi, një shtrëngatë, një tufan…
Hajde se si fluturonin, pa lëre se si godisnin luftëtarët tanë!
Serbët të lemeritur, që ua mbathnin këmbëve, përmbyseshin, rrëzoheshin si bari i korrur.
Brenda pak orësh ushtarët e UÇK-së i bënë ata copë e thërrime. E tërë fusha u mbulua me kufomat e tyre.
Me armët e tyre, luftëtarët shqiptarë i dogjën dhe i nxorën jashtë luftimit jo më pak se 12-13 tanke të forcave armike.
Me shpejtësi të stuhishme çlirimtarët u drejtoheshin atyre nën udhëheqjen e Bedri Ahmetit, si një re që sjell rrufenë.
Ushtarët tanë nguleshin me armët e tyre mbi ta, si orbitet që shkëputen nga yjet dhe që shkrihen në Rrugën e Qumështit.
Kalonin çaste pas çastesh, e ushtarët tanë fluturonin përpara dhe më në fund, me britmën e fuqishme “urra”, e ngritën flamurin e fitores që valëvitej në erë.
E tërë ajo turmë e çmendur armiqsh u zmbraps si zbatica, që përplaset në brigje të detit dhe fitorja qe jona.
Ç’krijesa të mjera e të paturpshme, forcat armike serbe!…
Ata ranë në kurth, u rrethuan. Zemrat e tyre u shtangën nga tmerri.
Bedri Ahmeti me flamurin e fitores e me zemër luftarake printe përpara.
Retë mbytëse të tymit mbulonin radhët e Ushtrisë Çlirimtare bashkë me thëllimin e acarit dimërak të atij dhjetori shqetësimtar dhe mbi kokat e luftëtarëve, si breshër binin predhat e armikut.
Në sulmin e fundit të betejës së 24 dhjetorit, si rezultat i të cilit u godit Isë Havolli, ushtarët tanë u tronditën, ngase ai ishte vetë shpirti i ushtrisë zahirpajazitase dhe vetë ushtria ademjashariane.
I privuar nga mundësia fizike për të vazhduar rezistencën, Isa ra në fushë të nderit, e zjarri luftarak i bashkëluftëtarëve të tij shpërtheu furishëm.
Në fushën e betejës dhe kudo ai shquhej për shpirtin e tij të fuqishëm. Të gjithë e shikonin atë trim. Kudo që goditte arma e tij, armiku rënkonte dhe binte i vdekur.
Të gjithë e kishin zili dhe e admironin. Atij gjithnjë i vinte rasti të shquhej për të kryer diçka të rëndësishme. Bashkëluftëtarët e quanin me shaka “Mic Sokoli”, e pas rënies së tij, vazhduan ta quanin ashtu seriozisht, sepse ai me rënien e tij e justifikoi shumë bukur atë nofkë.
Më në fund, ai e gjeti lumturinë më të madhe duke rënë në fushën e betejës me armë në duar dhe duke i qëndruar besnik detyrës së tij ndaj atdheut, me flamurin e qëndresës në duar…
Duke luftuar me trimëri dhe duke kryer detyrën e tyre të shenjtë deri në frymën e fundit, në vijën e parë të frontit, në Tabe patën rënë heroikisht bashkë me Isë Havollin edhe djemtë luftëtarë dhe trima të paepur: Ismet Dërguti, Lulzim Jashari, Skënder e Miftar Zejnullahu dhe Bajram Murati, ndërsa në Vendenis, Avni e Fatmir Selmani, kurse tri ditë më vonë, në Kastrat, arsimtari Remzi Demolli dhe ish-nxënësi i tij, Jetullah Kastrati.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!


Front Llapi i tha Togut të Dytë të qëndronte në vend dhe të pushonte me armë në duar për të mbrojtur pozicionet dhe të ishte i gatshëm për çdo eventualitet.
Të gjithë luftëtarët ishin të lodhur pas kësaj dite të vështirë, të ftohtë dhe të rëndë, duke mos përjashtuar, pa dyshim, as vetë Front Llapin. Megjithatë ai dëshironte të qëndronte bashkë me luftëtarët e togut të tij në gjendje gatishmërie për sulmin e mundshëm të mëngjesit të nesërm.
