FSHATI IM KULAR


Petro Sota



Kur një ditë, dhe unë të mos jem më,
Do kërkoni më shumë për mua të dini,
As plepat buzë lumit, s’ju tregojnë asgjë,
Për djalin, që ruante dhitë tek Shkumbini.

Për djalin, që një libër në xhep mbante,
Por, dhe një laps në një fletore kopsitur
Në hije të gorricës ndonjë kokërr hante,
Dhe mendonte se do bëhej, njeri i ditur.

Do të kërkoni ndoshta, e gjëra të tjera
Gjithashtu për shkollën, ku ai ka qënë,
Por Shkumbini, se la të vinte pranvera
Se e përmbyti dhe s’mbeti asnjë shënjë.

Shkumbini i zhduku të gjitha atje ç’kish,
Çdo vitë e përmbyste kur dilte nga shtrati,
Njerëzit me dhimbje, u larguan sigurisht,
E tani në hartë, s’egziston më as fshati,

Ndërsa përballë, matanë lumit Shkumbin,
Kalaja e Boshtovës, akoma aty qëndron,
Venetikasit e ndërtuan se mbanin ushtrinë,
Por fshatin Kular, Shkumbini e pushton.

Vetëm tokat kanë mbetur atje si djerrinë,
Por dikush i punon për të mos i lënë fare,
Dhe kur shkoj ndonjëherë, gjej nostalgjinë,
Por dhe kujtimet e dikurshme djaloshare.

Kërkoj diku, ndonjë shënjë që ka mbetur,
Dhe hedh sytë, duke kërkuar por më kot,
Malli për shtëpinë, shumë më ka prekur,
Ndërsa sytë më lagen e rrjedh një pikë lot.

Atë mënin e zi, që na mblidhte në maj,
Vëndin ku ka qenë, me vështirësi e gjej,
Ndërsa gorricën e ëmbël, mënd e mbaj,
Por ajo, s’është më, që për mua t’ju rrëfej.

Por dhe rrugët, gjithashtu më nuk janë,
Me kallëmat e gjatë, në verë me pluhur,
Ku aty takoja, vajzën nga lagjia matan,
Fshiheshim në kallëma, aty jemi puthur.

Ku vajti ajo vajzë, që s’e kam parë më,
Që vraponte zbathur, në rrugën me pluhur,
S’mund t’i kaloja dot, unë mbrëmjet pa të,
Aty në kallëma, pa i marrë një të puthur.

Aty në kallëma, mbeti e fshehta jonë,
Dhe asgjë s’do të gjeni, po ti kërkoni tani,
Gjurmët Shkumbini, i mbuloi si me beton,
Si një mëkat të bërë, shumë kohë në rini.

Dhe u mbuluan gjurmët, aty përgjithmon
E nuk mbeti asnjë shënjë, sot për ta parë,
Tani pranë tokave, Shkumbini gjarpëron,
Ashtu krenar, që zhduku fshatin tim Kular.

18 tetor 2021.

About Post Author