Gezim Llojdia:Amanda


Gëzim Llojdia

1.

Të gjithë flasin për Amandën,
brilantë acari në ag, në mos cipë vese,
dhe gji ftua.
Të gjithë flasin për Amandën,
nën një hënë gjysmë të ngrënë,
bukuri deri në thua, në mos
veç me shikime por sa shumë të tremb.

2.
Të gjithë flasin për Amandën,
ç’janë dallgëzimet e hënës së marsit përmbi flokë,
në mos ëndërr e ëndërruar,ose
përrua i pashtershëm uji në kroin tonë.
Të gjithë flasin për Amandën,
ç’thonë mëmëzonjat ulur në plloça të mëhallës,
në gojë zënë puthjen e saj të parë.

3.
Të gjithë flasin për Amandën,
në rrudhosje të vjeshtave dhe dimrit,
Amanda, çfarë ishte kështu për mëhallën tonë,
kometë cipëplasur, mbetur nga një galaktikë e largët,
ose një kongjill hiri e mbuluar në Kunjovë.