Frosina-Petraq Pali


(Ngjarje e jetuar, emrat nuk janë realë)

E pagëzuan “Frosinën” në moshën njëzet e tre vjeçare, kur, e ndërgjegjësuar vendosi për të ndërruar fenë e saj që ishte e besimit bektashian, në besimin ortodoks. Duke punuar e shkolluar në një shtet laik, vendosi me dëshirë dhe pa presionin e askujt të bënte këtë ndryshim të madh në jetën e saj ! Prindërit e saj, jo vetëm që nuk e kundërshtuan por e aprovuan menjëherë sapo Frosina u tha se ç’kishte ndër mend të bënte. Frosina kishte parë edhe shoqe të tjera emigrante që të ndërronin fenë dhe në bisedat me to, ato ndiheshin njësoj si më parë, pa as më të voglin ndryshim! Marrëdhëniet intime me të dashurin e saj filluan të tjetërsoheshin që ditën e parë, që Frosina e bëri realitet ëndrrën. Më pas Sokoli për çdo ditë ftohej me të. Ajo ja kishte thënë Sokolit dëshirën e saj për ta bërë këtë pagëzim. Ai e kishte kundërshtuar, por nuk mundi dot ta frenonte, mbasi ishte një e drejtë e saj dhe një zgjedhje që kushdo mund ta kryente. Një të dielë Sokoli e mori në telefon Frosinën, se kishte një ngutje dhe donte ta takonte aty nga ora dhjetë e mëngjesit, orë kjo kur Frosina do të shkonte në kishë për katër të diela rresht mbas pagëzimit, sipas regullave laike. Ajo ju lut Sokolit që orari i takimit të ndryshonte, para apo

pas ritualit të zakonshëm të të dielave ortodokse, pra të mos e pengonte pjesëmarrjen e saj në meshë. Sokoli, me gjithë lutjet e Frosinës, i mbylli telefonin duke i thënë me inat. “Bashkë nuk kemi më punë. Më more vesh! Mos kërko të më takosh më!”. Frosina e mbylli telefonin me lot në sy. Ankohej me vetveten pse nuk e kishte miratuar Sokoli veprimin e saj dhe pse ai sillej në këtë mënyrë. Ndërkohë që e donte shumë shumë dhe i kishte dhënë e falur gjithçka. Kishte pesë vjet e dashuruar me Sokolin dhe ja tani, meqenëse kishte ndërruar fenë, të prishte dhe dashurinë me të!. Plasi nga inati, qau plot maraz dhe vazhdoi punën e saj, duke ruajtur dinjitetin, personalitetin dhe karakterin. I dha vetes karar dhe vendosi njëherë e gjithmonë, se nuk do pranonte asnjë burrë tjetër në jetë veç Sokolit dhe, në qoftë se ai nuk kthehej, ajo do përfundonte kallogre manastiri. Pikë. Frosina ishte një vajze shumë e bukur, ajo ishte e stisur vetë nga zoti, me të gjitha tiparet e bukurisë. Kishte edhe vyrtyte, sa fisnike, aq dhe kryelartë, sa e qeshur aq dhe serioze, sa e pastër, aq dhe sqimtare, pa le pastaj, intelekti i saj. Ishte e para në shkollë, me nota të shkëlqyera si në vendlindje, por edhe në emigracion. Edhe nga pamja e jashtme kishte të veçantat e saj. Sytë e saj të blujtë si margaritar i shkëlqenin plot jetë dhe gaz. Trupi selvi, këmbë të mrekullueshme, gjoksi i përkryer, buzët shegë, faqet si mollë, flokët e saj të gjata të merrnin në qafë. Atë e shikonin të gjithë me habi, e ajo gjithmonë buzëqeshte. I pëlqente jeta dhe njerëzit ! Sa i mbylli telefonin Sokoli, Frosina, jo vetëm që u fye, por aty për aty e urreu atë dhe sjelljen e tij. U shqetesua, u mërzit dhe përbrenda vuante nga një ndjenjë dashurie e madhe për të, por edhe nga një ndjenjë inati dhe njëfarë si urrejtje. Vuante me vete që ai nuk i kishte kuptuar dëshirat e saj !

