Sami Gjoka Whittman

Gjysmë Realitet, Gjysmë Fantazi –Mos Lini Pa Lexuar Ilirian Zhupën
Kur je kaq i shkujdesur, kaq i çrregullt si puna ime, rrezikon të jetosh gjysmë në realitet, gjysmë në fantazi.
Kalon ditët mes zyrës — gjysmë reale e gjysmë prej ëndrre — me mendjen gjetiu. Dhe kështu, prej muajsh, në një cep të mendjes sime është ngulitur imazhi i poetit tonë të njohur Ilirian Zhupa.
Gjithmonë aty…
Sa herë që vij në zyrë, sa herë që jam i përqendruar në punë – shfaqet diku thellë, në një cep të mendjes sime. I paftuar, në prag të derës, që shket brenda pa trokitur dhe pa e hapur derën, si prej tjetër dimensionesh. Pa ndonjë arsye të qartë. Dhe unë e pranoj këtë realitet të paqenë, këtë iluzion të bazuar në fakt, pa pasur kohën të vras mendjen se si e pse.
Mendo një lloj parfumi që ti se ke hedhur mbi lëkurë, por që të shoqëron pa kuptuar diku. Ose (larg qoftë, thonë gratë e vjetra zakonisht nga jam unë) një prani që shqisat s’e kapin, por që ti e ndjen përreth e brenda teje — një gjë e pashpjegueshme, prezente por jo përballë, brenda e kapshme, e prapë e pavërtetueshme për shqisat e tua — një prani që s’mundte në fakt të ishte a të jetë.
Dhe mendja… mendja shkon atje ku do vetë, pa u ndalur për leje, pa bekimin tënd, pa kontrollin tënd, pa lejen tënde dhe mbi të gjitha, pa logjikë. Ne shpesh mendojmë se mendja “na fluturon”, por në të vërtetë, ajo nuk shkon askund pa arsye — thjesht ne nuk kemi kohë ta shpenzojmë ose aftësinë ta gjejmë lidhjen dhe arsyen, dhe për këtë nuk tentojmë as të pyesim shpeshherë: si e pse ndodh kjo apo çfarë është ky sensacion?
Ja, vetëm tani, tani vonë dhe krejt për rastësi, pashë dhe kuptova se çfarë kishin parë sytë e mi, ndërsa mendja ime ishte komplet e përqendruar përtej asaj që sytë servirnin — pamjet e një tavoline pune komplet të paorganizuar, komplet të çrregullt.
Ishte një kartëvizitë në tavolinë — kartëvizita e Brucit, një nga huadhënësit banker që unë përdor për agjentët dhe klientët e mi në kompaninë time.
Një mik i vjetër që shpesh ua rekomandoj agjentëve, si njeri i dedikuar i punës dhe i besuar për ndershmërinë e tij, me interes dhe llojin e kredive.
Dhe papritur, vura re ngjashmërinë e fotos së tij në këtë kartëvizitë gjithmonë para syve, me imazhin që ka poeti ynë Ilirian Zhupa — nisur nga foto që ai ka vënë në rrjetet sociale (profilin e tij në Facebook). Dhe thashë:
Sa herë e sa shpesh ne kemi ndjerë që nuk e kuptojmë dot se si është në fakt realiteti? Nuk gjejmë shpjegimin e gjërave, ndoshta nga më të thjeshtat — si për shembull: pse na vjen dikush në mendje në një moment të caktuar?
Por asgjë në këtë botë nuk është krejtësisht aksidentale.
Shpjegimet ndoshta nuk janë gjithmonë me vlerë për t’u gjetur, por ekzistojnë.
Dhe unë, me besimet e mia supersticioze, ndiej se ka një arsye pse Zhupa më ka dalë në mendje kaq shpesh — një ftesë e heshtur për të lexuar atë që kam lënë pezull, për tu rikthyer kur te gjeje kohën të përmbushje dëshira të tilla.
Dhe mbase t’i bëj thirrje ndokujt:
Nëse doni poezi për të lexuar — mos lini pa lexuar Poetin Ilirian Zhupa