Nga stërlodhja atë e kaploi një dremitje, mu aty në istikamet, ku po e përcillnin gjendjen në terren luftëtarët e Togut të Dytë.
Si në mugëtirë, kur s’sheh qartë, ashtu edhe Frontit iu shfaq si në vegim Isë Havolli:
—Po, more vëlla, këtu jam! Po ti pse u dëshpërove me shokët e tu? Ne duhet t’u japim shembull të tjerëve, që janë më të rinj. Unë me shokët e mi vdiqëm për hir të fitores. Po s’kemi fituar ende. S’duhet t’i trembemi luftës.
—Mua s’më tremb lufta, —iu përgjigj Fronti. —Ti e shikon, unë s’kam frikë as nga vdekja. Kam frikë vetëm nga jeta!
—Mos u tremb, —i tha Isa me zë të butë. —Duhet të rrosh që të luftosh. Unë s’mund të luftoj më, kurse ti ke mundësi. Çështja për të cilën punuam pareshur s’ka marrë fund ende. Unë s’vdiqa, more vëllezërit e mi!…
Një shpërthim i fuqishëm aty afër e nxori Front Llapin nga vegimi e përsiatja. Ai erdhi në vete e nisi të kthjellej pak nga pak.
55 vjeç burrë, Isa ishte shtatmesatar, truplidhur, lëkurëbardhë, kraharorgjerë e shpatullmuskuloz. Qysh në vështrim të parë, ai të linte gojëhapët me atë seriozitetin dhe me modestinë e tij të jashtëzakonshme.
Ndonëse në këtë epokë të stuhishme e plot tronditje atij dhe bashkëluftëtarëve të tij u takonte të përballeshin me një ushtri të vrazhdo e mizore, ai qe vërtet trim. Mprehtësia, siguria dhe papërkulshmëria e ndihmonte përherë ta ruante ekuilibrin e të qëndronte i pathyeshëm në çdo situatë.
Po ta kundroje vëmendshëm, në fytyrën e tij nuk mund të mos vëreje disa tipare, që flisnin për energji të pashtershme dhe për vullnet të pamposhtur. Balli i tij i lartë e krenar, harqet e ngritura të vetullave dhe hunda si shqiponjë i jepnin atij një shprehje të rreptë dhe burrërore.
Isa Havolli kishte sy të zinj, vështrim kureshtar, vetulla të dendura e të lëvizshme, mollëza të dala dhe mustaqe paksa të gjata.
Në fytyrën e këtij trimi pasqyroheshin tërë karakteristikat prej një burri shqiptar dhe gjendja e tij shpirtërore, por ndonjëherë ajo bëhej e vrazhdë dhe serioze e aty për aty ndryshonte duke marrë një shprehje të butë e të qeshur. Ai kishte një guxim të paparë.
Fjala e Isës ishte e gjallë, e mprehtë, që e dëgjonin të gjithë bashkëluftëtarët me ëndje, e në përgjithësi ai gëzonte një simpati nga të gjithë, sepse ishte besnik, i mirë e i kujdesshëm. Ndërsa lodhej në mendime, bebzat e syve i zvogëloheshin dhe vështrimi i tij sakaq zbutej e ëmbëlsohej.
Edhe pse ky trim s’kishte asnjë mbresë plage në fytyrë, tërë pamja e tij fliste se kishte vuajtur shumë në jetë. Rinia e tij e hovshme kishte lënë gjurmë vetëm në sheshin e lartë të ballit të tij të hapur, por ato rrudhëza më fort dëshmonin për mendime vizionare, sesa për andrallat, me të cilat ishte ballafaquar.
Isa nuk e jepte veten, por prore mbahej i qetë. Bashkëluftëtarët i dëgjonte me vëmendje dhe me gjakftohtësi dhe vetëm ajo buzëqeshja fluturake që shkiste buzëve të tij ledhatonte mendimet që bluante në kokë. Gjestet e matura i përgjigjeshin si s’ka më mirë qetësisë shpirtërore të tij.
Ai më fort heshtte, sesa fliste dhe, kur hynte në biseda ose kur u përgjigjej të tjerëve, fjalët para se t’i thoshte, i mendonte mirë e mirë, pastaj i shqiptonte qartë e pa u nxituar, pa pretenduar asnjëherë për t’ua imponuar mendimet e veta të tjerëve.
