Guri Coka

Fragment nga tregimi “U shua si shkrepsja nga era “
Miku
U ula te cungu i drurit.Hodha sytë duke vëzhguar mjedisin përrreth.
Një tufë dhensh të qeta në krye të parcelave rrethuar nga një pyll me pemë të larta shkulnin me kënaqësi barin e njomë.
Një zile gazmore binte shtruar e me gaz dhe në ajrin e freskët ,të mbushur plot me dritë dëgjohej së largu si një bulkth. Dielli jetëdhënës përhapte rreze të shumta e të ngrohta mbi atë copë toke të krekosur në mes të pyllit.
Dukej sikur atje,në atë copë toke,po lindte jeta e ethshëme dhe e shpejtë që ziente dhe përtërinte gjithshka në ate vend aq të vogël ku nuk kish më shumë se pesë hektarë.
A thua se aty nuk ndihej gjithë ajo rropollamë që po ndodhte nëpër botë !? Gjithë kjo ndjenjë që shijova po më kthehej në makth hakmarrjeje,por çtë bëja !? Vetëm se rrotulloja kokën sa andej këtej,të shikoja ndonjë shteg për tia mbathur. Po ku të veja as nuk dija se ku ndodhesha! Kisha një muaj larguar nga shtëpia ! Ata nuk dinin në isha gjallë.
Isha rropatur mes zhurmave e rropëllimave midis ushtarëve gjermanë ,ku ç”nuk më kish zënë syri e dëgjuar veshi.
Gjithkohës i trembur se çdo ndodhte pas një ore ,të nesërmen e në vazhdim. Ishte dita e dytë që rrija te cungu i drurit,pa ngrenë, të paktën më binin një enë me ujë.
Plaku,Pavli merrej me gardhin, riparimin e tij. E shoqja e oficerit gjerman Hansit Elka,punonte me plugun të tërhequr nga dy kuajt ndëersa e kunata motra e Hansit Jovka, rreth të njëzetepesave, pas plugut pastronte tokën nga barërat dhe herë pas here ndërrohej me të kunatën.
Plaka nëna e Hansit i afronte ristelat plakut dhe kujdesej për dy fëmijët e Hansit djalin rreth dhjetë vjeç dhe vajzën tetë vjeçe.
Të gjithë ishin të zenë me punë ndërsa unë te cungu i drurit të prerë. Asnjë nuk mi hidhte sytë ,ndoshta më shikonin fshehurazi!
Dhe kur hengrën mëngjezin aty rreth dy hostenë diell, mua jo që nuk më ftuan por as sytë nuk mi hodhën.
U ngrita në këmbë përsëri,i erdha rrotull përsëri cungut. C”të bëja! Pa vetëdije u drejtova për te plugu ndoshta nga që më erdhi keq që po ropateshin dy të rejat por dhe nuk e mbanin dot drejt plugun në branë. Elka,u foli kuajve që unë nuk e merrja vesh se çfar u tha por ata ndaluan hoqi dorën nga doreza e plugut dhe u praps.
Mora plugun u fola kuajve dhe fillova të punoja. Plaka diçka më foli,ndoshta si të mbaja drejtimin por nuk kuptova dhe as nuk mora mundimin të ktheja kokën. Vazhdova punën sikur doja të plotësoja normën e dy ditëve që nuk kisha punuar.
Kur ktheva plugun pashë plakun Pavël, ulur në bisht dhe po më shikonte se si po punoja. Pas një ore arrita në fund të parcelës.
Plaku Pavël po afrohej me hap të ngadaltë i sigurtë dhe me fytyrë të gëzuar. Më vuri dorën para në shenjën për të stopuar.
Ndalova kuajt dhe po shikoja plakun të kuptoja shenjat me duar por fjalët nuk po i dëgjoja. Nuk u morëm vesh…
Ai mori lopatën dhe filloi në fund të parcelës të hapte një kanal të thellë rreth dyzet centimetra dhe të gjerë sa lopata.
E kuptova që do bëja kanalin në fund të parcelës dhe ja mora lopatën nga dora dhe fillova të punoja por plaku më vuri dorën në sup dhe me shenjë ma bëri se më von ,tani do hamë drekë.
