
Gezim Llojdia
1.
Ata ishin arkeologët e të njëjtës familje, quheshin:Aleksandra Mano dhe bashkëshorti Burhan Dautaj. Në pranverën e vitit 82,ngjisin kodrinën e fshatit me emrin Olympe .Fshat i të parëve të Burhanit,ku kishin lerë ministra dhe gjeneralë. Një zbulim i çuditshëm i kishte dërguar. Mano dhe B.Dautaj në sitin arkeologjik që ishte qyteti antik Olympe,gjatë punimeve brenda akropolit të kalasë së Cakallovajve. Në vitin 1984 të dy arkeologët sqarojnë te revista shkencore këtë zbulim.
…Qyteti ilir Olympe i lokalizuar në rrënojat antike të kalasë së Mavrovës të rrethit të Vlorës zinte në antikitet një pozite zotëruese në krahinën e akantëve,shkruajnë të dy autorët.
Si fillim ,autorët japin përshkrimin e qytetit ilir pozicionimin e tij në rrugët që lidhnin fortifikimet antike si dhe madhësinë e këtij qyteti. Olympe së bashku me një sërë vendbanimesh te fortifikuara antike kontrollonin hyrjet dhe daljet në luginën e Shushicës si dhe rrugën, që lidhte gjirin e Aulonës me kryeqendrën e kësaj zone, qytetin e Amanties dhe nëpërmjet saj me Maqedoninë dhe krahinat e brendshme të Epirit.Olympe zinte një sipërfaqe prej 15 ha dhe radhitet midis qyteteve të mesme ilire. Fillimet e jetës në Olympe dokumentohen qysh në shek. VI-V p.e.s. Nga fundi i kësaj periudhe ose më vonë ndërtohet sistemi i parë fortifikues që rrethonte pjesën më të lartë të kodrës. Gjysma e dytë e shek. IV-III p.e.s shënon periudhën e rritjes dhe të lulëzimit më të madh të Olympes. Sipërfaqja e qytetit në këtë kohë gati dyfishohet dhe rrethohet me një mur të dytë të jashtëm. Aty nga gjysma e dytë e shek. Ill ,Olympe pret dhe hedh në qarkullim monedhat e veta autonome.
2.
Autorët në këtë studim të shkurtër flasin për një mbishkrim i gjetur në Olympe gjatë punimeve në kohën e kooperativës.
..Kësaj kohe ose diçka më vonë,thonë autorët, i përket një mbishkrim në greqisht, i gjetur në Olympe në pranverën e vitit 1982 nga punime bujqësore brenda akropolit, aty ku ky i fundit veçohet nga pjesa e poshtme e qytetit prej një muri të brendshëm, që qarkon shpatin verior e veriperëndimor të Kreshtës deri në takimet me murin rrethues të kalasë .
Mirëpo çfarë ishte ky objekt ose më qartë ky monument i vogël?
…Arkeologët Mano dhe Dautaj thonë:Ky monument i vogël i punuar me gur gëlqeror të butë, ka formën e nja altari me faqe të rrafshëta dhe ruhet pothuajse i plotë. Mjeshtri gurgdhendës, nëpërmjet trajtimit të pjesës së sipërme të altarit i ka dhënë asaj formën e një kapiteli të thjeshte me këto përmasa: 42 x x 18.5 x 17.5 cm . Vetëm nga njëra anë, nga faqja e përparme ai është i profilizuar dhe i zbukuruar me një brez vezakesh (ove), që tregon për një trajtim të veçantë të tij. Nën vezaket kalon një brez i gjerë, i profiluar, i cili nëpërmjet një unaze të ngushtë lidhet me pjesën e poshtme të kapitelit, gjithashtu të profiluar me formën e ekinit. Kapiteli nëpërmjet një dhëmbëzimi të lehtë ndahet në pjesën tjetër të altarit në formën e një trungu piramidal me bazë katërkëndëshe. Altari,me gjithë thyerjen në pjesën e poshtme, mendohet që para dëmtimit të ketë qenë i lartë rreth 1 m.
