Fragment nga romani “Jetë të pajetuara”, botim i shtëpisë botuese “Toena”i autorit Robert Shkurti


Sapo ra muzgu, mori të përpjetën dhe u largua nga fshati me mendimin se kishte ardhur çasti për të kaluar kufirin. Eci gjithë frikë se mos e ndiqte dikush nga pas. Duke kthyer kokën sa majtas djathtas, doli mbi ca kodrina të vogla përballë fshatit dhe hyri në mes ca shkurreve.

Sheshoi vendin dhe qëndroi atje i fshehur derisa u errësua fare. Hëngri llokumet që i kishin mbetur dhe kutinë e kartonit e fshehu me kujdes poshtë shkurreve që të mos linte ndonjë shenjë dyshimi. Kishte frikë nga ushtarët që patrullonin zonën. Tek rrinte i strukur mes shkurreve, zemra i rrihte pa pushim si e një zogu të vogël që ndien se e ndjekin.

Ndjeu të ftohtë. Era e liqenit i shkaktoi mornica nëpër trup. Dhëmbët i kërcitnin. Krahët i mbështolli rreth trupit dhe nisi të fërkohej për t’u ngrohur paksa. Për një çast ngriti sytë drejt qiellit.

Ca re të vogla, të zeza lëviznin ngadalë në drejtim të maleve nga ana tjetër e liqenit. “Duhej të kisha marrë një triko me mëngë të gjata”, tha me vete. Nuk e kishte menduar se mund të prishej koha dhe nuk e kishte llogaritur të ftohtin që mund të shkaktonte nata.

Vështrimin e mbante të ngulur në drejtim të kufirit, aty ku duhej të kalonte. Te një brez i kufirit ishte mbjellë një sipërfaqe me grurë. Gruri vinte i lartë dhe i gjelbër, pra nuk i kishte ardhur ende koha të korrej.

Era e liqenit e bënte të dallgëzohej lehtë, si një valë e butë deti. Retë vazhdonin të largoheshin ngadalë, duke bërë që qielli të pastrohej prej tyre. Hëna ndriçonte vendin përreth, gjë që e ndihmonte të shihte më mirë, por që mund ta tradhtonte kur të futej në ujë. Yjet tashmë ndriçonin.

Ishte një qetësi aq e thellë, saqë ai dëgjonte rrahjet e zemrës së tij. Rrahjet e saj u bënë më të shpeshta kur pa tre grupe ushtarësh të hynin në mes të grurit. U tremb dhe u struk më shumë mes shkurreve, pothuajse u bë njësh me to.

Dëgjonte hapat dhe zërat e tyre në rrugë, por nuk mori vesh asgjë. Shkurret e gërricën në krahët e dobët, por as që e ndiente dhembjen e tyre. Ushtarët ia prishën planin.

Kishte vendosur të hynte në ujë e të notonte derisa të kalonte në anën tjetër të kufirit, por në ato çaste e kishte të pamundur. Kishte frikë se ata mund ta pikasnin, ndaj ndryshoi mendim. “Tani nuk kam asnjë shans, por do të mundohem të kaloj me këmbë”, tha me vete. Dhe ashtu bëri. Priti derisa ushtarët u larguan duke humbur në detin e grunjtë, u ngrit ngadalë e me kujdes dhe hodhi vështrimin rreth e rrotull. Nuk e kishte idenë e kohës, pasi nuk kishte orë, por duhej të ishte rreth njëmbëdhjetë e mbrëmjes. Eci për afro një kilometër dhe përpara i doli një brez u butë toke i punuar shumë imët, ku të mbeteshin gjurmët e këmbëve, nëse kaloje mbi të.

Zemra filloi t’i përpëlitej brenda kafazit të vogël. Vazhdimisht dëgjonte rrahjet e saj. Diçka brenda vetes i thoshte se do t’ia dilte mbanë.

Kishte një parandjenjë të mirë. Kaloi brezin e butë, gjithnjë duke vështruar me kujdes përreth, dhe arriti te kloni. Një buzëqeshje e lehtë iu përvijua nga buzët e plota, të cilat i ishin tharë nga etja.

