Gëzim Llojdia-1966-Dy fjalë për Mitrush Kutelin


Mitrush Kuteli:1966 :”Pranverë në Myzeqenë e re”

Gëzim Llojdia

1.

Në 11 dhjetor 1966 ,në gazetën :”Drita”, faqe 2 shkrimtari Mitrush Kuteli sjell një poezi të titulluar :”Pranverë në Myzeqenë e re”.

Pesë muaj më vonë shkrimtari Mitrush Kuteli i mbylli sytë në Tiranë. A vdesin poetët?-  shtrohet pyetja. Shpirti ikën, që me natë sipër maleve me dëborë,por vepra mbetet ndër njerëzinë. Kështu ngjau edhe me Mitrushin apo  Dhimitër Paskon. Përkohësisht ai iku nga kjo bota, por vepra e tij letrare,ekonomike dhe përkthimet janë këtu ndër ne.Ti rikthehemi poezisë. Ja vargjet e kësaj poezie:

… Fluturoi një lelek mbi të djeshmen moçal/Edhe pa q’atje la plëng të ri,bukuri/U habit dhe tha:”Jam a s’jam nga Shqipëri”?”/Mbi kanal ,në një plep,mbajti krahët,u ndal./

Dhe q’aty syt e tij qerthulloi qark e qark/Tejpërtej,gjer në det,fushë e re vlon e vlon/Një traktor bujëmadh trufullon,bubullon/Djem  e vajza në punë nxitojn’ varg e varg./

Pak më tej fshat’ i ri ndër blerim zbardhëllen/-Që nga gjiri i kënetës s’di qysh u javit/E përshkon rrug’ e shtruar,përmes si shirit/Dhe ndër ledh,në livadh,mriz kopeja me dhen./Kodr’ e zveshur gjer dje fund e krej se ç’u vesh/me bajame,kajsi dhe stoli:lule plot/Bujkrob i dikurshëm-tani është zot/Dhe fytyrë-cfilitur,sot gazmend buzëqesh./

“Po çu bë uj’ i zi që der dje më ushqeu?/Zogu tha.:”Këtu s’ka as moçal as shavar…/Jo e jo s’ish kështu gjithë ky truall shqiptar!/Moti di se ndryshon,por s’ndyshon uji e dheu!/

…Rri i mekur leleku në çerdhen e tij,/Sypulitur sodit këtë botë të re./”Do të shkojë-tha më në fund-një vend tjetër do gjej/Me kallam e shavar,me moçal-shkretësi”/Hapi krahët e bardhë i bardhI lelek/Edhe vrundull u sul mbi të djeshmin moçal/Kuqëlon një pullaz,furfurin një kanal/Tek kalon uj’ i jetës me vrull shteg më shteg./Kaltëron Syth i Thanës i futur në thark/T’ asaj pendës së lartë me gur e beton,/peshk-argjendi përbrenda shndrit ndaj gëlon/Kurse pun’ e gëzuar kumbon rreth e qark./Dhe më tej rrëzë kodrash,liqerë të rinj/Vezullojnë në diell nënë qiell pranveror./Mbi ta shkrep rrez’ e artë si gur uror/Dhe lot foshnja e vogël me qëngjthit kërthinj./”Nuk do shkoj!”-tha leleku pasi rrotulloi/Gjithë tokën e blerët të vendit të ri/”Asgjëkund nuk do të gjej kaq e kaq bukuri…”/Dhe një çerdhe të re bregut t’Thanës ndërtoi…

Janë gjithsejtë 10 strofa të poezisë me katër vargje secila.

