Gentian Ameti debuton me performancë të jashtëzakonshme në ligën belge


Nga Artemisa Kastrioti, Nju Jork
Sportisti shqiptar Gentian Ameti ka lindur në vitin 1999 në Kumanovë të Maqedonisë. Në vitin 2009 vazhdoi jetën në Belgjikë bashkë me familjen e tij. Është duke ndjekur studimet e larta universitare për “Kontabilist Informatike” në Bruksel.
Gentian Ameti njihet si një nga futbollistët më të mirë, i cili ka zgjuar kureshtjen e mediave të huaja dhe po bën bujë të madhe në Evropë. Gentian Ameti është vlerësuar me titujt: Futbollisti më i mirë i vitit, Golashënuesi më i mirë i vitit, Futbollisti më fair play i vitit dhe Kampion i Ligës.
Gentian Ameti ka patur disa oferta në Kosovë dhe Maqedoni. Ai ka qenë në bisedime me trajnerin e Kombëtares U-21, Alban Bushi dhe sot luan për një ligë shumë të fortë, ligën belge, FC Schaerbeek Lig3, në Bruksel. Shpreson të marrë ftesë në Kombëtare, në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Ameti ka nisur të luaj futboll që në moshën 15-vjeçare në Belgjikë. Nga viti 2016-2018 u bë lojtari i Schaerbeek U17. Karriera e tij pati një sukses të mirë dhe u inkuadrua në ekipin B, Kosova Schaerbeek B nga 2018-2019.
Ne vitin 2018 Ameti lidhi kontratën duke u inkuadruar në Ligën e 4-të në Belgjikë tek klubi FC Schaerbeek. Aty ka luajtur 30 ndeshje, 21 prej tyre titullar dhe ka shënuar 8 gola dhe 5 assistime. Në fund të atij sezoni doli kampion. Më pas vazhdoi kontratën 1-vjeçare me FC Schaerbeek dhe pati shumë sukses, duke u emëruar Golashënuesi më i mirë i vitit. Në gusht 2019 filloi kampionatin dhe deri në shtator ka lujtur 8 ndeshje ku ka realizuar 6 gola dhe 2 asistime
Që nga viti 2019 e deri më sot është aktivizuar në klubin FC Schaerbeek Lig3 në Bruksel, ku luan në pozicionin sulmues. Në 2022 Gentian Ameti debuton me performancë të jashtëzakonshme në ligën belge në dy ndeshje ku ka shënuar katër gola. Ai tregon se në këtë sezon është i përqendruar të bëjë sa më shumë gola, të mos ketë lëndime dhe të japi maksimumin e tij.
“Me 17 gusht 2022 fillova futbollin në ligën belge. Jam i gatshëm të jap më të mirën dhe maksimumin tim, jam i fokusar ndeshje pas ndeshje.
Për këtë sezon 2022-2023 qëllimi im është të realizoj një sezon të mirë, të jap maksimumin dhe pastaj do e shohim në fund të sezonit. Kam qenë i koncetruar për këtë vit për të bërë përgaditje fizike. Jam përgatitur shumë fizikisht në Kumanovë gjatë verës, jam shumë në formë dhe shpresoj të vazhdoj në këtë ritëm,” u shpreh sportisti Gentian Ameti.
Gentian Ameti falenderon trajnerin Tiko Tshola për suksesin në karrierën e tij në futboll. “I jam shumë mirënjohës trajnerit Tiko Tshola që më dha mundësinë të luaj 35 ndeshje me U21 dhe të shënoj 19 gola për 1 sezon 2020-2021 U21,” shtoi Ameti.

About Post Author