Sikur të kishte një shishe me ujë, do ta pinte të gjithën. Po ku ta gjente? Nuk i kishte shkuar ndër mend se do t’i duhej. Sytë i shkuan te kokat izoluese të telave që përcillnin rrymën elektrike. Filloi të vriste mendjen. Diçka duhej të bënte, po çfarë? Mendoi të gërmonte tokën nën të, por nuk kishte asnjë mjet. “Ah, sikur të kisha një lopatë të vogël, ose një thikë të madhe që të hapja vendin poshtë telave!” –tha me vete. Po të gërmonte me duar e thonj, do të humbiste kohë e ndoshta nuk do t’ia dilte, ndaj vazhdoi rrugën përgjatë klonit.

Ndali për një çast dhe mbajti frymën. Asgjë nuk pipëtinte. Dëgjonte vetëm të rrahurat e zemrës së tij, që vazhdonte të përpëlitej brenda kraharorit si një zog në kafaz. Vazhdoi të ecte, kur papritur rreth shtatë–tetë metra më tutje dalloi një hije. Mbajti frymën përsëri dhe vuri dorën sipër gojës. Merrte frymë vetëm me hundë.

Iu duk sikur zemra do t’i pushonte nga çasti në çast. Bëri dy–tre hapa përpara. Ishte ushtari i shërbimit. Ishte ulur dhe mbështetur pas një peme. Automatikun e kishte pranë vetes, në krahun e djathtë.

Kapelën e kishte hedhur mbi sy dhe streha e saj ia kishte mbuluar fytyrën. Flinte për shtatë palë qejfe. Edhe po të ishte zgjuar, nuk e dallonte dot. Iu shmang dhe u largua me hapa të lehtë si ketër.

Më vonë u fsheh pas ca kallamishteve dhe ngadalë hoqi rrobat e trupit. I futi në një qese, së cilës i lidhi grykën dhe pastaj e lidhi rreth trupit. Hyri në ujë e nisi të notonte me not “bretkosë”. Uji ishte i qetë, vaj. Lagu buzët për të shuar etjen që e kishte mbërthyer. I mësuar me shijen e ujit të detit, uji i liqenit iu duk i çuditshëm.

Nuk e mori vesh atë lloj shijeje të papërcaktuar ndërmjet shijes së ujit dhe të baltës. Një gllënjkë i kaloi poshtë dhe i ra si plumb në stomak, por nuk kishte kohë të mendonte për këtë. U kollit lehtë dy herë, por menjëherë e mbylli gojën nga frika se dikush mund ta dëgjonte. Vazhdoi të notonte.

Buzë liqenit ishte një projektor i madh lëvizës dhe shumë i fuqishëm, që shërbente për të kontrolluar zonën në gjirin e vogël, aty ku pika e kalimit të kufirit ishte shumë afër. Drita e projektorit rrëshqiste mbi sipërfaqen e ujit si një gjarpër mbi barin e gjelbër.

Projektorin e kishte në krah të djathtë dhe sa herë i afrohej drita e tij fuste kokën në ujë, ngadalë për të mos krijuar rrathë, duke mbajtur frymën për disa sekonda. Mundi t’i shmangej disa herë projektorit, i cili rrotullohej vazhdimisht sipas një intervali të caktuar.

Sa më tepër largohej nga bregu, aq më shumë po e ndiente të ftohtët. Një çast, duke menduar se kishte notuar shumë dhe ishte larguar nga bregu, e humbi toruan dhe vazhdoi të notonte pa iu ruajtur projektorit, që e ndiqte pas.

Mirëpo projektori u fiksua mbi trupin e tij. U mundua të ndryshonte drejtim, por u tmerrua kur dëgjoi një breshëri automatiku. U zhyt në ujë dhe qëndroi për disa sekonda. Nxori kokën, por drita e projektorit e goditi si rrufe. U tremb për një çast, por nuk e humbi toruan. E mblodhi veten dhe truri filloi t’i punonte me shpejtësi.

Duke menduar se ishte fare pranë pikës kufitare jugosllave, u dha krahëve me tërë forcën e tij për të arritur sa më shpejt. Ndërkohë që notonte i uturiu një zhurmë në veshë sikur t’i kishin futur një shtizë. Ishte zhurma e motobarkës së ushtarëve shqiptarë, që po i afrohej gjithnjë e më shumë.

