Fshati prej vjeshte!Arben Velo


Dje shkova në mbrëmje në një fshat

(errësirën e kishte vënë ndër këmbë)

njërin sy të sapo dalë nga drita

e kishte kthyer furrë pjekje për hënë.

Syrin tjetër e kishte mbushur me rrokje

nga zëra kujtimesh, në pragje dritaresh

i kthyer në djep,që foshnjat e dhimbjes

të flenë e mos zgjohen nga vdekja e lagjes.

Mbi kokë kishte hedhur kapele prej vjeshte

më priti në hyrje të rrugës me zeje,

Me duart plot kallo mjegullash me derte

në sy shtëpi bosh,si lundra pa leje.

Më foli të shkuarën e vajzave të bukura

kur qëndisnin zogj me qerpikët e djemve

nga brumi i të qeshurave zihej edhe buka

në fshatin pa njerëz, atdheun e pemëve

Përshëndeta një gjyshe,hipur në shkallë shprese

si pikëçuditje e ngelur në fund të fjalisë

Shtrëngonte në duar një aparat telefoni

Si hartën gjeografike të Italisë.

Shumë kishin ikur,të moshuar kishin vdekur

në brinjët e ditëve e kanë nga një varr

shtatë hije pleqsh mbetur,me mugun e vesës

i veshin shtëpitë bosh,si marinarë.