124 125 Petraq J.Pali Maja e Luleve …

Kaluan ditë, javë dhe muaj, Frosina në punën e saj, ndërsa Sokoli në të vetën. Asnjëri nuk mund të ulej e të shtronte miqësisht e urtësisht dashurinë e tyre dhe problemin e krijuar. Frosina në vetvete luftonte dhe nuk donte gjithsesi të ulej e të nënshtrohej. Fundja ishte ai që prishi miqësinë. Këto gjykonte me vete vajza e shkretë, se qysh kur pati përplasje me të, humbi gjumin, humbi qetësinë dhe po tjetërsohej ! “Pse ai duhej të më urrente mua me veprimin që bëra?! Po të isha unë një vajzë e besimit ortodoks, nuk mund ta dashuroja Sokolin me besim mysliman? Ç’janë këto gjëra, o Perëndi?”, thoshte e shprehej përditë e shkreta vajzë. “A nuk janë njerëzit njesoj, a nuk kanë një gjak, a nuk ka një zot të vetëm në qiell ?! Kisha qejf të ndërroja fene, pse të humbas dashurinë, pse, pse?” Vajza e ndiente dhimbjen e ndarjes së saj me Sokolin, i cili kryeneç dhe i papërgjegjshëm, e bënte të vuante të shkretën, deri sa të merrte ndonjë vendim depresiv që të sakrifikonte rininë edhe jetën e saj për të e të mbyllej nëpër manastire.! Kjo do të ishte fatale. U mbush plot një vit që Sokoli nuk fliste me Frosinën, ama kishte plot një vit që nuk duronte dot pa të. Mirëpo gjatë këtij viti ai survejonte ngado dhe në çdo kohë Frosinën, nuk la gjë pa bërë me provokime, jo duke dalë në plan vetë, por duke futur miq të tij t’i prisnin rrugën vajzës. E fotografonte, e xhironte me kamer në distancë. E ç’nuk bëri Sokoli gjatë një viti që kishte humbur qetësinë e tij..! Dha e mori por nuk mund të duronte dot më. Plasi, s’dinte nga t’ja mbante. Ishte bërë pishman që u largua nga ajo dhe tani e vuante gati sa nuk çmendej, e vuante aq shumë sa shpesh donte t’i jepte fund edhe jetës. Filloi të merrte drogë, filloi të pinte, qante, në shtëpi rrinte i mbyllur, kufizoi gjithçka, por nga egoizmi i tij dhe kokëfortësia nuk gjykoi t’i jepte fund ankthit e të takonte Frosinën dhe të

binin në dashurinë e tyre të parë dhe të marrë. Ata dashuroheshin marrëzisht me njëri-tjetrin. Po ku t’i gjente ato forca Sokoli, i cili përditë po degradonte. Por edhe Frosina, nga ana tjetër e ndiente dhe e vuante dashurinë e humbur. Situata ishte me të vërtetë e dhembshur për të dy. Nuk duroi dot më Frosina dhe një ditë nga ditët e mori në telefon Sokolin, për të rirregulluar marrëdhëniet. Mirëpo Sokoli, i cili në çast e humbi kontrollin, u befasua e u alarmua, mbasi nuk e priste. Sa dëgjoi zërin e saj “Alo, Sokol, jam Frosina”, menjëherë mbylli telefonin si budalla. Frosina u fye dhe nuk e mori më në telefon. Bile aty për aty, mori vendim të nënshkruante tek Dhespoti aktin e flijimit të saj në vathën e Perëndisë, vendim ky, që e bënte përjetë murgeshë. Vajza mezi priti të dielën kur, e hidhëruar deri në palcë, pa komunikuar me prindërit, nënshkruan aktin final dhe përfundon në manastir ! Sokoli mbas telefonatës, i ndërgjegjshëm dhe katërcipërisht i dashuruar pas saj, vendosi që të dielën e ardhshme të pagëzohej, që të mos humbiste dashurinë! Shkoi tek prifti, sipas rregullave me nunën e tij, një zonjë ortodokse, e cila kishte kohë që e këshillonte të mos humbte dashurinë me Frosinën, të bënte edhe ai të njëjtën gjë, të pagëzohej. E kreu me vrap këtë rit. U pagëzua dhe u kthye në fenë e të dashurës së tij. E emëruan SOTIR.! Sa doli nga ceremonia e pagëzimit me cerfitikatën e kishës në dorë, vrapoi të sinjalizonte Frosinën. Sotiri dukej si një dhëndër, i gëzuar, i qeshur, i zbukuruar dhe po fluturonte drejt dashurisë së parë, por të humbur!. Frosina ndërkohë ishte veshur kallogre !