Plaku më respektoi duke më hedhur ujë për të larë duart, duke treguar me gisht ujin, ibrikun,peshqirin,sapunin dhe më kërkonte që ti përsëritja dhe unë. Më vinte inat fillimisht, kur mundohej të më mësonte gjuhën e tij se më jepte ndiesinë se do të rrija gjatë në atë vend të huaj.
Mbaruam drekën, ku nuk mungoi kujdesi i plakut ngaqë kasha dy ditë pa ngrenë, apo mund ti kem pëlqyer si bujk imirë.
Të dy u tërhoqëm pranë cungut, ku rrija unë vetëm dhe diçka më tregonte për fermën e tij. Ai vazhdonte të fliste edhe se e dinte që unë nuk e kuptoja !
Mendova se ka nevojë të shprehet për tu çliruar nga diçka që e mundon ! Nxori një shami lara lara nga xhepi dhe filloi të fshinte fytyrën, ku ishte skuqur nga të folurit por dhe nga mosha e thyer.
E shikoja dhe rrija para tij si i gozhduar,e dëgjoja pavarësisht se nuk e kuptoja,e shikoja si fshihej dhe se si pas çdo shtërngimi të shamisë fytyra i zbardhej si letër dhe pastaj i bëhej prapë e kuqe si e djegur. Më në fund ra në heshtje për disa çaste dhe po më shikonte me kureshtje. Zgjati duart përpara, duket më tregonte se me këto dy duar kam punuar pa përtuar.
Vuri dorën në ballë për të më treguar se me djersën e ballit kam jetuar tërë jetën. Mu krijua një ndjenjë keqardhjeje .
Me të vërtetë ai ishte puntor dhe në atë moshë. Nga mënyra e shprehjes së fytyrës kuptova se zënka e tij me të birin sa herë që vinte Hansi në shtëpi,ishte ndoshta për problemet e luftës.
U ul në cungun e drurit,më shumë si i shqetësuar se sa i lodhur.
Iu drejtova duke ia bërë me shenjë se do shkoja te kanali,për të vazhduar punën. Nuk prita të më kthente përgjigje,u nisa.
Në mbrëmje mbrehëm karron dhe u nisëm për në banesë.
…ditët kalonin pa u vënë re,ndoshta ngaqë çdo ditë ishim të zënë me punë. Me plakun vinim pothuaj çdo ditë në fermë e cila ishte rreth katër km.larg bujtinës. Kisha mësuar shumë fjalë nga plaku ato dy-tre muaj. Plaku Pavël mundohej të mësonte disa fjalë shqip,por dhe pse i përsëriste disa herë,kur ndërrohej muhabeti i harronte përsëri e duke qeshur thoshte: -Ah pleqëri,pleqëri! Dimri filloi shpejt. Ishte i ashpër dhe e përballonim vetëm me veshje të trasha kur dilnim jashtë.
Gjatë kësaj stine punët ishin të pakta dhe më shumë rrinim brenda se jashtë. Me fëmijët zura miqësi më të ngushtë. Në ditët me shi apo borë merresha me ta duke u bërë lodra të ndryshme me dru apo me letra e tela. Ata kënaqeshin dhe qeshnin me të madhe kur unë mundohesha tu tregoja diçka por ua thoja tjetër për tjetër.
Fillonin me radhë ma tregonin se si duhej ta shqiptoja. Nga ata mësova shumë më shpejt. Merrnin rolin e mësuesit por ngaqë i shqiptonin ngadalë unë i fiksoja më mirë. Ishin të pa fajshëm dhe të vetmit shokë të mi besnikë.
Plaku kur kthehej nga kafeneja i gjente të gëzuar. Ata e vinin në mes duke e kapur për dore dhe shprehnin kënaqësinë e tyre me lodrat që u kisha krijuar. Kthehej nga unë dhe më uronte me gjithë fuqinë e zemrës dhe në fund shtonte : -Shyqyr që nipin,kjo luftë e mallkuar e gjeti në moshë të vogël!