…Tharja e kënetës së Myzeqesë  përbënte një realitet të ri,që  kishte rënë edhe në sytë e shkrimtarit Kuteli,por edhe të poetëve  të tjerë të kësaj kohe.Një lejlek i vetmuar, që kruante sqepët dhe meditonte përmbi fushën e Myzeqesë. Lejlekët, që dikur kishin sipërfaqe të pamat përmbi moçalishten, tashmë ishin strukur brenda folesë në një tjetër Myzeqe. Kisha parë lejlekë në Llakatund të Vlorës.Foleja e tyre përmbi  plepat e gjatë. Dhe kur uleshin  ata,ngjasoni me një helikopter, që binte nga qielli ,përmbi plepat. Askush nuk u ngucte. Ishin  mësuar me lejlekët. Një poet ngriti ca vargje,për lejlekët e  bardhë. Një vjeshtë shkova atje, por lejlekët e kishin braktisur folenë. Kush ua prishi arealin e tyre? Kurse lejleku i vetmuar në Myzeqe meditonte ditët ,që vinin pas. Për një shkrimtar si Kuteli vargjet për këtë rilindje të një fushe të mbushur me torfë, ishin zgjedhur me  kujdes. Moçalishtja me 8000 ha  pakësohej çdo ditë në sytë e një kafshe si lejleku i vetmuar në Myzeqe.Kallamat e moçalit po zhdukeshin dhe uji i zi, po  sistemohej ndër kanale e hidrovore. Bonifikimi i një fushe të këtillë  ishte një vepër e rëndësishme e shtetit shqiptar. Sot kjo fushë është nga tokat më të begatë të këtij vendi.Dhe krijuesit kishin të drejtë të sillnin krijime ku përshkruhet një ndryshim rrënjësor në një trevë të rëndësishme .Ishte vepër kolosale bonifikimi i  Myzeqesë. Parë me sytë e një shpendi si lejleku ky ndryshim është një realitet që shihet edhe sot .I ziu dhe lejlekët meditonte kohët e shkuara ku në këtë sipërfaqe të pamat guasnin bretkosat e moçalit,rriteshin kallamishte   dhe shtohej më tej uji zi. Ky meditim të tregon një kohë të shkuara ku moçalishtet u bonifikuan dhe u kthyen në toka buke. Ai që humbi ishte deti, dhe ca shpesë të vetmuar që vijnë dhe ikin në stinën e tyre. Ky lejlekë vendosi të mos ta braktiste arealin e tij. Shpezët e tjerë që do të zbrisnin nga lindja  do të ndryshonin  destinacionin. Në fund të fundit kënetat i ishin tharë edhe pse ishte prishur areali i ca shpesëve që  vinin nga lindja,kur moti ngrohej .I kisha parë në Lagunën e Orikumit.trumbat e shpezëve vinin pa reshtur nga  viset e ftohta. Mirëpo nga viti në vitë këto ardhje u pakësuan. Shumë kishin mbetur rrugës. Areali i tyre andej ishte shkatërruar. Mirëpo kjo është veçse një nostalgji poetësh, përball një realiteti madhor. Bonifikimet ,pra tharjet e kënetave   ishin realiteti më i bukur shqiptar që shtoi tokat e bukës dhe ktheu moçalishtet në  fusha të stërmadhe,hambarë buke .

Tokat që dikur zgjateshin nën pushtetin  ujit të zi,kallamishteve dhe moçalit sot janë fusha  të zbukuruara. Detit ju marrën  mbi 8000 ha kënetë për ti kthyer në toka buke. Por kjo pati një kosto jo të vogël. Qindra dhe mijëra të rinj punuan me aksione  dhe   me mjete  si :lopata,kazma të ndihmuar nga buldozerët dhe vagonët e transportit të dheut  etj me ditë, me muaj ,në tharjen e ish-kënetave në Shqipëri. Qindra ha tokë,  ju morrin detit, deri në vitet ’90, shkripëzohej në Vlorë,Akërnia.

Këneta ishte një moçalishte e madhe që zgjatej për 8000 ha në Myzeqe .Nga ana historike shumë autorë e kanë përshkruar atë kohë kënetën, një sipërfaqe të stërmadhe uji më mushkonja e baltë në dimër dhe zheg e pluhur në verë. Shkrimtari Jakov Xoxa e përshkruan qartë në romanet e tij,kënetën e Myzeqesë. Edhe shumë autorë të tjerë të kësaj krahinë e kanë përshkruar në veprat e tyre kënetën e Myzeqesë . Kënetë e dikurshme në Myzeqe, në pjesën veriore të rrethit të Lushnjës, një nga më të mëdhatë e Shqipërisë para çlirimit (rreth 8000 ha) . Vatër mushkonjash që përhapnin malarjen . Tharja dhe bonifikimi i plotë i Tërbufit, ishte një nga veprat e para dhe më të mëdhatë pas Çlirimit me punimet që përfunduan në fund të viteve ’50, u përfituan 8150 ha tokë e re, dhe u përmirësuan 7000 ha të tjera. Në vendin ku ndodhej më parë këneta e Tërbufit, sot shtrihen tokat nga më pjellore të Myzeqesë,thonë mediumet. Për shkrimtarët shqiptarë udhëtimi në një vepër të tillë përbënte  në vetvete një muzë frymëzimi. Edhe poetët shkruan gjatë  e gjerë për këtë ndryshim në këtë trevë , tharjen e kënetës. Në këtë kontekst vjen edhe poezia e Mitrushit, në vitin 1966 shkruar bukur me vargje të zgjedhura.

