Fundamentalistët e kthejnë botën kokëposhtë dhe e rrënojnë njeriun-Nga Zekerija Idrizi


Çuditërisht nga njerëzit vetëm “fundamentalisti”, “fanatiku” i paskrupull, “konzervativi”, “radikali” me injorancë religjioze, mëton ta prishë, respektivisht ta përdhos “pejsazhin” e mrekullueshëm, pitoresk, antagonist, diversiv, shumëngjyrësh të Perëndisë: ai këtë botë kolorite dëshiron, akoma më keq, tenton ta bëjë në mënyrë absurde “njëngjyrëshe”, “të njëtrajtshme”, monolite. Fundamentalisti mysliman, kristian, hebre, budist, dailamist, ateist, politik apo çfarëdoqoftë ai, mëton t’i bëjë gjithë të tjerët si veten. Fundamentalisti, thjeshtë, dëshiron njeriun dhe botën t’i kthejë së prapthi, do të thotë kundër Zotit. Aty diku në Kur’anin e shenjtë Zoti thotë tekstualisht:

“Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në tokë që të gjithë. A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?

(Kur’an: Junus, 99)

“Të Zotit janë edhe Lindja edhe Perëndimi, dhe ngado që të ktheheni, atje është Zoti”.

Zoti është krijuesi ynë, i të gjithëve, pavarësisht nga përkatësia racore, etnike, fisnore, gjinore, regjionale, ideologjike, fetare etj., madje pavarësisht nga ajo se si e emërojmë a thirrim Atë, në të gjitha gjuhët e botës: Allah-Ilah-Rabb (arabisht), Zot-Perëndi (shqip), Gott (gjermanisht), God (anglisht), Got (në gjuhët afrikane), Gudd (në gjuhën skandinave), Jahve-Jehova-Elohim (El, Elah, Eloh – hebreisht), Bog-Gospodar (serbisht, kroatisht), Gospod-Bog (maqedonisht), Deus (latinisht), Ho Theos- (greqisht) etj. Ai është për të gjithë njëlloj – NJË I VETMI ZOT, dhe para Tij jemi të gjithë të barabartë, pa dallim. Ai, për më tepër, i kupton të gjitha lutjet dhe liturgjitë të shprehura në të gjitha gjuhët e botës, edhe atë kudo: nëpër tempuj fetarë të të gjitha religjioneve, nëpër shtëpi private dhe kudo në natyrë. Ai na kupton neve shqiptarëve më së miri në gjuhën e bekuar shqipe.

Shikuar akademikisht nga pikëpamja teologjike, Zoti i Madhërishëm flet në esencë me të folurit e Tij absolut hyjnor.

Së këndejmi mund lirisht të konkludojmë atë sentencën sublime hyjnore: “NUK KA POPUJ TË PRIVILEGJUAR!”, ose ndryshe: “PËRFUNDIMISHT NUK KA POPULL TË ZGJEDHUR, HYJNOR, NË PLANETIN TOKË!”

Definitivisht “fundamentalisti”, nga cilado racë a fe që rrjedh ai, është “antinjeri”, “mbinjeri”, “anti-Zot”, “satana”, “antikrisht” etj. Pikërisht “fundamentalistët” e të gjitha proveniencave dhe të gjitha llojeve dhe ngjyrërave: kamikazët e frustuar religjiozë, kriminelët me maska, mafiozët, satanistët, hedonistët religjiozë, antikrishtët, kanibalistët, pedofilët, ndotësit e ambientit, faraonët (diktatorët) modernë me armët e tyre atomike-nukleare – që zhbijnë nga faqja e dheut jetë të tëra njerëzish, thjesht të gjithë kriminelët faqezinj janë mbledhur në një mision të tyrin të përbashkët djallëzor e mizantropik (iblisor-shejtanesk a luciferesk) për të përdhosur e shkatërruar veprën e Zotit: njeriun dhe universin.

Për ta (për fundamentalistët, pra) njeriu, si vepra më sublime e më superiore e Zotit, është një “numër” thjesht statistikor, matematikor, përkatësisht një “mi eksperimentues” a “specie laboratorike”.

Vallë ka mëkat më të madh se ajo që në emër të Zotit të shkatërrosh vetë veprën e Zotit? Vallë ka mëkat më të madh, më rrëqethës, se ajo kur “fundamentalisti” kamikaz, kriminel – i cilësdo fe a sekt religjioz qoftë, veçanërisht i atij islamik, hedh “në emër të Allahut” (me “Allahu ekber”) veten me dinamit në ajër në ndonjë aeroplan, në ndonjë çerdhe fëmijësh, në ndonjë shtëpi bonjakësh a fëmijësh pa prindër, në ndonjë shkollë filloristësh dhe në vende të tjera publike, me ç’rast i merr në qafë shumë jetë njerëzish të pafajshëm? …

Teksa po bëj këtë pyetje, në kokë më sillet vërdallë fjala e Zotit: “…kush e mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pas bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit në botë …”. (Kur’an: El-Maide, 32)

Alarmi veçmë është ndezur. Të jemi të kujdesshëm e syçelë pra! Situata është jashtëzakonisht emergjente! S’kemi çfarë presim: o do t’i stopojmë e eliminojmë këto makabritete, këto ligësi nga universi ynë, o shumë shpejtë do të na kapërdijë hataja e madhe, që tashmë ka marrë dhenë, e do të pasojë “çasti i fundit”, “dita e gjykimit absolut”, “ringjallja”, “shkatërrimi i mbarë universit”, përkatësisht “dita e kijametit” apo “APOKALIPSA”, sikundër i ka paralajmëruar këto Zoti i Madhërishëm në Bibël dhe Kur’an.

Zekerija Idrizi: Pjesëz nga libri im “Fundamentalizmi islamik si fiksion dhe myslimanët antifundamentalistë”, botuar nga Bashkësia Islame në Maqedoni, 2016.