Gladiola Jorbus-Ujëvara e ëndrrave


Ujëvara e ëndrrave

Në ujëvarën e ëndrrave –
Unë jam drita.
Por druhen të më shohin.
Horizontet i shfaq si dy gjysmërruzuj,
përtej kubesë qiellore.
Por druhen të më besojnë.
Ua zgjas duart, krahët të më shtrëngojnë.
Por druhen të më prekin.
Fjalët e mia bëhen tinguj ritmikë.
Por druhen t’ua vënë veshin.
Fluturimthi vërshoj mbi shpatet e pjerrëta,
ku ylberët kridhen të trazuar,
si lajtmotivet e vjeshtës.
Fle mbi shkëmbinjtë,
ku shtrohen tapete prej myshku të njomë
dhe hënën rrëkëllej me një frymë.
Por druhen të më ndjekin.
E atëherë…
dielli nis të venitet
brenda vështrimit tim endacak.
Kënga e zogjve tretet në muzg.
Druri i kedrit frushullon lamtumirë.
Dhe unë mbetem vetëm…
si balada e erës
në mjegullinën e shekujve.

About Post Author