2.

Mos-vdekja e shkrimtarit. Ishte shkrimtar ,  ishte përkthyes,ekonomist, ekspertë banke ,kritikë etj. Madje quhet edhe themelues i prozës moderne shqipe së bashku me Koliqin. Madje edhe themelues i Lidhjes së shkrimtarëve. Më 4 maj 1967 ,Shkrimtari Dhimitër Pasko  , zgjuarsia dhe shkrimet e botimet e librare të   cilit shpesh fituan famë dhe admirim nga populli , ka vdekur, tha raporti   dhe kolegët shkrimtarë në gazetën:” Drita”. Ai ishte 60 vjeç. Lexuesi shqiptar e njeh Mitrush Kutelin nga  librat dhe Dhimitër Paskon si emër. Mençuria hyjnore e solli në jetë në vjeshtë dhe  xhindi i vdekjes e rrëmbeu në pranverë. Dy shtata në numerologjinë e tij tregojnë dijeni hyjnore për një talent. Jeta është e shkurtër,por vepra jeton gjatë. Uniteti i një teksti qëndron në origjinën e tij, por  dhe në destinacionin e tij. Dhe Mitrush Kuteli këtë mision zbatoi. Gjithë jetën e tij. Ai shkroi për popullin,gjuha e tij,fryma e tij ishte  popullore.

“Fluturoi shtërgu i fundit madhështor… në 4 maj 1967   nga sëmundja e zemrës ,ndërroi jetë.

…E diel 7 maj 1967. Faqe 4 gazeta:”Drita”.Titulli:Vdiq shkrimtari Dhimitër Pasko.

Njoftimi që jep gazeta:”Më 4 maj,vdiq në Tiranë,pas një sëmundje të gjatë në moshën 60 vjeç, shkrimtari Dhimitër Pasko(Mitrush Kuteli). Dhimitër Pasko me talentin dhe aftësitë e tij si shkrimtar,përkthyes kontribuoi në prozën shqipe dhe në përkthimin  e disa veprave të rëndësishme botërore e veprave të realizmit socialist. Shumë shkrime të tij para çlirimit dhe ato që krijoi pas çlirimit përshkohen nga fryma popullore,nga dashuria për fjalën shqipe dhe për vendin. Me përkthime,ai ai ndihmoi në lëvrimin e gjuhës letrare dhe në pasurimin e kulturës sonë. I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe atë afrimeve për humbjen parakohshme. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve…

Botimet

Lasgush Poradeci, kritikë letrare, 1937.

Netë shqiptarë , rrëfenja, 1938.

Ago Jakupi e të tjera rrëfime , 1943.

Sulm e lot, poema, 1943.

 Këngë e britma nga qyteti i djegur këngë popullore të mbledhura, 1944.

Shënime letrare, kritikë letrare, 1944.

Havadan më havadan, pamflet, 1944.

  Kapllan Aga i Shaban SHpatës       tregime, 1944.

Dashuria e Barbarit Artan 1946.

Pylli i gështenjave, poezi, 1958.

Xinxifilua, përralla, 1962.

Tregime te moçme shqiptare  përshtatje në prozë, 1965.

Tregime të zgjedhura: vjeshta e Xheladin Beut dhe rrëfime të tjera, novela, 1972.

Baltë nga kjo tokë, poema dhe vjersha, 1973.

Në një cep te Ilirisë se Poshtme  tregime, 1983.

E madhe është  gjema e mëkatit, novelë, 1993.

Netë moldave, tregime dhe shënime, 2015.

Përkthime

  • Aleksander Fadeev, Shpartallimi, 1956.
  • Ivan Turgenjev, Kujtimet e një gjahtari, 1963.
  • Maksim Gor’kij, Tregime (1956) dhe Përralla të Italisë (1960).
  • Mihail Saltikov-Sedrin, Zotërinjtë Gollovliovë (1964) dhe Përralla.
  • Nikolai Gogol, Tregimet e Petërburgut, Shpirtra ndryshuar më pas Frymë të vdekura.
  • Pablo Neruda, Zgjohu, druvar (1958) dhe poezi nga Bleta e bardhë (1974).
  • Vahtang Baratasvili, Miq të gëzuar, 1960.
  • Viktor Eftimiu, Doktor Fausti magjistar, pjesë teatrale, 1963.

About Post Author