Ftesë shkrimtarit-Vaso Papaj


Khaled Hossein*

(poemë)

S’di në do të njiheshim një ditë,

Por unë me ty jam mrekulluar.

Kam siguri mbi të gjitha siguritë:

Nobelin do ta kesh një ditë në duar…

Vijmë të dy nga vënde të përzhitur,

Ndoshta dhe të dëshpëruar,

Por që jetët tona të përngjanin,

Kohë më parë, s’e kam menduar.

Veç, kemi një ndryshim:

Unë s’kam luajtur nga vendi im.

Ti në Amerikë folezën ke ngritur,

I shtrënguar, miku im…

Dhe s’e di, cili ka dal i fituar!?

Unë s’të ndoqa. Mos kam bër gabim?!…

Qoft edhe këtë për të kuptuar,

Do të të ftoja në qytetin tim .

Të shikoje diellin zjarr

Si zhytej për të shuar etjen

Çdo mbrëmje te Currilat.

Të shikoje vilën e mbretit, varr,

Vilën e mbretit pa mbret,

Si të kish kaluar Termopilat.

Do të shkonim atje,

Te Shkëmbi i Bardhë,

Te vendi i betejë së madhe,

Kur në Romë luftohej për pushtet.

Që atje do t’ shikoje kodrat e qytetit tim,

Si kurrizi i një krokodili në luftim

Që njerëz ka ngënë për jetë,

pafund.

As për varre s’ ka më vend,

kërkund.

Dhe në fund, kodra ime:

Ia thonë emrin Moisiu.

Ësht’ vendi ku kam shkelur që fëmijë.

Atje shumë erë sjell veriu.

Balona do të ngrinim unë dhe ti.

Po, po, balona, i dashur Khaled

Dhe do të bënim garë si në Kabul.

Dhe garën do ta fitoje ti vetë,

Se gjuetari ishe ti.

E dije mirë lojën e pikiatës,

Atje në Kabul, në prag të shtërngatës…

Ndërsa unë, ah unë…

Seç kishte ky qyteti im,

Një gjë krejt tjetër:

Mbaj mend që, kur isha fëmijë,

Bridhnim te kodra e Moisiut

Dhe kur balona lëshonim në ajri,

Përsëritnim refrenin e vjetër:

Lëshoji pe balonës, lëshoji pe balonës!

Kjo e bëri këtë qytet të jetonte,

Të mos i ngjante Babilonës.

Eja, i dashur Khaled!

Ja, zbardhi.

Ka një mëngjes të ndritshëm qyteti im.

Eja!

Eja të lusim namazin e mëngjezit!

Krishtin e kam me vete sot:

“Shko!” më thotë.

Mos më shiko me vërejtje.

Mos më bëj po atë pyetje,

Që dua të ta bëj’ edhe unë!…

A ka një buzëqeshje këtu, mes nesh?

Asgjë më shumë.

Ka, sigurisht që ka:

Asimetrike, mezi duket,

Po është diku, diku këtu…

Pa ç’ka se ngjan me një gjethe pylli

Që dridhet

Nga rrahja e krahëve të një zogu të trëmbur

Që përpjet hidhet,

Për shpëtim.

Do ta presim të rritet,

Sëbashku, krah hapur, miku im.

Nesër do të vijë pranvera.

Flokët e borës do të shkrihen

Dhe atëhere buzëqeshjen do ta kemi të paanë.

Nuk jemi mësuar me fildispanjë.

Me pe, me pe, i dashur Khaled

Dhe do t’i ngremë balonat përpjetë, përpjetë,

Gjer tek retë…

Duke ndjekur diturinë e qytetit tim të vjetër:

Lëshoji pe balonës, lëshoji pe balonës,

Për të mos i ngjarë kurr Babilonës!…

Prandaj, kam të drejtë me të, të mburrem

E nga ky vend kurrë të mos shkulem.

*Khaled Hosseini është autori i shquar afgan i romaneve

“Dhe malet oshtinë”, “Gjuetari i balonave” dhe “Njëmijë diej vezullues” të shitur miljona kopje në të gjithë botën.

Me profesion mjek, ka fituar statusin e azilantit politik që në vitin 1980 dhe jeton në Kaliforni të SHBA.