Gëloftë zhurmëria-Natasha Limaj


Qyteti im historik

Sa më qënke zbukuruar…

Vragat , rrudhat e dikurshme

Shkëlqyeshëm paske mbuluar…

Xixvezullim anembanë

Ndrin – ndrin, edhe ndër sokaqe

Rozërimi mbi pallate

Pudër nuseje në faqe…

Velur syrin bukuria

Superart mbi pllak’ e gur

Por veshi im i malluar

Kërkon zhurmën si dikur…

Të kuptoj moj e përmallur

E dua… dhe un’i ‘’shkreti. ‘’..

Ata që më zhurmëronin

Vrap nga ajri , vrap nga deti …

I vetmuar farfurimës

Shoqëri dhe bukuria

Por unë, ngjallem vetëm – vetëm

Në gëloftë zhurmëria!…