Frika e Sokratit-Robert Shkurti


Robert Shkurti

Frika e Sokratit

Prej disa ditësh ndodhesha në qytetin tim të lindjes për të kaluar pushimet, ashtu siç bëj pothuaj çdo vit në muajin gusht. Ishte mesditë. Bënte shumë vapë. Po kaloja pranë tregut fshatar. U kujtova që Sokrati kishte një dyqan shumice me mallra ushqimore, por shiste edhe me pakicë. Mendova ta takoja. Kisha vite pa e parë. Emigrimi na ndau për së gjalli. Me Sokratin po i afrohemi dekadës së gjashtë të jetës. Jemi shokë që nga klasa e parë fillore. Në ciklin tetëvjeçar unë ndërrova shkollë, kështu që u ndamë, por fati na bashkoi përsëri në shkollën e mesme profesionale.

Sokrati ishte djalë i zgjuar, nxënës i rregullt, njeri i mirë dhe me sedër. Në biseda shpeshherë përdorte një ironi të hollë dhe, kur bëhej ndonjë shaka, shpërthente në një të qeshur të fortë e të papritur.

Pasi bëra disa metra, arrita te dyqani i tij. Po i shërbente një klienti. Sapo më pa, vuri buzën në gaz dhe me një shenjë të lehtë më la të kuptoja që të prisja sa të mbaronte punë me të. Sapo u lirua prej tij, doli nga banaku. U përqafuam me mall. Pothuajse nuk kishte ndryshuar fare. Po ai që mbaja mend vite më parë. I hollë, i gjatë dhe me flokët biondë, nën të cilët ishin fshehur për bukuri shumë thinja.

– Kur paske ardhur? – më pyeti pasi u ndamë nga përqafimi.

– U bënë disa ditë dhe, meqë kalova këtej, mendova të të takoj, – iu përgjigja.

– Shumë mirë bërë! – më tha duke qeshur. – Po ç’kemi ndonjë gjë? Nga shtëpia si i ke? Fëmijët, gruaja? Me punë si shkon? Vetë me shëndet si je? – vazhdoi pastaj me një breshëri pyetjesh.

Pasi iu përgjigja pyetjeve të tij, ia nisa edhe unë nga pyetjet. Kur e pyeta se si i shkonte puna, fytyra i ndryshoi menjëherë. Gjithë ai gëzim i takimit të papritur u fashit në çast. Tundi kokën dhe me një zë gati të shuar m’u përgjigj:

– Lëre, lëre! Punë dreqi! Mezi arrijmë të mbijetojmë! Ne tregtarët e vegjël dhe të mesëm s’po marrim dot frymë, na mbytën në kontrolle dhe gjoba. Nuk na lënë të ngremë kokë. Nuk na lejojnë të punojmë të qetë. Këta socialistët ne të djathtët na luftojnë shumë. Është njëlloj si në kohën e Enverit. Sot mund të flasësh pak më lirshëm se atëherë, por përndjekja është. Nuk të thonë gjë, por ama të futin në rreth. Kanë dalë këta spiunët e sotëm, “patronazhistë” i quajnë, dhe s’të ndahen. Kam frikë të flas e të shprehem me të tjerë. Po flas me ty se je i krahut të djathtë e njihemi që fëmijë. Të ndjek në Facebook me ato që poston. Nuk të komentoj apo të bëj like sepse të gjitha shikohen dhe raportohen.

U kujtova që Sokrati nuk më kishte bërë like asnjëherë te publikimet e mia me karakter politik, por vetëm te ndonjë poezi apo tregim të publikuar herë pas here.

Nuk fola. Më erdhi çudi me ato që po dëgjoja nga shoku im. Rashë në mendime. Njeriu është qenie e çuditshme dhe e harron shpejt atë që ka kaluar. Sot, pas më shumë se tri dekada nga ndërrimi i sistemit, kemi harruar shumë nga peripecitë dhe vuajtjet e atyre viteve. Jemi përshtatur me jetën e sotme me bollëk dhe me shpejtësinë e saj marramendëse e mendojmë se ka qenë gjithnjë kështu. Për shqiptarët emigrantë duket e çuditshme se pse shqiptarët në atdhe votojnë me frikën e vendit të punës, që e rrezikojnë seriozisht nëse nuk votojnë partinë e punëdhënësit. Në vendet perëndimore kjo gjë nuk ndodh. Cilado forcë politike që e merr pushtetin, nuk të kërcënon me heqjen nga puna.

– A pimë ndonjë birrë, se na mbyti vapa? – më tha Sokrati dhe pa pritur përgjigjen time hyri në dyqan dhe nxori nga një frigorifer i madh dy birra të ftohta akull. Trokitëm shishet.

– Kam shumë frikë. Kam marrë pjesë disa herë në manifestimet dhe protestat që ka bërë opozita në Tiranë, por kam shkuar i maskuar.

– I maskuar?! – pyeta i çuditur, pa e kuptuar se ç’donte të thoshte me “i maskuar”.

– Po ja, kam vënë syze, kapelë, shall, me qëllim që të mos më dukej fytyra, – m’u përgjigj ai dhe tundi kokën si për t’u shfajësuar nga ai maskim i turpshëm, por i nevojshëm.

Vazhdoja të çuditesha, megjithëse nuk kishte shumë për t’u çuditur. Pak a shumë e dija dhe e njihja gjendjen politike të vendit, sepse e ndjek përmes televizionit në të cilin jam i abonuar prej vitesh, po kur e dëgjon nga një shok që e ka në kurriz një gjendje të tillë, vetvetiu të vjen të çuditesh. Të paktën kështu po ndodhte me mua. U kujtova se vite më parë, kur isha takuar për herë të fundit me Sokratin, më kishte thënë se e kishin plasur brenda disa ditë për gjoja parregullsi në faturimet e mallit. Nuk kishte pasur nga t’ia mbante, pasi i kishin bërë presion, kështu që kishte paguar një shumë të majme për ta lënë të lirë.

Tek fliste, Sokrati hidhte sytë herë majtas e herë djathtas. Dukej shumë i trembur. Fliste me zë të ulët. Një fytyrë i shkonte e një i vinte, a thua se dikush po e përgjonte e nga çasti në çast do ta arrestonte.

Më pas me Sokratin biseduam për gjëra të ndryshme, por ajo që më bëri vërtet përshtypje ishte frika që lexova në sytë e kaltër e të bukur të tij, frikë që i kishte hyrë deri në palcë, sepse ata që ishin në pushtet kishin mbjellë frikë dhe terror, jo me anë të internimeve dhe burgimeve, siç bëhej në regjimin e shkuar, por me anë të ryshfetit, vendit të punës etj., që të bëjnë të dorëzohesh e të ngresh duart përpjetë pa kushte. Të bëjnë të falimentosh, edhe pse përpiqesh të punosh e të jetosh me djersën e ballit.

Pasi pimë birrat, u ndava me Sokratin duke i uruar shëndet në familje dhe mbarësi në punë.

– Duku përsëri, nëse vjen vitin e ardhshëm, – më tha teksa po i shtrëngonim dorën njëri-tjetrit.

– Patjetër, – ia ktheva dhe u largova i trishtuar. Një mori pyetjesh po më cimbisnin trurin.

26 qershor 2022