Gërsheta-Kristo Çipa


Kristo Çipa

GËRSHETA

Në mëngjes pa rënë kambana

Kur treten ëndrat e bardha

Gërshetën e gjatë e kapa

Si belismë mbi sup e hapa

Hëna vetullën gjëlpërë

Përgjonte pas malit gjërë

Ti moj hëna sy hajdute!

Vet u fshehe, yjet zhduke

Pa shih gërshetën mbi supe

Hapur vitet, shegë e kuqe

Një nga një zgjidhur të tërë

Ç’farë kanë dashur kanë bërë!

Si qilimi me motive

Koha e dashurisë time

Sa herë në gërshetë u gdhive?!

Herë u mplekse, herë u zgjidhe

Dashuritë e mia flakë

I mbajte në të mëndafshtë

Sa herë mendimi lidh kokën

Me gërshetë e mbështjell botën

Thava hallet, shtera lotët

Piva detet, shtova tokën

Dhe lumenjtë lanë vërshimet

Erdhën më sollën gëzimet

Moj gërsheta dredhërimë!

Kurrë s’më dhe psherëtimë

I qëllon retë kur vijnë

Veç beharin do për stinë

Moj gërsheta linjë hollë

Ma qëron kollën me borë!

Jata si baticë e gjolit

I jep plagë kraharorit

I jep brengë burrërorit

Sentimente ëngjëllorit

Po i besove gërshetës

I shëron plagët e jetës!

O miq, kjo gërsheta ime!

S’është brengë në kujtime

As femër e dashurive

Por është vet jeta ime

Siç më erdhi dhe më shkoj

Unë vërtet e dashuroj!