FRAGMENT NGA ROMANI MË I RI “OH, KJO VDEKJE TRAGJIKE”
Parathënie
Mbrëmë, në orët e vona të natës, ia dërgova për botim romanin tim “Oh, kjo vdekje tragjike” botuesit tim në Prishtinë, profesor Fatmir Halimit – drejtor i Shtëpisë Botuese ProkultPress. Sapo e kam përfunduar së shkruari.
Shpresoj shumë që ky roman do të ketë jehonë pozitive te lexuesit dhe te kritika letrare. Personazhi kryesor, Kreshniku, e mbijeton vetëvrasjen, ndërsa personazhja e dytë, Qëndresa, vetëvritet pas gjitha vuajtjeve, krajatave, depresionit dhe skizofrenisë që i përjeton pas plagosjes në luftën e Sarajevës … Mbi varrin e saj, me lot në sy e dhimbje në shpirt, Kreshniku do ta thurë një poemë elegjiake kushtuar shpirtit të saj.
Romani im është produkt i gjitha streseve dhe pikëllimeve depresive që na i sjellë në jetë bota postmoderne e një materializmi vullgar, në të cilin ka pak ŕeze shpirtëroriteti. Megjithatë, jam orvatur t’i paraqes sa më realistë në rrëfim kryepersonazhet: Kreshnikun agnostik, Qëndresën ateiste, pastoren evangjeliste Martina Weber – zvicerane, një besimtare e mirëfilltë, imamin e moderuar e tolerant në Bern, hoxhë Mustafë Mehmeti, dhe ushtarakun shqiptar të ish-APJ-së Skënder Hasimi – me botëvështrim komunisto-ateist mbi jetën.
Thelbi i këtij libri flet për dy botë diametralisht të kundërta: për kuptimësinë dhe lumturinë e jetës dhe për kotësinë dhe pakuptimësinë e saj, madje flet edhe për dy botët antagoniste: Luftën dhe Paqen në glob.
Kreshniku dhe Qëndresa, të lidhur në një dashuri “të çmendur”, janë dy personazhet antipodë e kontradiktorë mes vete, një, ta quaj, konflikt midis dy botëvështrimeve të tyre mbi jetën e njeriut dhe ekzistencën e universit. Ndërkohë që pastorja Weber dhe imami Mehmeti janë predikues të religjioneve abrahamike, që flasin për kuptimësinë e jetës dhe jologjikshmërinë e filozofisë ekzistencialiste, e cila vetëvrasjen e konsideron “vdekje të lirë”, “vdekje humane” dhe “elegante”, sepse, sipas tyre nuk ka Zot në qiell, por njeriu është vetë zoti në tokë dhe qiell, dhe, si i tillë, ai ka tē drejtë të veprojë me vetveten si t’ia dojë qejfi, deri edhe në ngritje dorë mbi vetveten. Kjo pikërisht si te libri eseistik i filozofit austriako-hebre John Amery “Hand an sich legen – Diskurs über den Freitod” (“Të ngresh dorë mbi vetveten – Diskurs mbi vdekjen e lirë”). Ky libër shkaktoi bujë të madhe në opinion dhe te kritika shkencoro-filozofike dhe u ribotua në miliona kopje dhe është përkthyer në shumë gjuhë të botës…
Tre muaj më pas vetë autori Amery bën vetëvrasje. Në parakrah, ai kishte të vizatuar një tatuazh nga vitet e burgut, ku ishte gdhendur numri: 172.364. Ai zgjodhi t’i jap fund jetës me një mbidozë tabletash, në një hotel të Austrisë, në vendin ku kishte lindur, dhe të cilin e kish humbur qysh në vitin 1938, kur u burgos nga regjimi nacist. Po njëlloj, fatkeqësisht, veproi edhe artisti ynë me famë botërore Bekim Fehmiu. Pas gjithë reputacionit të tij ndërkombëtar artistik, dhe, veçanërisht, pas botimit të librit të tij autobiografik “Blistavo i strašno” – “Shkëlqim dhe tmerr”, ai vendosi të vetëvritet, duke e lënë pas vetes letrën testamentale ku i porosit familjarët që t’i digjet trupi në krematorium dhe hiri i trupit të tij të karbonizuar të hidhet në lumin Lumbardhë të Prizrenit.