Mbishkrimi prej 9 rreshtash, i plotë zë faqen e përparme të altarit me sipërfaqen 34 x 27 cm. Karakteri i shkrimit është ai, që ndeshet zakonisht në mbishkrimet e shek. III-II p.e.s.
Rreshta të rregullta, shkronja të thella dhe pothuajse të barabarta (me lartësi rreth 2 cm). Shtagat me përgjithësi janë të shtrira dhe pak të përkulura. Tipike për alfen është thyerja këndore e shtagës horizontale. Theta, omega dhe omikroni, në të gjitha rastet, janë me te vogla se shkronjat e tjera. Mbishkrimi greqisht i transkriptuar është ky:
Përkthimi: «Zeusit të madh ia kushton politarhu Asaiskin, i biri i Simias dhe synarkontet Ksenuli i biri i Damarmenit, Prauli i biri i Strabiut, Zoiri i biri i Antanorit. Arkelau i biri i Aleksandrit, si dhe gramateusi, Nikandri i biri i Adulit.
Çfarë shqyrtojnë arkeologët Mso dhe Dauti më tej?
Siç del edhe nga përmbajtja, vlera e këtij mbishkrimi është e shumanshme. Qysh në fillim të tekstit bëhet e qartë, që ky mbishkrim i kushtohet Zeusit të madh padyshim hyjit më të preferuar ,që adhuronin olympasit. Dhe kjo është e kuptueshme prej vetë emrit, që gëzonte qyteti,banoret e të cilit, sipas traditës antike, e lidhin prejardhjen e tyre ndoshta prej këtij hyji. Që Zeusi ka qenë hyjnia më e adhuruar e Olympes e tregojnë dhe monedhat autonome prej bronzi të prera e të hedhura ne qarkullim nga qyteti. Tipi kryesor i këtyre monedhave mban në faqe kryet e Zeusit dhe në shpinë atributin e tij, rrufenë të rrethuar me kurorë dushku. Zbulimi i këtij mbishkrimi brenda mureve rrethues të qytetit, me saktë në zonën e akropolit, lejon të mendojmë që në të ardhmen, të biem edhe nën gjurmët e ndonjë tempulli të ngritur nga olympasit për nder të Zeusit. Një rëndësi të veçantë në përmbajtjen e këtej mbishkrimi ka renditja e emrave të nëpunësve sipas ofiqeve më të larta shtetërore të qytetit. Në këtë drejtim vlera e mbishkrimit bëhet edhe më e madhe si burim i parë dhe i sigurt, që hedh dritë mbi formën e organizimit politik dhe shoqëror të Olympes në shek. III-II p.e.s. të panjohur deri sot për qytetin ilir. Nga shqyrtimi i përmbajtjes së mbishkrimit dhe monedhave autonome të këtij qyteti bëhet e kuptueshme prania një bashkësie qytetare të olympasve. Në krye të bashkësisë qëndronte politarhu padyshim funksionari me i lartë dhe eponim i qytetit një këshill i përbërë nga katër anëtarë dhe sekretari i këtij këshilli.
Shfaqja e politarhut në Olympe është një emërtim i ri që ndeshet për të parën herë në magistraturat e qyteteve të Ilirisë së jugut dhe të Epirit. Nga mbishkrime greqisht të zbuluara në vendin tonë për Dyrrahun, Apoloninë,Amantian, Bylisin, qytetin e Klosit (Nikaja) dhe Dimalen njihet pritani si magistral eponim, ndërsa për Buthrotin (koinonin e prasaibeve) funksionari më i lartë cilësohet strategu. Pervexpolitarhut, gjithmonë për herë të parë me emërtimin synarkonte jepen edhe anëtarët e këshillit, emërtim ky, që nuk e ndeshim në asnjë mbishkrim greqisht të botuar për qytetet tona antike ilire.