Pastaj dëgjoi të shtëna me armë. Menjëherë nga ana jugosllave u lëshuan në qiell raketa ndriçuese, që e ndriçuan krejt hapësirën mbi liqen si të ishte ditë. Kështu vepronin gjithmonë në raste të tilla për të parë nëse ndonjë i arratisur nga Shqipëria ishte futur në territorin e tyre.

Ushtarët jugosllavë ishin të gatshëm dhe shumë të interesuar që të ndihmonin të arratisurin nga Shqipëria. Barka vazhdonte ta ndiqte. Të shtënat po ashtu. Frika se mund ta kapte ndonjë plumb iu shtua së tepërmi. Ku ta dinte ai, se ushtarët gjuanin me fishekë gjurmëlënës?

Mendoi të dilte në breg dhe u dha krahëve me sa fuqi kishte. Tashmë e kishte humbur orientimin. Nuk e dinte nëse ishte ende në ujërat shqiptare, apo kishte hyrë në ato jugosllave. Vazhdoi të notonte me sa mundej dhe shpejt e pa veten në breg. U fsheh mes kallamishteve të larta, por ndjeu ftohtë.

Po dridhej dhe u mblodh kruspull si kërmilli kur futet në guaskën e tij për t’u mbrojtur. Ca nga frika, e ca nga të ftohtët dhëmbët i kërcitnin pa pushim, aq sa nuk ishte në gjendje të kontrollonte lëvizjen e nofullave. Të shtënat e ushtarëve shqiptarë vazhdonin të linin gjurmë në ujin e liqenit.

Projektori, si një shpend i madh i zi, vazhdonte të rrotullohej me shpejtësi dhe ai u struk më shumë mes kallamishteve. Nga frika e harroi të ftohtët. Dëgjoi këmbët e ushtarëve tek vraponin duke bërtitur: -Ku shkoi, qeni?! Ku shkoi, qeni?! Priti mes ankthit dhe të dridhurave derisa zhurmat u fashitën krejt. Mendoi se ushtarët ishin larguar dhe doli nga kallamishtet. Mbajti vesh se mos dëgjonte ndonjë zhurmë apo zë të ushtarëve.

Qetësi. Përpara kishte një rrip toke me bar dhe pas saj fillonte një pyll me drurë të lartë dhe shkurre. “Nëse arrij të futem në pyll, do të humbas gjurmët dhe mund të kaloj në tokën jugosllave”, –tha me vete dhe shpejtoi hapat, por papritur u përball me një ushtar. U tremb shumë. Jo më pak edhe ushtari, i cili mund të ishte dy apo tre vjet më i madh se Gjergji.

Ushtari shtrëngoi automatikun e ia dha një klithme të fortë e të zgjatur: -Ndaaaal! dhe qëlloi drejt tij me breshëri. Plumbat i kaluan fare pranë, rreth tre apo katër centimetra mbi kokë.

Gjergji u drodh. Ushtarin e kishte përballë. Sytë e tyre u ndeshën nën dritën e hënës, si në një ndeshje boksi ku kundërshtarët sfidojnë njëri-tjetrin për të parë fortësinë apo dobësinë e tjetrit. Dalloi frikë në sytë e ushtarit, por nuk mund të bënte asnjë lëvizje. Ai ishte i armatosur. Nëse do të vraponte, plumbat e automatikut të tij do ta bënin shoshë.

Këtë radhë ai nuk mund të gabonte si herën e parë.

E kuptoi që aty mbaroi aventura e tij. Ngriti duart lart dhe qëndroi ashtu për disa sekonda.

Në çast iu kujtuan njerëzit e tij të dashur: nëna, babai, vëllai, kushërinjtë në Fier, me të cilët ishte ndarë para disa orësh. Pa e kuptuar as vetë, iu përvijua në mendje fytyra e Lindës, vajzës me të cilën sapo ishte njohur, me atë të qeshurën e saj të ëmbël, që sapo kishte filluar ta shijonte.

Çfarë do të mendonte ajo kur ta merrte vesh se ai kishte tentuar të kalonte kufirin, të arratisej? Do ta urrente që po e braktiste, apo do të ndiente mëshirë dhe keqardhje për të?

Nuk pati kohë të mendonte më gjatë, sepse ia behën ushtarët e tjerë duke bërtitur dhe iu hodhën sipër e nisën ta goditnin pa mëshirë.