Gladiola Jorbus-Shpirt cigan


Shpirt cigan

Manteli i yjeve vezullon

mbi puthjen cigane.

Krahët zeshkanë

pushtojnë gjithë dhembjet e botës.

Nën tingujt e trishtë të flamencos

era pranverore lëmon –

flokët e errët si nata.

Vagëllohet agimi

në cicërima dallëndyshesh.

Aromë *azahari andaluzian,

kundërmon gjithësia.

Në sytë e zinj abanoz

mund të lexosh a të vësh baste me fatin.

Për vajzat që fundet tundin,

e këmbët fort i rrahin mbi tokë.

Duele të përgjakshme ndezin,

kur vështrimet – me ëndrrat kryqëzojnë!

Për djemtë që enden në kërkim të vetes,

E dragonjtë e jetës, pa drojë i përballin.

Për zjarret që digjen, daullet që bien.

Për Ederlezin cigan që kumbon

Në shtatë notat e shpirtit.

Nata e përhumbur, shkumake,

vallëzon me fytyrën drejt qiellit.

Dhe piklat e shiut të shpresës

Përkëdhelin mëngjesin.

*Azahar – ‘Çel portokalli’ në spanjisht, rrjedh nga arabishtja zahrah që do të thotë ‘lule’. Është marrë nga Nuestra Señora del Azahar, që do të thotë “Zoja e Lules së Portokallit”, për shkak të pemëve agrume që rrethojnë një kishë kushtuar Virgjëreshës Mari pranë Murcias, në Spanjë.

About Post Author