Këto emërtime të reja si politarhu dhe sinarkont tregojnë se organizimin politik i Olympes ndryshon prej atyre të qendrave kryesore ilire. Olympe, nga madhësia dhe zhvillimi ishte një qendër me pak e rëndësishme se Amantia fqinje. Kjo mund të shihet nga ndikimet që vihen re mbi simbolet figurative të monedhave autonome të Olympes, të huazuara nga Amantia, Apolonia dhe Lidhja Epirote.
Megjithatë prerja dhe hedhja në qarkullim e këtyre monedhave nga Olympe vërteton se në periudhën e lulëzimit më të madh, qyteti ishte në gjendje të zhvillonte deri diku një ekonomi të pavarur, ndonëse rrethohej nga qytete më të fuqishme.
Mbishkrimi i Olympes paraqet interes dhe në fushën e onomastikes ilire,thonë arkeolohët Mano dhe Dauti.
Nga një tog emrash që përmban mbishkrimi, dy prej tyre (rrjeshti 5) dhe (rrjeshti 9) ka shumë të ngjarë të jenë me prejardhje ilire. Të dy këta emra janë ndeshur përveç Olympes edhe në qytete të tjera antike të vendit tonë. Kështu Prauli përmendet në një mbishkrim të gjetur në qytetin ilir të Klosit (Nikaja) të rrethit të Fierit të datuar në fund të shek. Ill p.e.s. Po ky emër figuron dhe mbi një monedhë bronzi të qytetit të Shkodrës të datuar në gjysmën e parë të shek. II p.e.s. Emri tjetër Aduli, ndeshet si gramateus në një mbishkrim kushtues të gjetur në Amantia dhe të datuar në shek. III-II p.e.s Më shpesh atë e gjejmë në mbishkrimet e teatrit të Butrintit të shek. II p.e.s.
Për herë të parë në këtë mbishkrim dalin emrat të cilët nuk figurojnë në asnjë nga mbishkrimet greqisht të botuara në qytetet tona antike.
Emrat e tjerë janë ndeshur si emra pritanesh apo nëpunësish monetarë mbi monedhat e Dyrrahut dhe të Apolonisë të datuara në shek. III-I p.e.s. Po këta emra ndeshen dhe në mbishkrimet e Butrintit.
3.
Çfarë nxjerr në dritë mbishkrimi?Fjala e arkeologëve Mano dhe Dauti:
…Nga mbishkrimi, prerjet monetare të qytetit dhe të dhënat arkeologjike, del se Olympe ka pasur një ekonomi të zhvilluar skllavopronare të mbështetur në prodhimin e mallrave dhe qarkullimin monetar. Këtij zhvillimi i përgjigjej dhe një formë organizimi politik dhe shoqëror që kishte si bazë bashkësinë qytetare të olympasve. Në krye të bashkësisë qëndronte politarhu si magistrat eponim, i cili e ushtronte pushtetin së bashku me këshillin e sinarkonteve të përbërë nga katër anëtarë dhe gramateusi, që, sikurse në Apoloni dhe në K!os, zë vendin e tretë në hierarkinë e nëpunësve të lartë shtetërore. Emri i politarhut dhe i synarkonteve dalin për herë të parë nga magistraturat e qyteteve ilire. Politarhu nuk ndeshet as në Epir, çka nuk mund të thuhet për synarkontet, të cilët përmenden te molosët qysh në mesin e shek. IV p.e.s në formën e një kolegji federativ të përberë nga përfaqësues të etnive.
