Fuqia e parasë-Viron Kona


Viron Kona

Fuqia e parasë

(Ironi)1

Paraja bën ligjin,

me para blen jetën,

lëre ndershmërinë,

po shiko kuletën!

Shit dinjitetin,

shite për para,

ndrysho karakterin,

pa para jetë s`ka!

Paraja është busull,

paraja yll polar,

pa para në xhep,

mbetesh një lypsar!

Kur s`bën dot para,

je krejt pa emër,

s`të thotë më askush,

t ‘kam “shpirt e zemër!”

Të thonë je i paaftë,

të thonë je i pazoti,

s`nxjerr qimen nga qulli,

qenke kot së koti!

Ti mos e çaj kokën,

kur të thonë hajdutë,

është zanat i vjetër,

s`të lë kurrë pa bukë!

Gënje e mashtro,

bëj punë të pista,

ndryshe je askush,

blen bukë me lista.

Me para blihen,

karriget e shtetit,

edhe vet drejtësia,

ia ndjen lezetin!

Me para nderohesh,

bëhesh dhe i ditur,

merr tituj dhe grada,

shfaqesh mendjendritur!

Të gjithë të përkëdhelin,

me lavde dhe pekule,

të bëjnë libra, këngë,

të mbulojnë me lule!

Paraja bën çudira,

e hedh ujin përpjetë,

të bën të lavdishëm,

të bën edhe mbret!

Paraja të shpërblen,

të bën lider bote,

të bën  diktator,

fosil të kësaj toke…2

………..

1. Ironi – Tallje (për dikë a për diçka) që bëhet në mënyrë të hollë e të mbuluar, duke folur gjoja me gjithë mend; qesëndi… 

2. Fosil-Mbeturinë e një kafshe ose bime parahistorike, që është mbuluar në tokë…