- Duke lexuar Nr.74 të gazetës “Trebeshina”

………………………..Nga Spasse Thanasi
Është e veçantë tradita botuese e gazetës “TREBESHINA” dhe ky kontribut intelektual i perket botuesit të saj Feti Zeneli. Vetë panorama e faqes së parë të gazetës të sjell një larmi penash krijuese, që me fokusimin e përshkrimit të mbeten në mendje si mbresa publicistike e poetike mjaftë të bukura.
Me “histori që i nxë vetëm zemra” spikat talenti i Feti Zeneli, që ndan me lexuesit rrugët e luftës,të dashurisë e të urrejtjes njerëzore në 80 vjetorin e “Masakrës në Teqenë e Rabijes” ku u vranë Baba Abaz Memushi, 5 dervish dhe 26 persona të tjerë në djegjet e plackitjet e ndryshme në fshat. Aty gjen dëshmi lashtësie për emrin “Rabije” dhe njerëz e fate në Qerbelaje…E bukur vjen Esseja – homazh për Qamil Brahimin nga Gjon Kroi në freskinë e kujtimeve të një fotografije me ngjyra të ndritshme buzëqeshjesh dhe tinguj fjalësh të thëna me shpirtë,e kornizuar në celuloidë në Gushtin e vitit 1987 në Sektorin Selaj të Minierës së Qymyrgurit Memaliaj.
Në faqe të veçantë vjen me poezinë tingëlluese “Malli për Vendlindjen” Valentina Telhaj (Kalemi) ku stinët duken pranverë në Buzin e Tafilit e trimave të tjerë. Kjo poete i rendit vargjet si këngë të pambaruar për vendlindjen,që ka aq shumë blerim, lugina mahnitëse e male shekullore. Shpirti i poetes është si lumi që rrjedh,për të sjell kumbime ngazëllyese nga jehonat e viteve dhe mall ndjenjash si në një buqetë lulesh përshëndetëse. Po aq ndjeshëm shkruan edhe Bashkim Brahimi për këngën polifonike nga grupet e Buzit,që përbëjnë “thesare labe” me një repertor prej gati 80 këngë. I bashkëngjitet kësaj tradite kulturore me vlera edhe Artur Shemaj me “Intonacione të ngrohta Jugu”,që sjell ndjeshëm në shpirtë motivet e poezisë së Bedri Kabasha në librin poetik “Këngët e Zhapokikës”, që ka ngacmime interesante nga verbi melodik dhe harmonik tetërrokësh popullor,duke mos ndalur hovin me kadencë ritmike e gurgulluese në mahnitjen e hirit femëror !….E këndshme vjen në faqet e gazetës “Trebeshina” ceremonia festive në Zhapokikë nga N/Kryetari i Shoqatës “Tafil Buzi” Zotit Roshi Ajdini. Në vendin festiv të Zhapokikës me këngë labe, valle e muzikë të trevave të Jugut, zëri melodjoz i këngëtarit Ylli Baka e bëri “magjike” festën e takimit të brezave.
Dhe më në fund përmendim Bedri Serjani që shkroi për shkollën e parë shqipe në krahinën e Buzit dhe Hote Dauti që sjell zhvillimin e teknologjisë për kujdesin e rrushit të destinuar për prodhim rakie e alkol konjaku, që nga moment i prodhimit të varietetit e deri në mbledhjen e ferementimin e tij dhe ky tingëllim i tradiës bujqësore e artizanatit në fshat vjen me shkrimin “Cilësia e rrushit për raki dhe konjak”.
Ky ishte suprizimi im i leximit të gazetës “Trebeshina” dhe dua të përcjell falemderimet e mia për bashkëpunimin me Feti Zeneli. Duhet të jesh njeri i ditur e patriot për të lënë gjurmë në vite e breza jete, siç është modeli i Shoqatës “Tafil Buzi” dhe panorama botuese e gazetës “Trebeshina” në pasurimin kulturor e artistik të shpirtit njerëzor.
Urime për gjithçka të bukur e krijuese me shpirtë njerëzor !…