Dafina Roka

Fragment nga romani ” Kujtimet e dallgëve blu” fq.74
…Ditët vazhdonin njëjtë dhe nuk mund ta përballoja torturën. Mendova që më mirë do të ishte të lirohesha nga ajo dhomë dhe të jetoja jashtë, tek prindërit e Troit, ndoshta do të më ndihmonin që të largohesha. Çdo ditë e kisha të lejuar një shëtisja rreth jahtit që të marr ajër të pastër, por është vetëm një orë dhe në atë kohë Troi mundohej të më bindte që të jetoj në shtëpinë e tij. Njëri nga rojet që qëndronte tek porta kryesore e jahtit ishte shumë i sjellshëm dhe çdo ditë më shikonte me lot në sy. Mendja më thoshte që ai do të më ndihmonte që të arratisesha, por nuk kisha si të bisedoja sepse kishte shumë roje. Më duheshin vetëm një letër dhe një laps, por si t’i gjeja, çdo herë isha në vëzhgim. E vetmja zgjidhje ishte që ta ftoja Troin në banak për të pirë kafe. Aty gjithsesi do të ketë laps sepse ju duhet për porosi.
-Troi, a mund të bëj një porosi për kafe?-
-Sigurisht Rea, do të ishte një kënaqësi që ta shijojmë së bashku kafenë. Të ulemi tek këndi i jahtit, është pamje shumë e bukur. –
-Jo, të lutem më pëlqen tek banaku.-
-Si të duash Rea!-
-Faleminderit!-
Më duhej të qëndroja bashkë me Troin dhe të bisedoja deri sa të gjeja ndonjë laps që ta merrja disi. Për fat të mirë era nuk po më linte të qetë e flokët e gjatë po më pengonin që të pija kafenë dhe të bisedoja e qetë, prandaj ishte një mundësi e mirë.- Sa po më shqetësojnë flokët dhe nuk kam asgjë që t’i lidh.-
-Si të të ndihmoj Rea ? Sa bukur dukesh me këtë valëvitje të flokëve! –
Menjëherë u vura në siklet nga fjalët e Troit dhe iu drejtova kamerierit në banak:
-Të lutem më huazo një laps sepse më duhet t’i lidh flokët.- për fat, këtë e praktikoja edhe në shtëpi dhe lapsi në flokë më rrinte çdo herë. E vendosa. Më duhej edhe një letër, por ishte e pamundur. Do ta merrja pecetën që e kanë shërbyer kafenë dhe ashtu mund të shkruaja.
-Rea, të lutem pranoje kërkesën time për të jetuar në shtëpinë time, besomë që do të të mirëpresin prindërit e mi, po ashtu edhe Eli do të magjepset nga kjo dhuratë sepse ashtu të konsideroj për Elin, si një dhuratë të çmuar. Vetëm ti do ta bësh të ndjehet njëjtë si ne.-
-Troi, tani do të shkoj në dhomën time, përgjigjen ta tregoj nesër.-
-Faleminderit shumë Rea, mund të shkosh!-
Rruga deri tek dhoma ime ishte shumë larg, në katin e poshtëm të jahtit dhe me truprojën që mendoja se do të më ndihmonte mund të takohesha vetëm jashtë. Si dukej nuk kisha asnjë mundësi që t’ia dërgoj letrën atë ditë.
Pas një nate me ankthe dhe ëndrra të frikshme, u afrua dita me shkëlqimin e saj, ajo vinte me gëzimin e një fillimi të ri. U afrua koha e lëvizjes së lirë në jaht dhe më duhej të shkruaja në letër lutjen për truprojën.
-Zonjë besoj që jeni gati për shëtitje, zotëri Troi po ju pret lart.-
-Faleminderit shumë!-
Sa e çuditshme, në jaht kishte të punësuar vetëm meshkuj, nuk e kuptoja qëllimin apo ndoshta ishin më besnikë në punën që e bëjnë. Më pushtoi frika se mos po më bën kurth truproja i Troit me atë fytyrën e tij engjëllore. Gjithsesi do ta provoja fatin. Rruga deri në katin e tretë të jahtit ishte një mrekulli.