Këshilli i synarkonteve në mbishkrimin e Olympes, i dhënë vetëm nëpërmjet emrit të personave së bashku me patronimet dhe na asnjë rast të shoqëruar me etnikone, të lejon të mendosh se këtu kemi të bëjmë me një organ të zgjedhur si dhe politarhu me gramateusin. Duke krahasuar mbishkrimin e Olympes me mbishkrimet e botuara për qytetet e tjera të Ilirisë së Jugut del se në asnjë rast emrat e magistrateve dhe të nëpunësve të tjerë të lartë nuk ndeshen të shoqëruar me etnikone, gjë që në Epir është një dukuri e zakonshme dhe madje dhe për një koinon të vogël siç është ai i prasaibeve. Kjo provon se institucionet në krahinat ilire të jugut të përfshira në këshillin e synarkonteve në Olympe, nuk zgjidheshin mbi bazë etnish, por nga shtresa të caktuara qytetare me prejardhje heterogjene. Këto shtresa qytetare zinin një pozitë shoqërore sunduese të mbështetur jo mbi bazën e prejardhjes dhe të ndarjes në fise, por në bazë të pasurisë. Nga njëra anë kjo mund të merret dhe si tregues i evoluimit dhe emancipimit të shoqërisë në zonën ilire të jugut në këtë kohë, në dallim nga Epiri ku traditat konservatore të ruajtjes së etnisë duket kanë qenë më të forta, të paktën deri në vitet tridhjetë të shek. Ill p.e.s. Nga ana tjetër, prania e sinarkonteve në Olympe tregon se ky institucion nuk ka të bëjë me kolegj etnish si te molloset, por me një emërtim të trashëguar nga një traditë dikur e përbashkët politike e sheqerore midis Epirit dhe krahinave ilire të jugut. Shfaqja e kësaj tradite në Olympe mund të shpjegohet me përfshirjen e territorit amant për një kohë relativisht të gjatë në zotërimet e mbretërve epirotë në vitin 232 p.e.s me përmbysjen e monarkisë dhe vendosjen e republikës. Pikërisht në këtë kohë zona në jug të Aosit shkëputet përfundimisht nga Epiri dhe Amantia me qytetet rreth saj, përfshirë dhe Olympen, fitojnë pavarësinë. Ishin këto kushte, veçanërisht gjendja e nderë që kalonte Iliria e Jugut, në çerekun e fundit të shek.. Ill p.e.s, që kanë ndikuar në bashkimin në një koinon të vetëm me kryeqendër Amantien. Kjo kohë mund të merret dhe si terminus post quem për datimin e mbishkrimit të Olympes. Para kësaj kohe, që nga lindja e qytetit deri në shkëputjen nga Epiri, nuk kemi asnjë të dhënë për formën e organizimit politik te Olympes.
Pa dashur të trajtojmë raportin midis bashkësisë dhe qytetit ilir, që për Epirin na është dhënë në mënyrë të qartë dhe bindëse nga Kabani, një gjë është e qarte se për të dy këto treva të mëdha dhe të ndryshme nga Greqia klasike baza e organizimit politik dhe shoqëror në periudhën helenistike ka qënë koinoni. Për Ilirinë e Jugut bashkësia qytetare ka qenë dhe njësi administrative e shtetit ilir. Por ndërsa për Epirin të dhënat mbishkrimore janë të kënaqshme lidhur me organizimin e bashkësive, për koinonet në jug të Ilirisë thuajse nuk dimë asgjë, madje dhe përbashkësi të tilla të panjohura si bylinet, amantet e parthinet. Megjithatë prerja e monedhave autonome nga Bylisi herë me emrin e qytetit dhe herë me atë të bashkësisë si dhe shfaqja e kësaj dukurie në vulat mbi tjegulla të Dimales tregon, sikurse është menduar për Bylisin, për pranin në këto dy qendra kryesore te dy statuseve: një i veçante për qytetin dhe tjetri për koinonin. Për statuset e brendshme të qyteteve ka të dhëna mbishkrimore që bëjnë fjalë për organizimin politik të tyre, ndërsa për institucione të koinoneve, nëse ka patur të tilla, deri sot nuk dimë të këtë ndonjë mbishkrim, të botuar në literaturën tonë shkencore.
Duke iu referuar gjithmonë mbishkrimit të Olympes të krahasuar dhe me mbishkrimet e gjetura në qendra të tjera antike të vendit tonë, thon arkeologët,del se organizimi politik dhe shoqëror i qyteteve ilire në shek. IV-III p.e.s ka njohur disa forma strukturore, nga dy ,që mendoheshin më parë.