Arsyetimet e tij dëshmonin se ai ishte një tip i zgjuar dhe i shkathët nga natyra, i ngritur dhe me kulturë të lartë, mendjemprehtë e i zoti për të dhënë mendime të pjekura.
Ai ishte një luftëtar i zellshëm e trim, që shquhej me disiplinë, me vendosmëri, me vullnet të paepur dhe me besnikëri. Me një fjalë, ai shëmbëllente në një luan jelëbardhë si mëndafshi mbushur plot me gjembaçe, të cilit sytë i mbushen sakaq me gjak në çaste rreziku…


Artileria e ushtrisë serbe po hapte zjarr duke qëlluar llogoret tona. Rreth e rrotull gjëmonte dhe dëgjohej një uturimë e vërshëllimë e pareshtur.

Togkomandant Front Llapi po qëndronte me ndërlidhësit e tij në një llogore të gërmuar, të mbuluar me driza e kaçuba, prej nga po vështronte me dylbi se ku pëlcisnin predhat.
—Nëse në këtë botë ka shumë rrugë për suksese, më e çmuara nga të gjitha është ajo që arrihet nëpërmjet çmimit të qëndresës këmbëngulëse,— tha ai, befas dëgjoi një tingull të rrezikshëm dhe vështroi përpjetë.
—Ruaju!— bërtiti Lis Bajgora.
—E rëndë, —tha Front Llapi dhe u mbështet pas faqes së përparme të llogores. Atje prapa predha ra në tokë, gjëmoi e dheu fluturoi përpjetë.
Të gjithë i kthyen sytë andej nga plasi predha. Pas pak ra edhe një predhë tjetër, pak më djathtas, nja tridhjetë hapa larg nesh.
Skaji i djathtë i llogores u mbush përgjysmë me dhé.
—E ç’thoni, do të qëndrojmë!? —pyeti Front Llapi. —Unë, të them të drejtën s’kam dëshirë të mbledh pastaj eshtrat e mia! —tha ai si me shaka.
–Është një bateri që bën zjarr,— tha Lis Bajgora.— Breshëria tjetër do të tregojë se cili është objektivi i qitjes së tyre,— tha ai.
U dëgjua pas ca minutash edhe një vërshëllimë e fortë, dhe nga e majta, duke u dridhur toka, plasi një predhë tjetër. Plisat e dheut fluturuan dhe ranë gjer në pozicionin ku po qëndronin Fronti dhe Lisi.
—Tërhiqemi!— tha Front Llapi.
Në çast të gjithë dolën nga llogorja dhe u tërhoqën prapa, poshtë pas faqes së kodrës. Si kaluan nga kodra, u ndalën e vështruan prapa për të parë se ku ra predha e radhës, që vetëm me vërshëllimën e vet i ndiqte pas.
—E shihni,— tha Front Llapi,— kësaj radhe nuk ra në llogore, por s’ka dyshim se ne gjendeshim në kuadratin që po bombardohet. Kurse tani forcat serbe kanë vendosur, si po duket, të pushojnë pak që t’i lënë grykat e topave për t’u ftohur. Kjo mund të zgjatë të paktën 20 minuta, kështu që këtu hëpërhë s’kemi rrezik.
Fronti, duke vështruar rreth e përqark, tregoi me dorë përpara tij, në të djathtë.
—Ja, atje ka një gropë të vjetër predhe! Ka shumë pak të ngjarë që aty të bjerë ndonjë predhë tjetër, sepse këtu, kur të rinis goditja e tyre, s’mund të rrimë dot…— tha ai.
Gropa ishte e vogël dhe nuk i zinte të gjithë.
Aty afër kishte edhe disa gropa të tjera të këtilla.
Front Llapi u fut në një gropë me Shkëmb Kaçandollin. Prej andej terreni kontrollohej gati po aq mirë sa edhe nga llogorja e braktisur. Pikërisht, në këtë çast, në atë llogore ra një predhë e rëndë—flakë, pastaj u dëgjua gjëmimi i një plasjeje jashtëzakonisht të fortë.
Ai përpiqej të shikonte ndonjë gjë me dylbi, por s’shihte asgjë më tepër nga ç’mund të shihte me sy. Gjithë fokusin e pamjes ia kishte zënë një tis tymi e pluhuri.
