Gjiri i Lalzit përballë varfërisë-Vullnet Mato


Vullnet Mato

GJIRI I LALZIT PËRBALLË VARFËRISË

Kur pashë në Gjirin e Lalzit vilat e qeveritarëve,

tek notonin buzë detit, në luksin e shfrenuar,

kuptova pse janë të varfër shumica e shqiptarëve,

pse marrin arratinë bijtë e tyre, për t’u punësuar.

Kundrova një copë herë, me dhimbjen e shpirtit,

rreshtat e gjata, sistemuar mes gjelbërimit e detit,

si vilat marramendëse të Dubait në plazhet e floririt

thashë me vete: Ku je o drejtësi e verbër e këtij shteti?!

Ku je, o kontroll i djersës dhe gjakut të punëtorëve,

që është mpiksur këtu, me këtë shkëlqim vezullues?!

Ku jeni, o ligje, në dorë të gjykatësve e prokurorëve,

që gjoja mbajnë peshoren, për politikanët abuzues?!

Pse duhet të jetë kjo pabarazi katastrofike, këtu,

në zemrën e dhjamosur të vendit tim të varfëruar?

Pse nuk kam një metër katror bregdeti edhe unë,

teksa njëherësh me pushtetarët punë kam filluar?

Njëherësh me pushtetarët, kapitalizmin kemi filluar,

ne me pikatore në bordero, ata miliona në portofol,

ne me kallo në këmbë, ata me vetura e skafe notuar,

fëmijët tanë pa punë, të atyre në universitete perëndimor.

Ku janë kampet e pushimit, për popullin e lodhur në punë?

Ku janë çlodhjet e minatorëve dhe naftëtarëve të sfilitur?

Ku janë kushtet frymëzuese, të intelektualeve, si ti e si unë?

Pse jetojnë luksin mediokrit dhe aspak njerëzit e ditur?

Kjo është demokracia e punëtorëve dhe fshatarëve të urtë?

Kjo është barazia e kushtetutës së shenjtë, alla shqiptare?

Si nata me ditën, djersa jonë dhe qejfet për disa hajdutë,

që mbrojnë me polici e ushtri vilat, nga zemërimet qytetare!