Forma e parë tashmë e njohur është ajo e pritanise tipike për dy poliset më të mëdha të bregdetit Adriatik, Dyrrahun dhe Apoloninë. Kjo formë organizimi del sipas mbishkrimeve e përbashkët dhe për qytetet kryesore ilire që me të drejtë është menduar si e huazuar nga dy qendrat e mësipërme bregdetare. Organizimi i qyteteve kryesore ilire sipas shembullit të Dyrrahut dhe Apolonisë me pritanin si magistrat eponim flet shumë më tepër se një farë zhvillimi i jetës qytetare në këto qendra, të cilat munden të përvetësojnë atë formë organizimi strukture si te polisit. Kjo përforcohet dhe nga burimet e shkruara të autorëve antike që i cilësojnë këto qytete si polise. Natyrisht për një zhvillim të brendshëm relativisht të madh të këtyre qyteteve ndikonin dhe kushtet natyrore gjeografike të trevës jugore të Ilirisë me një hapje të gjerë drejt brigjeve të Adriatikut, ku lulëzonin Dyrrahu dhe Apolonia. Ishin këta faktorë, që krijuan edhe kushte më të përshtatshme për lidhje të krahinave të brendshme ilire me botën mesdhetare dhe jo vetëm nëpërmjet Dyrrahut dhe Apolonisë. Megjithatë në kushte dhe periudha të caktuara të fuqizimit, të shtetit ilir këto qytete përfshiheshin në gjirin e këtij shteti,çka dhe i dallon nga polisi klasik grek.
Organizimi politik e shoqëror me politarhun si magistrat eponim, të ndeshur për të parën herë dhe vetëm në Olympe na njeh me një strukture të re dhe të dytë shtetërore. Kjo strukture e re me politarhun në krye mund të mendohet e përbashkët për atë kategori qytetesh të mesme të lidhura me qendrat kryesore ilire.Një tjetër strukture organizimi dhe e fundit, që njohim deri sot nga mbishkrimet për qendrat e fortifikuara ilire është ajo me peripolarhun si komandant ushtarak, tipike për vendbanimet e vogla me karakter mbrojtës. Kuptohet që në rastin e Rabijes kemi të bëjmë më tepër me një organizim ushtarak të përkohshëm sesa me një organizim politik dhe administrativ. Nga sa u tha më sipër del se midis qendrave ‘kryesore ilire, qyteteve dhe vendbanimeve më të vogla të fortifikuara kanë ekzistuar dallime. Disa nga këto dallime janë vënë re edhe më parë midis qyteteve dhe vendbanimeve të vogla të fortifikuara me karakter ushtarak. Por një prove te lidhjeve dhe raporteve të një qendre kryesore ilire me qytetet përreth saj e gjejmë te mbishkrimi i Olympes. Qendrat kryesore krahinore tashmë të njohura si Bylisi dhe Dimale” në veri të Aosit dhe Amantia në jug të tij, përfshinin në gjirin e tyre një tog qytetesh dhe vendbanimesh më të vogla të fortifikuara me zhvillim dhe madhësi te ndryshme nga njëra tjetra. Kështu Olympe me një sërë qytetesh e vendbanimesh të fortifikuara si kalatë e Matohasanajt, e Hajderajve, Cerjes,Kaninës, ndoshta dhe Orikumi në gjirin e Vlorës, përfshiheshin në sistemin mbrojtës të bashkësisë amante. Olympe si qyteti fqinj me Amantien ka qenë në marrëdhënie të ngushta e të ndërsjella me këtë të fundit dhe sipas rastit edhe duhet të jetë varur prej saj.Megjithatë këto lidhje dhe raporte te Amanties me këto qytete nuk preknin autonominë e brendshme që gëzonin këto të fundit. Këtë e vërteton si prerja e monedhave autonome prej Orik dhe Olympes ashtu edhe organizimin politik i kësaj të fundit me status të brendshëm të ndryshëm nga ai i Amanties.Këtu përfundon shqyrtimi për objektin e gjetur në vitin 1982 në kalanë e fshatit Mavrovë, nga arkeologët Mano dhe Dautaj.