Vetëvrasja – suicidi është një shembull se ku mund të çojë dhe në ç’shkallë skëterrore shpie melankolia narcisiste dhe psikozat depresive. Në këso rastesh ndjehemi plotësisht të shkëputur nga vetja dhe dëshirojmë të vrasim objektin e urryer, që në këtë rast jemi ne vetë. Bota e njerëzimit gjatë procesit të jetës vazhdon çdo ditë përpjekjen për të jetuar, kurse theks të veçantë ka arritjen drejt realizimit të synimeve që ka në jetë. Jo gjithmonë secili kalon lehtë sepse kemi përballje të sfidave nga më të ndryshmet, që për disa mund të jenë të papërballueshme, duke ditur se njerëzit dhe karakteret nuk janë të njëjtë, disa janë rezistues nuk dorëzohen, disa të tjerë përveç se heqin dorë ata rrezikojnë edhe veten e tyre duke tentuar të largohen nga kjo botë me mendimin se janë të tepërt dhe barrë për të tjerët, duke nënvlerësuar veten e tyre me mendime të errëta. Si temë vetëvrasja është shumë e rëndë dhe e dhimbshme për t’u shtjelluar sepse edhe sot nuk dihet saktësisht se çfarë ndodh në trurin e njeriut derisa përballet me ato momente tragjike…Bazuar në shkaqet që sjellin vetëvrasjen i lidhur fort me të mbetet depresioni, gjatë periudhës me stres dhe depresion njeriu ushqen veten me mendime vetëvrasëse. Sipas studimeve të fundit shumë njerëz në mbarë botën tentojnë të bëjnë vetëvrasje disa edhe e arrijnë këtë pikë fatkeqësisht, kjo dukuri negative ka vite që ka goditur edhe shoqërinë tonë në Kosovë dhe në Shqipëri.
Situata është groteske. Shifrat janë alarmante.
Fatkeqësisht, shumë të rinj janë duke i dhënë fund jetës së tyre duke mos pas vullnetin për të vazhduar më tutje përkundrazi vullnetin për t’i dhënë fund jetës së tyre, në mënyra të ndryshme si ; marrja e substancave të ndryshme, pirja e medikamenteve, hedhja nga lartësitë e ndërtesave, vrasja e vetes me armë, varja në litar e mënyra të tjera. Të gjithë ne, pa dallim, jemi të dënuar në këtë botë sikurse Sizifi: hedhemi në botë, jetojmë dhe në fund që të gjithë vdesim. Pra, në fund të gjithë e ndajmë të njëjtin fat: vdekjen. Ky fund është, në fakt, ndër të vërtetat e vetme që pranon filozofi francez Albert Kamy: “Njoh edhe një të vërtetë tjetër: ajo më thotë se njeriu është i vdekshëm”.
Ky pranim, apo tundim, mes të përjetshmes dhe të fundmes na zbulon absurdin. Si ballafaqim i njeriut me botën, absurdi është vetëdija e njeriut për veten dhe situatën e tij ekzistenciale. Të qenit në absurd, është të jetosh pa shpresë, pa të ardhme dhe pa qëllime. Para absurdit njeriu jeton pa ballafaqim me botën, ai i vendos vetes qëllime dhe ndjesia e së ardhmes e përcjellë në vazhdimësi. Duke shpresuar për të ardhmen, njeriu e humb sensin e së tashmes; ai e jeton një të ardhme që nuk ka ardhur dhe e cila nuk vjen kurrë. Njeriu aburd për Kamynë është njeriu i pashpresë. Shpresa në ekzistencializmin e Kamysë trajtohet si kategori religjioze dhe prandaj kuintesenca e saj është një jetë joautentike. Derisa të jetuarit në absurd është para së gjithash të jetuarit pa shpresën; pra të jetuarit në të tashmen. Sipas Kamysë njeriu që jeton me shpresë jeton në të ardhmen:Një njeri i pashpresë dhe i ndërgjegjshëm për ketë gjë, nuk i përket më së ardhmes.Shpresa kështu në diskursin kamyan bëhet cënuesja më e madhe e një jete autentike, që është: “vendosja e një përballjeje me të tashmen”. Absurdi është përballje: me botën dhe me sendet që na rrethojnë. Është vetëdija e njeriut për situatën e tij ekzistenciale. Njeriu absurd është njeriu i vetëdijshëm se bota nuk mund të shpjegohet. Prandaj Zhan Pol Sartre në një ese për Kamyn thotë që “njeriu absurd nuk e shpjegon botën, por vetëm e përshkruan atë”.
Të vdesësh me dashje parakupton që e ke zbuluar qoftë edhe instinktivisht, karakterin qesharak të këtij zakoni, mungesën e çdo arsye të thellë për të jetuar, karakterin absurd të veprimtarisë së përditshme dhe kotësinë e vuajtjes.
