Ftesë për njohje


Vaso Papaj

Unë s’u takoj ca poetëve të kohës së shkuar,
Fshehur aty, pas vargjesh të lëbyrta dashurie.
Më mjafton zemra,
Për t’i kuptuar e vlerësuar
Në janë shpirtra lirie,
O ledhatarë të një kohëmbetje inercie.

Unë s’u takoj poetëve të kohës së mëkatit,
Udhëtar i një anieje pa busull,
Dorëzuar në mëshirë të fatit.
S’u takoj më as zhelanëve modernë,
As pashallarëve të rinj.
Ndaj zëri s’më mungon e s’dyshoj
Se Zoti do t’ma marrë këtë rrëfim
Për ceitnot në dashuri.

Zgjohem brenda një ëndrre, çdo mëngjes
E rrotull më vjen trishtimi.
Po kurrë s’mund të jem një indiferent i pashpresë,
Ndonëse çdo ditë po më humbet durimi.
Se s’jam njeri me mendje fikse,
S’i takoj kohës së delirit të shkëlqimit të rremë,
Demokracisë postkomuniste.

Atëherë… Mos, vallë, i takoj kohës së shtërngatës,
Shkruar mbi kallot e pëllëmbëve me të zezë?
Mos pëllëmbët m’i ka gërryer
Frenimi i mandrinos turneve të natës
Dhe rob i asaj kohe dashkam viteve të mbesë?…

Jo, jo…
S’i kam takuar kurrë gënjeshtrës
Dhe më trishton mungesa e dashurisë për njeriun.
Veç sinqerisht, më bën të qesh hidhur trishtimi,
Ndaj s’do të lodhem kurrë t’u ul perdet e teatrit-kohë
Spektatorëve të shastisur
Pas projektorësh e trukesh aktrimi.

Jam ky që jam
Po s’bëj pjesë n’atë kohë,
Që t’i mësonte të gjitha prapësitë,
Veç asaj, të qenit njeri.
Të mbesja pjesë e turmës doja,
Paqen aty ta kërkoja,
Pa ëndërruar kurrë të bëhesha gjeni.

Ndaj
S’u takoj as atyre që bota i quan asketër.
Një ditë s’e kam ndrruar numrin e celularit.
E në më telefonofshi,
Bëjeni këtë thjesht:
Me dashurinë e madhe
Të një kohe, që më s’hesht. 

About Post Author