Dukej sikur dridhej edhe vetë qielli nga detonimet e fuqishme, nga gjëmimet dhe vërshëllimat…
Përditë artileria e armikut goditte llogoret tona. Dukej sikur atyre nuk do t’u harxhoheshin predhat kurrë.
Front Llapi qëndronte në mes të errësirës, duke u strukur nga të ftohtit dhe po priste raportet e skuadërkomandantëve.
Një ushtar erdhi fare pranë tij dhe duke iu marrë këmbët, rënkoi e tha:
—Nuk del…
—Çfarë nuk del?— e pyeti Fronti.
—Unë…—u përpoq të përgjigjej ushtari dhe u kërrus përpara, se si duket ndjeu dhimbje.
—Jeni plagosur?— e pyeti Front Llapi.
—Nuk e di…— mezi tha nëpër dhëmbë ushtari i ri, dhe vuri dy duart në gjoks.
—Lis, ta çojmë te doktor Bardhi!— tha Fronti, duke e marrë me mend se ai mund të kishte ndonjë plagë.
Jo fort larg fluturuan në qiell raketa sinjalesh dhe ndriçuan Frontin, Lisin e ushtarin, që po niseshin për në spitalin ushtarak.
S’vonuan shumë dhe arritën në Lamaj. Aty, në korridor të spitalit ushtarak e vendosën të plagosurin në një krevat të improvizuar.
Doktori ngriti kokën.
—Me fat plagët, o trimi i lirisë! —e uroi ushtarin e plagosur. Pastaj, menjëherë nisi ta kontrollojë.
Fronti e Lisi e vështruan mjekun.
—Hë, si duket? —pyeti Fronti i shqetësuar.
Nga meraku për fatin e ushtarit të ri, ata po rrinin si në thumba.
—Ky… —deshi të thoshte doktori, por i mbeti fjala në grykë, kur pa Frontin e Lisin që rrinin aty pranë, të tronditur.
—Na thuaj të vërtetën! —foli Lis Bajgora. —Ne duhet të dimë të vërtetën, —tha ai.
—E kam të vështirë për t’u përgjigjur. Ky ka tri plagë plumbi; dy nuk janë edhe aq serioze, por e treta është shkaktuar diku në kafaz të kraharorit, që mund të jetë tejet e rrezikshme për jetën. Humbja e gjakut nuk është e madhe, por unë dyshoj për hemorragji të brendshme të theksuar. Ndoshta kjo është arsyeja e dobësimit të tij të vazhdueshëm, që e pengon të vijë në vete.
—Ç’do të thotë kjo, doktor? Në ç’gjendje është trimi ynë? —pyeti Front Llapi, edhe pse mori vesh gjithçka…
—Ky ka nevojë për operacion, —u përgjigj mjeku, i cili pastaj ndezi një cigare dhe e thithi fort.
Kaluan ca çaste, kaloi edhe një orë…
“A ishte e mundur që ky ushtar të shpëtonte i gjallë?” —po e pyeste Front Llapi vetveten në heshtje.
Ai i fryu bulçitë i sëkëlldisur dhe ndjeu se goja i qe bërë pelim… Koka i vinte vërdallë… Por ai duhej të qëndronte dhe për një çast e gëlltiti hidhërimin… Ai duhej të mbahej…
—Ç’t’i thuash kësaj, Front Llapi?!… Ky mund të shpëtonte e nuk do të kishte vdekur, po t’i kishim patur mundësitë ta operonim menjëherë, por lufta qenka luftë… —tha doktor Bardhi.
Ai vetëm tundi kokën me trishtim.


—Fli, vëlla i dashur! Fli i qetë tani!
Ne do ta vazhdojmë luftën deri në fitore.
Betohemi përpara teje se ne do ta vazhdojmë luftën derisa të agojë liria!… —u betua Front Llapi bashkë me Lis Bajgorën e me disa bashkëluftëtarë të tjerë.
Nga sytë e tij rrodhën lot, por këta s’ishin lot trishtimi… ishin lot krenarie…
Megjithatë, ai trim po qante…
Përjashta frynte një erë e ftohtë e ata ishin strukur në kapotat e tyre.
Që të gjithë në shpirt ndjenin një shqetësim të madh se ç’do të sillte e nesërmja!…