….ditët filluan të ngrohen,dukej se po afrohej pranvera! Plaku bëhej gjithmonë e më i heshtur,rrallë herë i dëgjohej zëri i acaruar me plakën. Kishte pothuaj gjashtë muaj që nuk kishte ardhur i biri Hansi. Rreth dy muaj që nuk kish dërguar as letër.
Kur nuk i kuptoja se çfar thoshin,ngaqë flisnin shumë shpejt, shikoja në sy Nikollën, djalin e vogël. Ai më afrohej dhe duke folur ngadalë më sqaronte. Unë i mbushja mendjen që të mos merakosej se babi është gjallë,por situata mund të jetë e tillë në front ku ska mundësi të dërgojë letra. Shpesh Jovka ndërhynte për ti qetësuar prindërit. Por dhe ajo kur dilte në oborr sytë i kish të mbushura me lot,merrej me punë që të mos binte në sy të fëmijëve apo e kunata ,shoqja e Hansit. Brenga i kish pllakosur të gjithë.
E shoqja Elka, sa dëgjontë ndonjë zhurmë makine rendtte në oborr te porta nga ku dukej rruga sapo dilte nga pylli.
Kur dallonte se nuk ishte makina e Hansit psherëtinte dhe kthehej e trishtuar në dhomë. Për të mos renë në sy shpesh merrte copa buke dhe dilte pas shtëpisë ku në një lëndinë pas saj dilnin dhe delet ku ajo u jepte të hanin ndonjë kothere buke dhe i përkëdhelte por sytë i mbeteshin nga rruga.
Atë ditë doli e shqetësuar ! Delet e rrethuan por ajo heshtte dhe nuk reagonte ndaj dashurisë që i shprehnin ato.
Ato ngrinin kokat përpjetë të habitura se pse ajo nuk po u jepte diçka,të paktën një përkëdhelje.
Delet i afroheshin,e kapnin prej rrobash e duart e saj. E shikonin qetë e gjatë e në syte e tyre të ftohtë lexohej një pyetje e trishtuar e heshtur por dhe miqësore. Por më kot ,ajo as nuk i përkëdhelte,as nuk u jepte kothere me dorën e saj.
Delet të lodhura më në fund kalonin tutje me një psherëtimë për të kërkuar ndonjë fije bari. E kunata e pa shumë të shqetësuar por si çdo ditë e mori qetësisht duke shprehur se ëndërrat shpesh nuk dalin dhe me krahun të mbushur me dru për sobën u drejtua për në sallon te soba. Djali Nikolla mu afrua për të më treguar ëndërrën që kish parë e ëma por e ndalova duke i thënë se e kuptova ,por mos u shqetëso se mërzitet më shumë mami.
Sapo mbarova fjalën u dëgjua zhurma e një makine. E shoqja dhe motra rendën te porta. Makina po afrohej.
E motra briti : -Makina e Hansit! Makina u afrua,por asnjë nuk po ja hapte portën. Shtangën duke parë se në timon ishte ajutanti dhe jo si zakonisht Hansi!
Unë e kuptova,hapa portën dhe makina u fut në oborr.
Ajutanti ,një djalë i thatë por me trup atleti zbriti,na përshëndeti dhe hapi derën e pasme të makinës. I dha dorën për tu mbajtur Hansi që pothuajse zvarrë zbriti nga makina. U duk se kishte humbur njerën këmbë,të djathtën,por dhe shuplakë e dorës se majtë. Mezi mbante patericën dhe kur u mat të hidhte këmbën paterica ju ngul në tokë dhe desh ra po të mos ishte i vëmëndshëm ajutanti. E motra u derdh për ta ndihmuar dhe e çuan brenda në dhomë. E shoqja u verdh në fytyrë,u shtërngua trupi i saj nga një dhimbje, saqë kurrë nuk kish ndjerë më parë dhimbje të tillë! Të mos ishte ulur në gjunjë do ishte plasur në tokë. E vjerra iu afrua e mori për krahu dhe u futën brenda.
Nikolla i vogël doli përsëri në oborr dhe mu afrua . I përkëdhela kokën duke e afruar për ti thënë diçka por plaku pa u përshëndetur me Hansin mu drejtua : -Mik,bëj gati kuajt!
( Vazhdon … treguar nga nipi i tij Niku verior ushtar )