Gina Kapej Xhaferaj-Dita ime


Dita ime

Dita ime ka të gjithë ngjyrat e pranverës.
Ka kujtimet e ëndrrën që shpesh ndizet.
Po të më shihnit gjithë dritat e zemrës,
Si gërshet fëmijërie do më jepnit urimet.

Dita ime ka dhe pengje që mbetën në vite.
Si ca shkëmbinj që bien vrullshëm në rrugë.
Kam fjalën që iu jep shije ëmbëlsie.
Kam vargun që dua të jetë me prush.

Kam lumturimin që të jep mëmësia.
Kam ngrohtësinë që të jep gjyshërimi.
Nëse një ditë më vjen lodhja, mërzia
Prapë ngrihem e fortë mes rinimit.

Dita ime ngjan shumë herë si buqeta,
Që dua t’ia jap poetëve dhe miqve.
Në hapat e mi të ditës dëbohet dhe reja
Kënga merr flatra të reja për fluturime.

Gina kapej Xhaferaj

About Post Author