Gëzuar ditëlindjen çikilushja ime-Violeta Kadriu


Sot e ka ditëlindjen

çupëza ime me fytyrë zane,

që sa herë e shoh të buzëqeshur

shpirtin ma vesh me lumturi nane.

Ngjan në më të butën ketrushe

që dredh belin e harliset n’ lajthi,

më e bukur se çdo sylarushe

më e ëmbël se çdo bojli.

“Pylli” njomështak i shpirtit të saj

në çdo stinë xixëllon xixëllonja,

kur hedh vallen e qeshet,Visa ime,

sikur hap krahët n’ flamurkuq shqiponja!

Kur pikturon vashëza ime e hijshme,

shkrihen n’ letër mijëra ylberë,

shkretëtirat kthehen në gjelbërime

pelinin kthen në sheqer.

Në zërin e saj,kur këndon

fshihet më zëëmbla kanarinë,

pa kur thurë vargje e vallëzon

thua: Shtojzovallet paskan pushtuar çdo lëndinë!

Gëzuar,Visa, i lindjes vjetori,

jetofsh edhe pa fund vjet,

çdo ditë jete të qoftë e lumtur,

si më i kaltëri me valë det!

Si më aromëmira gonxhe qershie

që të çelë beharin pret,

si më i ëmbëli rrush hardhie

që si gërshetë vashe vreshtit rrëshqet!

Çdo bilbil që këndoftë

qoftë i gëzimeve tua lajmëtar,

jeta jote qoftë më e bukur

se çdo lule që çeltë n’ behar!

Çdo ditë mëngjesi që agoftë

jetës sate i dhuroftë rritë,

çdo rreze Dielli që ndriçoftë

shpirtin tënd ta mbushtë me dritë!

TË DHUROFTË ZOTI SHËNDET TË PLOTË,

ËNGJËLLORJA IME, MË E ËMBLA ÇUPË NANE NË BOTË !

VIOLETA KADRIU 27 nëntor 2021 Podujevë Kosovë