Troi ishte në këndin e tij të preferuar duke e shijuar pamjen fantastike dhe duke më pritur. Ecjen e bëja çdo ditë rreth jahti, në çdo vend kishte truproje. Do ta lëshoja letrën pa e vërejtur të tjerët. Edhe disa hapa ishte truproja tek i cili shpresoja. Për ta tërhequr shikimin e tij u ndala të rregulloj këpucën dhe letrën e lëshova aty duke i thënë në gjuhën angleze:
– Të lutem lexoje!-
Pa e kthyer kokën pas e vazhdova ecjen. Truprojat tjerë filluan të vraponin drejt, mendova që e kuptuan, por ata më kaluan. Kur e ktheva kokën, pashë truprojën në tokë, si duket është alivanosur dhe të gjithë mendjen e kanë aty. Kjo ishte një shenjë për mua, duhej të veproja menjëherë. Si duket e kishte lexuar letrën ku kisha shkruar “Të lutem më ndihmo të arratisem, më pret vajza”. Kjo është mundësia ime, ai më ndihmoi. Vëmendja ishte tek ai, prandaj menjëherë kërceva nga jahti në ujë, nuk e kisha të vështirë sepse jam rritur me not dhe me hedhje të tilla. U mundova të largohem sa më larg që mos të më vërejnë, frika nuk ekzistonte edhe pse e dija që ndoshta nuk do të mbërrija në breg e gjallë, por të paktën e dija që do të vdisja në përpjekje për të arritur tek jeta ime. U dëgjua një zhurmë, çdo herë po bëhej më e fuqishme dhe ja, tri anije u afruan tek unë dhe më mbanin në mes. Forca u shua sepse lotët dhe emocionet më dobësuan dhe mendimi që do të më kthejnë prapë më demoralizoi. Më mirë të mbytesha. Si duket Troi kishte vendosur të lundronte deri tek unë me anije më të madhe dhe më luksoze. Pasi u afrua, i lëshoi shkallët dhe dy truprojat e tij menjëherë u zhytën të më kapnin që të më dorëzonin tek Troi. Refuzimet ishin të kota para dy notarëve të shkëlqyer.
-Më lëshoni…-
Për një sekondë mbeta e shtangur dhe mbretëroi një heshtje. Troit u afrua e urrejtja më kaploi shpirtin.
-Rea, ti do të më çmendësh, nuk mund ta imagjinosh se si dukesh me këtë fustan të bardhë që po të reflekton brendësinë e një sirene.-
Si duket Troi u hipnotizua nga pamja dhe e harroi që unë u mundova të arratisem. Po turpërohesha se si po më shikonte Troi dhe nuk kisha forcë që t’ia largoja duart që më kishin afruar drejt trupit të tij. Për një moment Troi e humbi veten dhe më puthi. Nuk më lëshonte edhe pse e kundërshtova, por me një forcë e largova disi duke e kritikuar se si nuk i vinte turp.
-Më fal Rea nuk do të ndodhë më, e di që të kam premtuar, nuk do të ndodhë më. Nisemi tani tek jahti sepse si duket Rea ka ftohtë dhe një çaj i nxehtë do të ishte i mirëseardhur, apo jo Rea?-
Nuk mund ta kuptoja atë qetësi të Troit. Kthimi në jaht për mua ishte kthim drejt një labirinti nga ku nuk do të dilja kurrë. Ditët e nxehta e vështirësuan qëndrimin tim në jaht, nuk mund të qëndroja më në atë dhomë.
-Si jeni sot Rea? Me padurim po të prisja!-
-Si të jem mirë Troi, në një dhomë që as një qen nuk do të donte të jetonte? Qëllimin tënd e arrite sepse nga nxehtësia edhe alergjia ka filluar të më mundojë. –
-Do të jetosh në familjen time? Po, ky qenka lajmi më i mirë! Kjo ditë do të mbetet e shënuar! Tani bëhu gati, të njoftoj në familje, por mbaje në mend, nëse tregon për rrëmbim do të të dënoj pasi do të të prezantoj në familje si mike. –
-Mos u brengos Troi, më keq se tani nuk besoj që do të bëhet. –
Një pamje fantastike po na ndiqte për gjatë gjithë rrugës, por asgjë nuk më bëri përshtypje, vetëm cicërima e zogjve më sillte një qetësi shpirtërore. Shtëpia gjigande e Troit më befasoi, oborri ngjasonte me një kopsht botanik të luleve. Aq shumë lule kishte, sa më hipnotizuan për një moment. Pritja e mrekullueshme e prindërve të Troit më mbushi me shpresë që ndoshta një ditë ata do të më ndihmojnë. Pas pritjes së ngrohtë nga prindërit e Troit nga shkolla erdhi edhe Eli me fytyrën e tij engjëllore dhe nuk e kisha të vështirë për ta njohur sepse ishte arsyeja e parë që Troin e nxiti në këtë veprim. Eli vrapoi tek unë sikur të më kishte njohur më parë. Përqafimi i Elit tregonte njomësi dhe dashuri pa kushte, ndërsa nga larg fytyra e Mona Lizës në mur duket që po përcillte një histori dhimbjeje që ndoshta do ta mbajë sekret, ashtu siç e mban edhe buzëqeshjen e saj në Luvër.