Edhe kryepersonazhja ime, Qëndresa, vendos më në fund guximshëm t’i japë fund jetës së saj duke u varur në litar. Në konceptin e saj “metafizik” dhe realisht ateist mbi jetën Qëndresa udhëhiqet nga parimi nihilist, humanist e individualist niçean se “njeriu është në epiqendër të gjithçkasë, ai është zoti vetë”. Që këtu zë fill filozofia e “mbinjeriut” dhe bindja se “zoti qiellor ka vdekur”. Në këtë mendësi ka reminishenca të filozofisë ekzistencialiste. Ideja e ekzistimit të njëshit transcendental, e implikuar me Platonin në antikitet, e dinamizuar në periudhën e mesjetës me ‘prima causa’ të teologëve të krishterë Toma Akuinit, Shën Augustinit e Martin Luterit, si dhe të teologëve myslimanë Imam Gazaliu, Ibn Arebiu e Muhamed Ikballi, rrënohet me ardhjen e ekzistencializmit si doktrinë filozofike që ka për maksimë themelore sentencën: “ekzistenca i paraprin esencës”. Ky është një refuzim i idesë se bota është krijuar për një qëllim, ose se Zoti qëndron pas krijimit të saj. Duke qenë Qëndresa një ateiste kryeneqe dhe ithtare e ideve të sforcuara ekzistencialiste, ajo e refuzon kategorikisht besimin në një Zot.
Në këtë rrafsh ajo realizon dialogë të veçantë me pastoren protestante Martina Weber dhe me imamin shqiptar Mustafë Mehmeti, duke shpërfillur një identitet religjioz, pavarësisht faktit që këta teologë e udhëzonin atë në besimin monoteist abrahamik. Pikërisht në këtë botë të shkërmoqur plot kontraste, rreziqe, urrejtje dhe humbje e gjymtime fatale Qëndresa vendos të ngre dorë mbi vetveten. Ajo në fund përpëlitet dhimbshëm në krevatin e saj, ku e shkruan ditarin me kuptim shumë tragjik tamam si në atë trilogjinë dramatike “Melone vdes” të shkrimtarit irlandez Samuel Becket.
Në subkoshiencën e saj Qëndresa do të udhëhiqet këmba-këmbas nga ide sa çoroditëse, iracionale e paradoksale aq edhe absurde. Pikërisht para aktit suicidal ajo do ta lë porosinë vijuese në letrën e saj lamtumirëse: “Kreshnik, trupi im le të digjet dhe hiri i im le të hidhet në lumin Lumbardhë të Prizrenit! Në ceremoninë time mortore dhe në kortezh të mos prezantojë as një hoxhë, asnjë shejh dhe as një prift, si dhe nuk dua kurrfarë ritualesh fetare në ceremoninë mortore …!”
Njëherësh, ky roman flet edhe për dashurinë ideale në mes këtyre dy personazheve qendrorë. Por, fatkeqësisht, Qëndresa dhe Kreshniku nuk ia dalin që ta kurorëzojnë këtë lidhje dashurore me martesë, sepse, siç theksova, Qëndresa ngre dorë mbi vetveten, duke vdekur fatalisht. Një rrëfim ky i imi romanor, pra, që flet për kalvarin dhe odiseadën afro njëdekadëshe të Qëndresës dhe ndihmën e mbështetjen e pakursyer të së dashurit të saj, Kreshnikut.
Përfundimisht, ky roman flet edhe për tre këndvështrime dhe koncepte jetësore e filozofike: ateizmin, agnosticizmin dhe teizmin (besimin në Zot), si dhe për dy konceptet ideo-politike e filozofike: Lufta dhe Paqja,duke i paraqitur ato me një gjuhë sa kontradiktore aq edhe konfliktuoze pikëpamjesh.
Në esencë, marrë në tërësi, në romanin tim dominojnë diskurset, dialogjet e polemikat PAQËSORE, kundër dhunës, krimit e luftës midis nacioneve, kulturave e qyretërimeve ekzistente në glob, si dhe mposhtja racionalisht e gjitha tentativave për ndërmarrje të akteve suicidale (vetëvrasëse) – kjo për arsye se në narracion dominon botëvështrimi teist mbi jetën: se ne (jeta jonë pra) në këtë botë jemi produkt i vullnetit absolut të Zotit dhe, si të këtillë, nuk kemi të drejtë t’i marrim vetes jetën. Përkundrazi, atë duhet ta çmojmë maksimalisht si thesarin më të çmueshëm e më të shenjtë në ekzistencë …..
Autori: Zekerija Idrizi
Berlin, 2024